Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksplorimi i naftës në Adriatik shqetëson Kroacinë

Teksa Kroacia përgatitet për eksplorimin e naftës dhe gazit në detin Adriatik, grupet ambientaliste kanë ngritur shqetësime në lidhje me mjedisin dhe ekonominë e ishujve të vendit të varur nga turizmi dhe bregdeti i virgjër.

Qeveria ka vendosur që në shtator të nënshkruajë kontrata me dy grupe të energjisë, të cilave i ka dhënë të drejtën të eksplorojnë dhe shpojnë për naftë dhe gaz në detin Adriatik për një periudhë 30- vjeçare. ‘Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Kroacinë’, – tha Barbara Dorik, kreu i Agjencisë së Hidrokarbureve.

Shfrytëzimi i burimeve shtesë ‘të cilat ne supozojmë se i kemi në Adriatik, do të mundësojë që vendi të bëhet i pavarur energjetikisht, kur bëhet fjalë për gaz, madje të kthehet në një eksportues’, – tha ajo.

Dy licencat i janë dhënë grupit të naftës INA – në pronësi të përbashkët me shtetin kroat dhe MOL të Hungarisë – dhe një e dytë ENI dhe MEDOILGAS të Italisë.

Qeveria synon që me këtë projekt t’i japë ekonomisë së Kroacisë, e cila është zhytur në recesion që nga viti 2008, shtysën për të cilën ajo ka aq shumë nevojë.

Zyrtarët vlerësojnë se përfitimet direkte për buxhetin e shtetit do të mund të arrijnë eventualisht rreth 1 miliard paund fitim neto në vit. Nga eksplorimi pritet të rezultojnë edhe efekte indirekte pozitive, të tilla si zhvillimi i industrive mbështetëse ose krijimi i vendeve të reja të punës në një vend ku papunësia qëndron në 20%. ‘Efekti domino mund të rezultojë me të vërtetë i fortë’,- tha Dorik. ‘Llogaritjet e ndikimit potencial në Produktin e Brendshëm Bruto të vendit (PBB) tregojnë se ai mund të variojë nga 3 deri në 4%, një shifër e lartë kjo’.

Por që kur projekti u prezantua, ka ngjallur kritika të forta nga grupet vendase dhe ndërkombëtare të interesuara për mjedisin, si dhe ekonominë. Shumë kroatë frikësohen se mund të dëmtohet seriozisht industria e paçmuar e turizmit të vendit ballkanik.

Turizmi, i cili është rimëkëmbur gradualisht që nga lufta për pavarësi e ish-Republikës Jugosllave në vitin 1996, llogaritet për rreth 20% të PBB-së së Kroacisë.

Ata që kundërshtojnë shpimin pretendojnë se rreziqet janë shumë më të mëdha se përfitimet e mundshme. ‘Është e pamundur të zbatosh një projekt të tillë pa dëme shumë të rënda si për mjedisin ashtu dhe ekonominë vendase (që është) e bazuar në turizëm dhe industrinë e peshkimit’, – referoi Vjeran Pirshiç, kreu i grupit mjedisor Eko Kvarner.

Pirshiç gjithashtu pretendoi se shpimet e naftës në det të hapur nuk do të përputhen me përfitimet nga turizmi, të cilat vitin e kaluar arritën 7.4 miliardë euro. ‘Kjo do të thotë se ne po luajmë në ruletën ruse’, tha ai. Grupet ambientaliste paralajmërojnë se në detin relativisht të vogël dhe të cekët të Adriatikut, faza e eksplorimit, që pritet të zgjasë deri në pesë vjet, përfshirë kërkimet sizmike dhe shpërthimin nënujor, do të ndikojë seriozisht jetën detare.

Ndikimi vizual i platformave të naftës në horizont, pretendojnë ata, do të dekurajojë turistët, sidomos ata që lundrojnë përgjatë mijëra ishujve piktoreskë të Kroacisë. ‘Në rastin më të keq do të ishte një katastrofë totale, ne nuk do të jemi në gjendje të mbijetojmë, fëmijët dhe nipërit tanë do të vdesin për bukë’, – paralajmëroi Pirshiç.

Kroacia, çdo vit, mirëpret si turistë pothuajse trefishin e numrit të popullsisë së saj prej 4.2 milionë banorësh, ku shumica viziton bregdetin e saj mahnitës të Adriatikut.

Grupet ambientaliste kanë pretenduar se projektit i mungon një studim i duhur mjedisor dhe akuzojnë autoritetet se nuk janë konsultuar me komunitetet lokale në lidhje me të.

Muajin e kaluar, këshilli i qytetit të Dubrovnikut – perla e bregdetit të Adriatikut – miratoi një rezolutë kundër shpimit.

Por autoritetet kroate i refuzojnë me vendosmëri akuzat dhe thonë se qytetarët janë informuar në mënyrë të qartë në lidhje me çdo hap të këtij projekti. ‘Nuk ka vend për asnjë lloj paniku, pasi ky është një proces shumë i kontrolluar’, – tha Dorik, duke siguruar se Kroacia do të zbatojë standardet më të larta të sigurisë.

Qeveria vuri në dukje se eksplorimi për naftë dhe gaz ka vijuar për dekada të tëra në anën italiane të Adriatikut. Eksplorimet e para në Kroaci filluan në vitin 1970 dhe aktualisht ekzistojnë 20 platforma që shfrytëzojnë gaz përgjatë pjesës veriore të gadishullit Istria të vendit. ‘Ata që janë kundër (projektit) … janë kundër zhvillimit industrial të Kroacisë’, – tha ministri i Ekonomisë, Ivan Vrdoljak. Kroacia prodhon rreth 60% të gazit të vet natyror dhe importon 80% të nevojave të saj vjetore për naftë.

Ndërkohë, kroatët janë të përçarë rreth çështjes

Sondazhet tregojnë se deri në 52% e kroatëve e kundërshtojnë projektin, duke cituar si shqetësimin kryesor të tyre turizmin, teksa ata e mendojnë si më të rëndësishëm për vendin se nafta dhe gazi. Ata që mbështesin shfrytëzimin e një projekti të tillë thonë se përfitimi kryesor do të jetë se Kroacia do të bëhet e pavarur për energji.

‘Rreziqet nuk do të jenë shumë më të mëdha se sot, duke pasur parasysh se të gjitha platformat aktualisht gjenden atje, dhe vendi me siguri mund të përdorë të ardhura shtesë’, tha Nenad, një 53-vjeçar pronar i një anije me vela nga Zagrebi.

Nedjeljko Lesica, një peshkatar dhe ish-pronar restoranti nga Njivice ndan një mendim të ndryshëm.

‘Vini re këtë bukuri’, – tha ai me krenari duke treguar ujin kristal të pastër në një gji të një fshati të vogël në ishullin Krk.

‘Ky projekt është i keq për të gjithë. Çdo gjë do të jetë në rrezik –peshkimi, kryesisht turizmi, dhe ne do të jetojmë nga kjo’, tha 67-vjeçari. ‘Kur do të rimëkëmbemi në rast të fatkeqësie? Kurrë!

AFP,  06.09.2015