Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë do të sjellë bashkimi i energjisë

Në mars të këtij viti, Komisioni Europian deklaroi se kishte ardhur koha të krijohej Bashkimi i Energjisë Europiane, një institucion i cili do të plotësonte Bashkimin Ekonomik Europian Komisioni Europian deklaroi se, për shkak të abuzimeve të kryera kundrejt Bullgarisë, Estonisë, Letonisë dhe Polonisë, të gjithë shtetet të varura nga furnizimet e gazit rus, Gazpromi do të gjobiten me 10 për qind të shitjeve të gazit në Bashkimin Europian. Ndërkohë, vende të tjera europiane kanë filluar të shprehin dëshirën për ta blerë gazin në Iran. Nëse planet implementohen vërtet, Europa pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë e saj energjetike

Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë? Krahasuar me vende të tjera të madhësisë së ngjashme, rëndësisë së njëjtë ekonomike dhe potencialit teknik, është e çuditshme që Gjermania nuk ka një kompani kombëtare të energjisë. Sektori energjetik i Gjermanisë varet nga firmat private të energjisë. Mungesa e një kompanie kombëtare e vendos qeverinë gjermane në një disavantazh të madh strategjik krahasuar me vendet e tjera europiane

Realiteti gjeopolitik mund të jetë aktualisht në disavantazh të Rusisë, por nëse vendet europiane nuk bashkëpunojnë, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të diversifikuar burimin e energjisë, për të rikonfiguruar rrjetin gazsjellës apo për të investuar në ndërtimin e porteve të tjera të gazit të lëngshëm natyror. Shtetet anëtare të vetme nuk do të jenë të afta të denoncojnë abuzimin

Petr Polak, Foreign Affairs

Në mars të këtij viti, Komisioni Europian deklaroi se kishte ardhur koha të krijohej Bashkimi i Energjisë Europiane, një institucion, i cili do të plotësonte Bashkimin Ekonomik Europian. Vetëm një vit më parë, Donald Tusk, i cili ishte Kryeministër i Polonisë dhe tashmë kreu i Komisionit Europian, kishte propozuar një bashkim si mënyrë për të negociuar kushte më të mira të shkëmbimit të energjisë me Rusinë.

Pas një hetimi 3-vjeçar, komisioni kishte arritur në konkluzionin se Gazpromi, kompania monopol e eksportimit të gazit, kishte abuzuar me pushtetin e tij si furnizues i vetëm në Bullgari, Estoni, Letoni dhe Poloni, duke imponuar çmime të rritura artificialisht dhe duke ia ndaluar këtyre vendeve që ta rishisnin gazin drejt vendeve të tjera europiane. Nëpërmjet formimit të një politike të unifikuar të gazit, presupozohej që Europa do të arrinte ta frenonte abuzimin e Rusisë.

Në atë kohë, disa zyrtarë të Bashkimit Europian e konsideruan propozimin e Kryeministrit Tusk si tepër radikal. Gjermania në veçanti kundërshtoi madje edhe negociatat për të vendosur një çmim të njëjtë dhe të unifikuar të gazit rus në Europë. Si konsumatorja më e rëndësishme e Gazpromit, Gjermania gëzon (dhe vazhdon të gëzojë) kushte lehtësuese nga furnitori rus. Gjermanët kishin frikë se duke bashkuar forcat me pjesën tjetër të Europës, do të përfundonin duke paguar më shumë për blerjen e gazit. Po kështu, Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e kundërshtoi planin e Tuskut për shkak se edhe vendi i tij kishte negociuar një marrëveshje bilaterale me Kremlinin që e lejonte Hungarinë të kishte një furnizim të vazhdueshëm gazi me çmime të favorshme, me kusht që Hungaria të mbështeste Rusinë në fusha të tjera.
Këto shqetësime e frenuan krijimin e bashkimit të energjisë përgjatë një viti. Në fillim të vitit 2015, pasi kuptoi se siguria energjetike e Bashkimit Europian ishte prioriteti kryesor i rajonit, Komisioni Europian vendosi t’i rihapte negociatat. Kështu, në muajin mars komisioni deklaroi planin për të krijuar Bashkimin e Energjisë Europiane. Dizajni i ri ruan një pjesë të mirë të propozimit origjinal të Donald Tusk, edhe pse është hequr ideja e tij, se të gjitha vendet anëtare të Europës duhet të bëjnë prokurim të përbashkët të gazit.

Plani i ri i lejon vendet europiane ta prokurojnë në mënyrë vullnetare sasinë e nevojshme të gazit për shtetet e tyre. Një muaj më pas, Komisioni Europian deklaroi se, për shkak të abuzimeve të kryera kundrejt Bullgarisë, Estonisë, Letonisë dhe Polonisë, të gjithë shtete të varura nga furnizimet e gazit rus, Gazpromi do të gjobiten me 10 për qind të shitjeve të gazit në Bashkimin Europian. Ndërkohë, vende të tjera europiane kanë filluar të shprehin dëshirën për ta blerë gazin në Iran. Nëse planet implementohen vërtet, Europa pritet të rrisë ndjeshën sigurinë e saj energjetike në muajt e ardhshëm dhe dominimi i Rusisë si furnitor i vetëm i gazit në Europë të dobësohet gjithashtu. Megjithatë, ka vend për skepticizëm.

Pushteti i deversifikimit

Tubacion Gazi
Tubacion Gazi

Bashkimi Europian është importuesi më i madh i energjisë në botë. Vitin e kaluar, importet arritën deri në 53 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë së rajonit me një kosto preh 400 bilionë eurosh. Shumë vende, veçanërisht ato të Europës Lindore, janë tërësisht të varura nga furnizimet e Rusisë. Megjithatë, importet nga Rusia në rajon përbëjnë më pak se 30 për qind të konsumit të përgjithshëm të gazit në Bashkmin Europian.

Edhe pse në nivelin e 30 përqindëshit, është përsëri një pjesë shumë e madhe kur merr në konsideratë sjelljen agresive dhe abuzive të Rusisë. Kështu, bashkimi energjetik i propozuar, si pjesë e prioritetit kryesor të politikës europiane, ka për qëllim të reduktojë importin e gazit rus në Europë, pjesa më e madhe e të cilit transportohet me gazsjellëset tokësore. “Bashkimi Europian do t’i përdorë të gjithë instrumentet e politikës së jashtme në dispozicion”, deklarohet në draftin e dokumentit të bashkimit energjetik, “për të zhvilluar një partneritet energjetik strategjik me vendet e prodhimit dhe ato të tranzitit”.

Kushtet e këtij bashkimi ende nuk janë finalizuar, por kompanitë kryesore europiane të paktën kanë sugjeruar se Europa mund ta diversifikojë furnizimin e saj, duke blerë gaz nga Turqia, Azerbajxhani dhe Turkmenistani, vende që sëbashku kanë rezerva gazi prej 19 trilionë metër kub, dhe duke dyfishuar kapacitetin e gazsjellëses Trans Adriatik. Pasi është planifikuar të hapet zyrtarisht në vitin 2019, kjo gazsjellëse do të transportojë 20 bilionë metër kub gaz në vit nëpërmjet korridorit jugor prej 3200 kilometrash nga bregu i Detit Kaspik të Azerbajxhanit drejt Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe më pas drejt Italisë.

Një tjetër alternativë për të diversifikuar furnizimin e gazit do të ishte rifillimi i ndërtimit të gazsjellëses Nabuko, e cila duhet të lidhte Europën direkt me furnitorët e gazit në Azinë Qendrore. E mbështetur fillimisht nga Shtetet e Bashkuara dhe disa anëtarë të Bashkimit Europian, Nabuko shkaktoi pakënaqësi të mëdha brenda qeverisë ruse. Në kundërpërgjigje, Gazpromi propozoi një projekt alternativ që do ta dërgonte gazin rus në një terminal në Baumgarten, kufiri austriak me Hungarinë.

Të dy projektet u arkivuan në vitin 2013, kur Azerbajxhani filloi punën e ndërtimit të gazsjellësit Trans Adriatik. Ndoshta do të ishte mirë që plani të riniste. Përveç Azerbajxhanit, Turqisë dhe Turkmenistanit, drafti i dokumentit të bashkimit energjetik identifikon gjithashtu vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Qendrore si partnerë potencialë bashkëpunues.

Megjithatë, Europa në praktikë nuk mund ta diversifikojë vërtet furnizimin e saj derisa të zgjerojë kapacitetin e porteve të saj terminale për të pritur gazin e lëngshëm natyror. Me vetëm një terminal të madh të gazit të lëngshëm, kapaciteti real i Europës për të pranuar ngarkesat e gazit që vjen nga përtej detit është i vogël.

Europës i duhet gjithashtu të përmirësojë rrjetin e saj të brendshëm të gazsjellëseve, në rajon ka shumë gazsjellëse intra-europiane, siç është MEGAL, e cila kalon përgjatë kufijve gjermanë me Republikën çeke dhe përgjatë Austrisë në kufirin gjerman me Francën, si dhe Gazsjellësja Trans Austria, e cila kalon përgjatë kufijve austriakë me Sllovakinë drejt Italisë. Megjithatë, gasjellëset individuale brenda Europës nuk janë plotësisht të integruara dhe Bashkimi Europian nuk ka një gazsjellëse që të kalojë nga Veriu në Jug.

Më tej, vendet Baltike nuk janë të lidhura me rrjetin kryesor të Europës. Ata i marrin furnizimet nga një terminal i vetëm i gazit natyror të lëngshëm në Klaipeda të Lituanisë dhe janë tërësisht të varura nga Rusia për pjesën tjetër të gazit. Derisa këto probleme të adresohen dhe zgjidhen. Europa do të vazhdojë të ketë vështirësi të mëdha për ta shpërndarë dhe përdorur në mëyrë eficente inputin e ri të energjisë në rajon.

Teksa Europa përpiqet për të diversifikuar burimet e saj të lëndës së parë. Bashkimi energjetik i propozuar e lejon Komisionin Europian të influencojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe kontratat e furnizimit, përfshirë këtu ato me Gazpromin. Drafti i bashkimit energjetik bën për thirrje për rritjen e transparencës së këtyre marrëveshjeve dhe përputhje të plotë me politikën e BE-së për sigurinë energjetike. Kështu, dokumenti do të kërkojë respektim të plotë të legjislacionit europian për të gjitha kontratat që lidhen me prokurimin e gazit nga furnitorë të jashtëm.

Më tej, kërkohet miratimi nga Komisioni Europian jo vetëm për marrëveshjet ndërqeveritare, por edhe për ato të natyrës tregtare. Kështu presupozohet që Komisioni të përdorë rolin e tij monitorues për të kërkuar kushte më të mira nga Rusia, veçanërisht duke kërkuar kontrata afat-shkurtër dhe eliminimin e kufizimeve të rieksportimit të gazit rus drejt vendeve europiane. Në fakt, Komisioni Europian ka ndërhyrë tashmë në një marrëveshje të energjisë për herë të parë në mars të këtij viti, kur zëvendës presidenti i KE-së, Maroš Šefčovič, drejtoi bisedimet trepalëshe ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Bashkimit Europian.

Atë muaj skadonte një marrëveshje e mëparshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e cila ishte negociuar dhe pjesërisht financuar nga Bashkimi Europian. Negociatat ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës lidhur me kontratën e re kishin ngecur derisa Bashkimi Europian vendosi të ndërhyjë. Pavarësisht konfliktit ende të hapur ndërmjet dy vendeve, Komisioni Europian ndihmoi rinovimin e kontratës së gazit rus për Ukrainën dhe bisedimet çuan drejt reduktimit të ndjeshëm të vartësisë së Ukrainës nga Gazpromit.

Gazeta Rilindja Demokratike,  21.09.2015