Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjobë abonentit, arrestohet specialisti i OSHEE

Sektori për Krimin Ekonomik Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat dhe Sektorin për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore Dibër, finalizuan operacionin e koduar ‘Gjoba e fundit’, në kuadër të të cilit u vu në pranga një specialist i OSHEE.

Sipas policisë, Idriz Driçi, 64 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Burrelit, rrethi Mat, me profesion specialist pranë OSHEE Mat, është kapur në flagrancë duke marrë një shume prej 50.000 lekësh të reja abonentit D.K, të cilit i ka bërë presion për vendosje gjobe me pretendimin se abonenti kishte bërë ndërhyrë në aparatin matës, pavarësisht se aparaturat e këtij shtetasi nuk ishin në gjendje pune.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale të ”Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim te shtetasit: Arjan Hoti, 41 vjeç, lindur dhe banues në Burrel, me detyrë elektricist pranë OSHEE Mat, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në abonentin me iniciale D.K., nuk kanë lënë procesverbal konstatimi lëshuar mbi kontrollin e ushtruar për shkeljet e konstatuar në matësin e tij.

Po në kuadër të operacionit, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale te “Falsifikimit te dokumenteve” në ngarkim të shtetasit Visar Çaushi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, me detyrë Inspektor terreni pranë Kompanisë private 3G (kompani e kontraktuar nga OSHEE me qëllim kontrollin e matësve elektrikë), pasi gjatë kontrollit të ushtruar në abonentin me iniciale D.K., ka falsifikuar firmën e eprorit të vet lidhur me kontrollin e ushtruar në matësin e tij.

Të gjitha veprimet e kryera nga ana e Policisë janë në funksion të procedimit penal të regjisturar në Prokurori, për veprën penale të ”Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Mat për veprime të mëtejshme.

Gazeta Shqip, 16.09.2015