Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efiçenca e energjisë, së shpejti ligji

Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja prezantoi para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin e ri “Për efiçencën e energjisë”.

Z.Bejtja tha se kjo nismë ligjore përmban ndryshime themelore në raport me ligjin ekzistues të miratuar në vitin 2005. “Ky ligj pati problem në zbatimin e tij për shkak se nuk u bë një ndarje e qartë e përgjegjësive institucionale për monitorimin dhe zbatimin e tij”, u shpreh z. Bejtja. Sipas tij, shumica e akteve nënligjore të parashikuara nga ky ligj nuk dolën asnjëherë, disa nuk u miratuan ndërsa ligji nuk gjeti mbështetje institucionale as për për ngritjen e kapaciteteve publike dhe teknike duke mos u miratuar një fond eficaence i energjisë.

Drafti që u prezantua në Kuvend sjell objektivin kombëtar për reduktimin me 11% të konsumit deri në vitin 2020, duke marrë në konsideratë kapacitetin, realitetin teknik e teknologjik të Shqipërisë dhe mundësitë e aplikimit të ligjit.

“Ky ligj që po paraqesim synon të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me burime energjetike nëpërmjet kursimit në konsum. Synohet ulje të varësisë nga importet e energjisë, transformim eficent të burimeve primare të energjisë tek konsumatori fundor. Është një fushë thuajse totalisht e paprekur që lidhet kryesisht edhe me energjitë reaktive”, nënvizoi z.Bejtja.

Zv/ministri sqaroi se ligji është i rakorduar edhe me Direktivat e Paketës së Tretë të Komunitetit Evropian.

“Shoqëritë e prodhimit të energjisë, duhet të prodhojnë energji në mënyrë eficente, duke ulur sa më shumë konsumin e brendshëm dhe duke rritur rendimentin. Shoqëritë e shpërndarjes së energjisë duhet që të ulin humbjet dhe transmetimi të realizohet me sa më pak humbje teknike. Referuar shoqërive të shitjes me pakicë të energjisë, do të ketë një ndarje të sistemit të shpërndarjes në furnizues me shumicë dhe në furnizues me pakicë. Konsumatorët fundorë të energjisë elektrike që siç e thashë duhet te rrisin eficencën në përdorim”, tha zv/ministri.

Z.Bejtja njoftoi se shumë shpejt në Kuvend do të mbërrijë dhe ligji për efiçencën në banesa, ku do të përcaktohen qartazi dhe kriteret e ndërtimit, të tilla që të garantojnë eficencë maksimale në konsumin e energjisë elektrike.

energjia.al  22.09.2015