Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, kusht për zhvillimin rajonal

Evropa Juglindore ballafaqohet me obligimin që deri në vitin 2020 të përcaktoj dhe implementoj masat për zhvillimin e burimeve të energjisë të rinovueshme dhe rritjen e shkallës së përdorimit të kësaj energjie në kuadrin e konsumimit të përgjithshëm nacional të energjisë.

Vendet e Evropës Juglindore kanë për detyrë t’i identifikojnë prioritetet e veta në sektorin energjetik nëse synojnë të sigurojnë rritjen e vet ekonomike si dhe, në të njëjtën kohë, nëse dëshirojnë të sigurojnë zhvillim e ekonomive efikase me shfrytëzim racional të energjisë dhe emetim të ultë të karbonit në atmosferë, është konkluduar në konferencën e vendeve të Evropës Juglindore në Sofje.

Konferenca, të cilën para përfaqësuesve të lartë të vendeve rajonale e ka hapur kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka trajtuar strategjinë për arritjen e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore dhe rrumbullakimin e infrastrukturës energjetike në rajon, që do të siguroj këmbimin dhe qarkullimin e papenguar të energjisë nga burimet deri te shfrytëzuesit e saj.

Duke e adresuar konferencën, sekretari i përgjithshëm i Komisionit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), Goran Svillanoviq, ka thënë se prospekti fillestar i zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në dekadën e dytë të këtij shekulli ka ngecur së fundi dhe se Evropa Juglindore ballafaqohet me obligimin që deri në vitin 2020 të përcaktoj dhe implementoj masat për zhvillimin e burimeve të energjisë të rinovueshme dhe rritjen e shkallës së përdorimit të kësaj energjie në kuadrin e konsumimit të përgjithshëm nacional të energjisë.

Për të arritur këtë, ai ka theksuar se vendet e rajonit duhet të ushtrojnë politika efikase në fushën e gjenerimit dhe konsumimit të energjisë, të cilat do të inkurajojnë shfrytëzimin racional të burimeve ekzistuese energjetike.

Po ashtu, ai ka theksuar se vendeve të rajonit u duhet të krijojnë një treg funksional energjetik si dhe të inkuadrohen në Unionin Energjetik përpara se të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit e konferencës janë pajtuar se rajonit të Evropës Juglindore i duhet një lloj rajonalizimi i politikave energjetike që jo vetëm do të krijoj kushte për shfrytëzim dhe këmbim maksimal të burimeve ekzistuese energjetike, por edhe për inkurajimin e investimeve kapitale nga bota.

Në këtë kuadër, ristrukturimi i rrjetit energjetik në rajonin e Evropës Juglindore imponohet si një nga kushtet kryesore, nëse vendet e Evropës Juglindore synojnë të sigurojnë në të njëjtën kohë edhe zhvillimin dinamik të ekonomive nacionale edhe thithjen e kapitalit të nevojshëm huaj për implementimin e teknologjive bashkëkohore në prodhimtarinë ekonomike.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  18.09.2015