Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projektligji për efiçencën e energjisë

PROJEKTLIGJ Nr.________/2015 PËR

EFIÇENCËN E ENERGJISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S i:
KAPITULLI i
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është:

• hartimi e zbatimi i politikave kombëtare dhe rregullave për nxitjen, promovimin e përmirësimin e përdorimit efiçent të energjisë, me synim kursimin e energjisë dhe rritjen e sigurisë së furnizimit si dhe heqjen e barrierave në tregun e energjisë;
• krijimi i objektivave kombëtarë të efiçencës së energjisë;
• nxitja e konkurrencës ekonomike.

Neni 2
Objekti

Ky ligj përcakton detyrimet ndaj autoriteteve shtetërore, sektorëve publikë e privatë, sektorëve rezidencialë, shërbimeve, industrisë, transportit, bujqësisë si dhe të gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë për nxitjen e përdorimit me efiçencë dhe kursimin e energjisë, si dhe për zhvillimin e tregut për shërbimet energjetike në sektorin e efiçencës së energjisë.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për subjektet e mëposhtme:

a) Shoqëritë e prodhimit të energjisë;
b) Shoqëritë e shpërndarjes së energjisë;
c) Shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë;
ç) Konsumatorët fundorë të energjisë;
d) Siguruesit e masave të përmirësimit të efiçencës së energjisë.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e përdorur nënkuptohet:

1. “Auditim energjetik”, procedura sistematike që ndiqet për mbledhjen e të dhënave të përshtatshme për profilin ekzistues të konsumit të energjisë së një ndërtese ose një grupi ndërtesash, të një objekti dhe/ose instalimi industrial ose të një shërbimi privat apo publik për të identifikuar dhe përllogaritur kostot e kursimeve të energjisë, raportimin e gjetjeve (rezultateve) dhe masave që duhen marrë për përmirësimin e saj.

2. “Auditues energjetik”, një person fizik ose juridik i licencuar për të kryer auditime energjetike.

3. “Agjencia për Efiçencën e Energjisë”, institucioni shtetëror në varësi të ministrisë, e cila është përgjegjëse për promovimin e zbatimin e masave dhe politikave të efiçencës e të kursimit të energjisë.

4. “Certifikatë e performancës energjetike”, një dokument i lëshuar nga Agjencia përgjegjëse për Efiçencën e Energjisë sipas dispozitave të këtij ligji, e cila tregon performancën energjetike të një objekti.

5. “Energji”, çdo formë energjie e disponueshme në treg, përfshirë energjinë elektrike, gazin natyror (përfshirë gazin natyror të lëngshëm), gazin e lëngshëm të naftës, çdo lëndë djegëse për ngrohje dhe ftohje (përfshirë ngrohjen dhe ftohjen e përqendruar e rajonale), qymyrin dhe linjitin, torfën, karburantet për transport (duke përjashtuar karburantet e përdorura në aviacion dhe transportin detar), biomasën, energjinë diellore, energjinë e erës, energjinë gjeotermale dhe energjinë nga mbetjet urbane.

6. “Efiçenca e energjisë”, raporti ndërmjet rezultatit në dalje të performancës, shërbimit, produktit ose energjisë me energjinë në hyrje.

7. “Element ndërtese”, pjesa e sistemit teknik të ndërtesës dhe/ose një element i sipërfaqes së jashtme të ndërtesës.

8. “Fondi i Efiçencës së Energjisë”, fondi i krijuar sipas këtij ligji.

9. “Furnizues”, çdo person fizik ose juridik, i cili hedh në treg shërbimin ose produktet që janë objekt i këtij ligji.

10. “Financimi nga palë të treta”, një marrëveshje kontraktuale, ku përfshihet një palë e tretë, e ndryshme nga furnizuesi i energjisë, e cila siguron kapitalin financiar për zbatimin e plotë ose të pjesshëm të masave për përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe i ngarkon përfituesit një pagesë për të cilën është rënë dakord për përfitimin e plotë ose të pjesshëm të kursimit të energjisë, që është arritur si rezultat i masës së përmirësimit të efiçencës së energjisë.

11. “Intensiteti i energjjisë”, raporti i konsumit final të energjisë me prodhimin makroekonomik (GDP) të vendit.

12. “Klient fundor”, një person fizik ose juridik që blen energji vetëm për nevojat e tij.

13. “Komuniteti i energjisë”, një organizatë ndërkombëtare e krijuar në bazë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e cila merret me zhvillimin e politikave të energjisë.

14. “Konsumator i madh i energjisë”, një konsumator, konsumi total vjetor i energjisë i të cilit është më i madh se ekuivalenti i 3 milionë Këh në vit, e vlerësuar kjo nga rezultatet e një procesi auditimi energjetik.

15. “Konsumi primar i energjisë”, konsumi i brendshëm bruto, duke përjashtuar përdorimet joenergjetike.

16. “Konsumi final i energjisë”, konsumi total i të gjitha llojeve të energjisë që furnizojnë industrinë, transportin, familjet, shërbimet dhe bujqësinë. Këtu përjashtohen furnizime të energjisë në sektorin e transformimit të energjisë dhe vetë industritë energjetike.

17. “Kursim i energjisë”, sasia e energjisë së kursyer, e përcaktuar nëpërmjet matjes dhe/ose përllogaritjes së konsumit, përpara dhe pas implementimit të një mase përmirësimi efiçence, ndërkohë duke mos ndryshuar kushtet e jashtme që ndikojnë në konsumin e energjisë.

18. “Kontraktimi i performancës energjetike”, një marrëveshje kontraktuale ndërmjet përfituesit dhe siguruesit të masës së përmirësimit të efiçencës së energjisë, ku investimet në masa (puna, furnizimi apo shërbimi) paguhen në raport me një nivel të përmirësimit të efiçencës së energjisë të pranuar në kontratë.

19. “Masat e përmirësimit të efiçencës së energjisë”, çdo masë që sjell përmirësime të verifikueshme dhe të matshme të efiçencës së energjisë.

20. “Masa ndërsektoriale”, çdo masë e ndërmarrë, përfshirë:

– miratimin e standardeve dhe normave, që synojnë para së gjithash në përmirësimin e efiçencës së energjisë së produkteve dhe shërbimeve, si dhe përmirësimet në ndërtesat;
– skemat e etiketimit të energjisë;
– matjen, sistemet inteligjente të matjes, të tilla si pajisjet individuale të matjes, të menaxhuara nga larg dhe sistemet informuese të faturimit;
– trajnimin dhe edukimin, që çon në aplikimin e teknologjisë dhe/ose teknikave të efiçencës së energjisë;
– rregulloret, taksat etj., që kanë efektin e reduktimit të konsumit final të energjisë;
– fushatat që fokusohen në informimin dhe promovimin e përmirësimit të efiçencës së energjisë dhe masat që duhen ndërrmarë me qëllim përmirësimin e efiçencës së energjisë.

21. “Ministri”, ministri përgjegjës për energjinë.

22. “Mekanizmat e efiçencës së energjisë”, mekanizmat që ndërmerren nga institucionet ose agjencitë shtetërore përgjegjëse për energjinë për të krijuar një kuadër ose skema mbështetëse për pjesëmarrësit e tregut për ofrimin dhe blerjen e shërbimeve të energjisë si dhe masa të tjera të përmirësimit të efiçencës së energjisë.

23. “Ndërtesë”, një konstruksion me mure ose materiale të ngjashme, i mbuluar, në të cilën energjia përdoret për të plotësuar kërkesat për komoditet dhe ambient të përshtatshëm të brendshëm të caktuar.

24. “Ndikim i drejtpërdrejtë”, ndikimi i produkteve që konsumojnë energji gjatë përdorimit të tyre.

25. “Ndikim i tërthortë”, ndikimi i produkteve që nuk konsumojnë energji, por kontribuojnë në ruajtjen e energjisë gjatë përdorimit të tyre.

26. “Njësi ndërtese”, një seksion, kat ose apartament brenda një ndërtese, e cila është projektuar ose modifikuar që të përdoret e ndarë.

27. “Përmirësimi i efiçencës së energjisë”, rritja e efiçencës në përdorimin fundor të energjisë, si rezultat i ndryshimeve teknologjike dhe/ose sjelljeve ekonomike.

28. “Programe të përmirësimit të efiçencës së energjisë”, veprimtaritë e financuara ose të mbështetura, me qëllim përmirësimin e efiçencës së energjisë në grupe konsumatorësh fundorë.

29. “Palë e Komunitetit të Energjisë”, palët kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij.

30. “Performanca energjetike e një ndërtese”, sasia e përllogaritur ose e matur e energjisë, e nevojshme për të plotësuar kërkesën për energji, lidhur me një përdorim tipik të ndërtesës, që përfshin, ndërmjet të tjerash, energjinë e përdorur për ngrohje, ftohje, ventilim, ujë të ngrohtë dhe ndriçim.

31. “Produkt me ndikim në energji” ose “Produkt”, çdo mall që ka një ndikim në konsumin e energjisë gjatë përdorimit të tij, i cili hidhet në treg dhe/ose vihet në punë, përfshirë pjesët e projektuara për t’iu bashkuar produkteve me ndikim në energji, të cilat janë hedhur në treg ose janë vënë në punë si pjesë të veçanta për përdoruesit fundorë, për të cilët performanca lidhur me mjedisin mund të vlerësohet më vete.

32. “Rinovim i konsiderueshëm”, një rinovimin, kostoja e të cilit kalon 50% të kostos së investimit së një njësie të re të krahasueshme.

33. “Sipërfaqe e jashtme e ndërtesës”, elementet e integruara të një ndërtese, të cilat ndajnë mjediset e brendshme të ndërtesës nga mjedisi i jashtëm.

34. “Shërbim energjie”, përfitimi fizik i shërbimit dhe/ose produkteve që vijnë nga kombinimi i energjisë me teknologjinë e përdorur për përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe/ose me masa, të cilat mund të përfshijnë operimet, mirëmbajtjen dhe kontrollin e nevojshëm për të ofruar shërbimin, sipas një kontrate, që vërtetohet se sjell përmirësime të verifikueshme dhe të matshme, ose të përllogaritura të efiçencës së energjisë dhe/ose kursime të energjisë primare.

35. “Shoqëri e shërbimeve energjetike”, një person fizik ose juridik që ofron shërbime energjetike dhe/ose masa të tjera të përmirësimit të efiçencës së energjisë në ambiente. Pagesa për shërbimet e ofruara mbështetet plotësisht ose pjesërisht në arritjet e përmirësimeve të efiçencës së energjisë dhe në përmbushjen e kritereve të tjera të performancës, për të cilat është rënë dakord ndërmjet palëve.

36. “Shpërndarës energjie”, një person fizik ose juridik, përfshirë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, përgjegjës për transportin e energjisë, me qëllim lëvrimin e energjisë konsumatorëve fundorë, apo stacione shpërndarjeje që shesin u energji konsumatorëve fundorë.

KAPITULLI iI
POLITIKAT E EFIÇENCËS SË ENERGJISË

Neni 5
Politikat e efiçencës së energjisë

1. Politikat kombëtare për përdorimin efiçent të energjisë mbështeten në parimet e mëposhtme:

a) Sigurimin e operimit normal të tregut energjetik, sipas kritereve konkurruese të bazuara në kosto, si dhe të përfitimeve të mbrojtjes mjedisore.
b) Reduktimin e pengesave për promovimin e efiçencës e të kursimit të energjisë dhe nxitjen e investimeve në këtë fushë.
c) Promovimin e zgjidhjeve financuese për iniciativat lidhur me efiçencën dhe kursimin e energjisë.
ç) Transformimin e sektorit publik në një shembull model lidhur me menaxhimin e energjisë, investimeve, mirëmbajtjen dhe shpenzimet e tjera për pajisjet e ndërtesave në shërbim të organeve publike që përdorin energji, shërbimet energjetike dhe masa të tjera të përmirësimit të efiçencës së energjisë.
d) Edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut e të përdoruesve të energjisë lidhur me nevojën dhe përfitimet nga reduktimi i konsumit joefiçent dhe joekonomik të energjisë.
dh) Sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet konsumatorëve, prodhuesve, furnziuesve të energjisë dhe autoriteteve publike, me qëllim arritjen e objektivave të vendosur në politikat kombëtare të përdorimit efiçent të energjisë.
e) Mbështetjen e kërkimeve të zbatueshme në fushën e përdorimit efiçent të energjisë.
ë) Promovimin e iniciativave private dhe zhvillimin e shërbimeve me kosto efektive të efiçencës dhe ruajtjes së energjisë.
f) Shmangien e ndikimeve të konsiderueshme negative në mjedis dhe respektimin e prioriteteve sociale në promovimin e efiçencës së energjisë, mbi bazën e ndryshimeve teknologjike, kulturore dhe/ose ekonomike.
g) Bashkëpunimin me vendet e tjera në fushën e efiçencës së energjisë dhe përmbushjen e angazhimeve e të detyrimeve të vendit në kuadrin e çdo traktati ose konvente ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë.

2. Objektivi kryesor i politikave kombëtare për përdorimin efiçent të energjisë është nxjerrja e përfitimeve maksimale, përgjatë gjithë zinxhirit të përdorimit të energjisë, përfshirë prodhimin, transformimin, depozitimin, transmetimin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në forma të ndryshme.

3. Në politikat kombëtare për përdorimin efiçent të energjisë përcaktohen drejtimet për arritjen e objektivave kryesorë kombëtarë, mekanizmat, incentivat, aftësitë institucionale dhe financiare, si dhe kuadri i duhur ligjor për shmangien e çdo barriere ekzistuese tregu për përmirësimin e efiçencës së energjisë në vend.

4. Gjatë hartimit të politikave dhe programeve të efiçencës së energjisë merren në konsideratë karakteristikat e çdo rajoni të vendit dhe perspektivat e tyre për një zhvillim të qëndrueshem ekonomik.

5. Ministria, me mbështetjen e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, harton politikat kombëtare për efiçencën dhe kursimin e energjisë, si dhe monitoron zbatimin e këtyre politikave.
Neni 6
Objektivi kombëtar i kursimit të energjisë

1. Këshilli i Ministrave vendos një objektiv kombëtar të kursimit të energjisë, që bazohet në mundësitë reale ekonomike, konsumin primar ose atë final të energjisë, kursimit të energjisë primare ose finale, si dhe intensitetit të energjisë.

2. Objektivi kombëtar i kursimit të energjisë, referuar pikës 1, të këtij neni, merr në konsideratë çdo angazhim të vendit tonë si palë e Komunitetit të Energjisë dhe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

3. Objektivi kombëtar i kursimit të energjisë duhet të arrihet nëpërmjet shërbimeve energjetike, që synojnë rritjen e efiçencës së energjisë nëpër sektorë të veçantë të ekonomisë kombëtare, përfshirë sektorët rezidencialë, të shërbimeve, industrisë, transportit dhe bujqësisë, dhe marrjes së masave të tjera si të atyre ndërsektoriale.

4. Objektivi kombëtar i kursimit të energjisë përcaktohet në Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë, i cili hartohet nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 7
Plani Kombëtar i Veprimit për Rritjen e Efiçencës së Energjisë

1. Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë rishikohet çdo tre vjet dhe i dërgohet Komunitetit të Energjisë.

2. Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë përmban:

a) objektivin për rritjen e efiçencës së energjisë;
b) objektivat ndërmjetës për çdo tre vjet;
c) analizën dhe vlerësimin e arritjeve të planit të mëparshëm;
ç) treguesit paraprakë dhe objektivat e veçantë për kursimin e energjisë në çdo sektor;
d) veprimet dhe masat specifike të parashikuara për arritjen e objektivave të përgjithshëm dhe ndërmjetës kombëtarë të efiçencës së energjisë;
dh) detyrimet e institucioneve qendrore dhe të autoriteteve vendore lidhur me përmbushjen e veprimeve të parashikuara për rritjen e efiçencës së energjisë;
e) listën e akteve ligjore dhe nënligjore për arritjen e objektivave të efiçencës së energjisë;
ë) afatet për përmbushjen e detyrimeve përkatëse;
f) burimet e financimit, që do të përdoren për përmirësimin e efiçencës e të kursimit të energjisë;
g) orientimet në lidhje me investimet e individëve, industrisë së ndërtimit dhe institucioneve financiare;
gj) një vlerësim të bazuar të kursimeve të pritshme të energjisë dhe përfitimeve të tjera në një kuptim më të gjerë;
h) treguesit e performancës për vlerësimin e rezultateve të arritura dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për këtë qëllim.
i) strategji afatgjata për mobilizimin e investimeve në sektorët rezidencialë, të shërbimeve, industrialë, të transportit e të bujqësisë.

3. Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Monitorimi i zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë

1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë monitoron zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë dhe është përgjegjëse për masat e ndërrmarra dhe verifikimin e kursimit të energjisë, sipas udhëzimit të ministrit, që përcakton metodologjinë për të llogaritur kursimet e energjisë duke përdorur treguesit e efiçencës së energjisë në sektorët rezidencialë, të shërbimeve, industrialë, të transportit e të bujqësisë.

2. Çdo veprimtari monitorimi sipas pikës 1, të këtij neni, bazohet në treguesit që përmbahen në bazën e të dhënave kombëtare të energjisë. Për qëllim monitorimi përdoren tregues të tjerë invidualë të krahasueshëm, të cilët zbatohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

3. Forma dhe shpeshtësia e paraqitjes së raportimit mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë, sipas dispozitave të këtij ligji, përcaktohen me urdhër të ministrit.

4. Agjencia për Efiçencën e Energjisë raporton në ministri për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë, përfshirë rezultatet dhe objektivat e arritur, si dhe problemet e pengesat e hasura.

Neni 9
Efiçenca e energjisë në sektorin publik dhe industrial

1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, përfshin në rregullat e prokurimit publik për ҫdo pajisje apo produkt që ka një ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në konsumin e energjisë, që përmbush kërkesat minimale të efiçencës së energjisë, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji, kërkesa specifike për çdo institucion ose agjenci, objekt i ligjit për prokurimin publik, edhe masat për rritjen e efiçencës së energjisë, me qëllim që:

a) të prokurojë pajisje që kanë ndikim në konsumin e energjisë dhe automjete, mbështetur në legjislacionin në fuqi për konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji, sipas listave të specifikimeve të efiçencës së energjisë, për produktet e kategorive të ndryshme të pajisjeve dhe automjeteve, të cilat përgatiten nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe struktura e prokurimit publik;
b) të prokurojë pajisje, që kanë konsum efiçent të energjisë në të gjitha regjimet e punës, përfshirë regjimin “standby”, duke përdorur analizën e kostos optimale krahasuar me ciklin e jetës ose metodat krahasuese për të siguruar efektivitetin e kostos;
c) të zbatojë masat e efiçencës së energjisë në rastet e ndërtimit ose rinovimit të konsiderueshëm të ndërtesave që janë në pronësi dhe/ose në përdorim nga institucionet dhe entitetet publike.

2. Në rastet kur për një produkt nuk ekziston asnjë standard teknik shqiptar për efiçencën e energjisë, zbatohet standardi teknik për efiçencën e energjisë i Bashkimit Evropian, që është në fuqi për atë produkt.

Neni 10
Menaxheri i energjisë

1. Për çdo ndërtesë publike ose shoqëri industriale, që është konsumator i madh energjie, është e detyrueshme të emërohet një menaxher energjie.

2. Menaxheri i energjisë është përgjegjës për mirëmbajtjen e pajisjeve që konsumojnë çdo formë energjie, përmirësimin dhe mbikëqyrjen e mënyrave të përdorimit të energjisë dhe kryerjen e detyrave të tjera për përdorimin racional të energjisë në ndërtesa dhe industri.

3. Menaxheri i energjisë duhet të ketë kualifikimet dhe njohuritë profesionale si dhe eksperiencë praktike në kursimin e energjisë.

4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit dhe të eksperiencës profesionale për menaxherin e energjisë.

Neni 11
Objektivat për kursimin e energjisë në ndërtesat publike dhe objektet industriale

1. Ndërtesat publike dhe objektet industriale, që janë konsumatorë të mëdhenj energjie, marrin masa për përmirësimin e menaxhimit të energjisë, si dhe formulojnë e zbatojnë masa teknike për kursimin e energjisë me synim reduktimin e konsumit të energjisë.

2. Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë, përveç objektivave sektorialë të kursimit të energjisë, mund të parashikojë objektivat individualë për kursimin e energjisë për ndërtesat publike dhe objektet industriale që janë konsumatorë të mëdhenj energjie.

Neni 12
Marrëveshjet vullnetare

1. Ndërtesat publike dhe objektet industriale, që janë konsumatorë të mëdhenj energjie, të cilët janë subjekt i detyrimeve për kursimin e energjisë, siç përcaktohet në shkronjën “c”, të pikës 4, të nenit 16, mund të lidhin me Agjencinë për Efiçencën e Energjisë marrëveshje vullnetare për përmirësimin e efiçencës dhe kursimin e energjisë.

2. Marrëveshjet vullnetare, referuar pikës 1, të këtij neni, duhet të jenë transparente dhe të përmbajnë informacion lidhur me objektivat sasiorë të vendosur, si dhe procesin e monitorimit e të raportimit.

3. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mund të vendosë që një përqindje e caktuar e kostos për përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe arritjen e një niveli të kursimit të energjisë të mbulohet nga financime, që vijnë nga fonde të caktuara për nxitjen dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë.

4. Çdo marrëveshje vullnetare e nënshkruar sipas këtij neni hyn në fuqi vetëm mbas miratimit nga ministri përgjegjës për energjinë.

KAPITULLI iII

INFORMACIONI PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË

Neni 13
Baza e të dhënave të energjisë

1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë krijon dhe përditëson në mënyrë periodike një bazë të dhënash kombëtare lidhur me konsumin dhe furnzimin e energjisë në formatin e miratuar nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit, që shërben për përgatitjen dhe monitorimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë.

2. Baza e të dhënave të energjisë, e krijuar sipas pikës 1, të këtij neni, shërben si bazë për vlerësimin, nëse janë arritur objektivat e efiçencës së energjisë të vendosur sipas nenit 5, të këtij ligji.

3. Shpërndarësit e energjisë dhe shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë, mbi bazën e kërkesës, i paraqesin Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, të paktën një herë në vit, informacione të përmbledhura statistikore mbi klientët e tyre fundorë. informacioni duhet të jetë i mjaftueshëm për të hartuar dhe zbatuar programet e përmirësimit të efiçencës së energjisë dhe të promovojë dhe të monitorojë shërbimet energjetike e masat e tjera të efiçencës së energjisë.

4. Informacioni, referuar pikës 3, të këtij neni, përfshin informacion historik dhe aktual lidhur me kosnumin e përdoruesve fundorë, përfshirë, kur është e mundur, profile të ngarkesës, segmentimin e klientëve dhe vendndodhjen gjeografike të klientëve, duke ruajtur konfidencialitetin e informacionit, që është i karakterit privat ose i ndjeshëm nga pikëpamja tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5. Konsumatorët e mëdhenj të energjisë janë të detyruar të dërgojnë pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, një raport me të dhëna mbi konsumin e tyre të energjisë për vitin kalendarik paraardhës.

6. Konsumatorët e tjerë të energjisë janë të detyruar t’i dërgojnë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, konsumin e tyre aktual të energjisë, kur kjo u kërkohet.

7. Për sektorët rezidencialë, të shërbimeve, industrisë, transportit dhe bujqësisë, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, në bashkëpunim me iNSTAT-in, bën sondazhe për mbledhjen e të dhënave për konsumin e energjisë nga konsumatorët në këta sektorë.

8. Ministri miraton formën dhe afatet e paraqitjes të të dhënave dhe informacionit nga furnizuesit e energjisë dhe konsumatorët e energjisë, sipas dispozitave të këtij ligji.

Neni 14
Matja

1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë merr masa që, për aq sa është e mundur teknikisht, financiarisht e arsyeshme dhe proporcionale në raport me kursimet e mundshme të energjisë, konsumatorët fundorë të energjisë elektrike, gazit natyror, ngrohjes dhe ftohjes qendrore të banesave dhe ujit të ngrohtë sanitar të jenë të pajisur me matësit individualë, të cilët të pasqyrojnë me saktësi konsumin aktual të konsumatorit përfundimtar të energjisë dhe që mundësisht ta japin informacionin në kohën reale të përdorimit.

2. Nëse ngrohja dhe ftohja ose/apo uji i ngrohtë sanitar në një ndërtesë furnizohen nga një rrjet i ngrohjes/ftohjes qendrore të banesave apo nga një burim qendror që u shërben një blloku banesah, duhet të instalohet një matës për ngrohjen/ftohjen apo ujin e ngrohtë sanitar në pikën e shkëmbimit të nxehtësisë apo në pikën e dërgimit hyrës në banesë.

3. Aty ku përdorimi i matësve individualë nuk është teknikisht i realizueshëm apo nuk është me kosto efektive dhe aty ku ndërtesat me shumë apartamente furnizohen nga rrjeti i ngrohjes/ftohjes qendrore apo ku sistemet e ngrohjes/ftohjes janë të përbashkëta, Agjencia për Efiçencën e Energjisë mund të konsiderojë metodat alternative me kosto efektive për matjen e konsumit për ngrohje/ftohje ose për prodhim uji të ngrohtë sanitar. Në këto raste, Agjencia për Efiçencën e Energjisë vendos rregulla transparente për ndarjen e kostove të konsumit të energjisë termike apo të konsumit të ujit të ngrohtë sanitar në ndërtesa të tilla për të siguruar transparencën dhe saktësinë e kontabilizimit të konsumit individual.

4. Ministri, me propozimin e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, miraton një udhëzim për matjen dhe rregullat e përcaktimit të konsumit të energjisë termike, siç parashikohet nga ky nen, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Neni 15
Informacioni dhe trajnimi

1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë publikon, nëpërmjet faqes së saj zyrtare të internetit apo botimeve të ndryshme, çdo informacion për mekanizmat e efiçencës së energjisë dhe kuadrin financiar e ligjor të miratuar, me qëllim arritjen e objektivit kombëtar të kursimit të energjisë.

2. Agjencia për Efiçencën e Energjisë merr masat e nevojshme për të informuar konsumatorët fundorë për metodat dhe praktikat e ndryshme që shërbejnë për të rritur performancën e energjisë, në mënyrë të veçantë për të dhënë informacion mbi certifikatat e performancës së energjisë dhe raportet e inspektimit, qëllimin e tyre dhe objektivat, për mënyrat me kosto efektive dhe kur është e përshtatshme në instrumentet financiare në dispozicion për të përmirësuar efiçencën e energjisë përkatësisht në çdo sektor.

3. Agjencia për Efiçencën e Energjisë organizon trajnime për përfaqësuesit e institucioneve qendrore, autoriteteve vendore, audituesve të energjisë, si dhe menaxherët e energjisë mbi legjislacionin për efiçencën e energjisë, si dhe për masat për implementimin e këtij legjislacioni.

4. Ministri miraton një udhëzim mbi llojin dhe frekuencën e informacionit, që do të vihet në dispozicion nga Agjencia përgjegjëse për Efiçencën e Energjisë, siç parashikohet nga ky nen.

KAPITULLI iV
AUDITIMET DHE SHËRBIMET ENERGJETIKE

Neni 16
Auditimi energjetik

1. Auditimet energjetike kryhen nga auditues energjie të licencuar sipas kërkesave të këtij ligji.

2. Auditimi energjetik shoqërohet me një raport që përfshin:

a) një vlerësim të nivelit aktual të konsumit të energjisë për objektin e auditimit energjitik, si p.sh.: ndërtesat, objektet industriale dhe objektet e tjera që vlerësohen;
b) propozimin e masave të kursimit të energjisë që duhen marrë, përfshirë justifikimin ekonomik;
c) të dhëna për sasinë totale të kursimeve të arritshme;
ç) opinionin përfundimtar të ekspertit të audituesit energjetik për potencialin për rritjen e efiçencës së energjisë dhe zgjidhjet teknike përkatëse.

3. Audituesi i dërgon një kopje të raportit të auditimit energjetik dhe zgjidhjet teknike përkatëse Agjencisë për Efiçencën e Energjisë për ato persona që janë subjekt i auditimit të detyrueshëm ose kur auditimi është realizuar në kuadrin e një programi të financuar nga Fondi i Efiçencës së Energjisë.

4. Auditimi energjetik është i detyrueshëm për:

a) të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që aplikojnë për një program të financuar nga Fondi për Efiçencën e Energjisë për nxitjen dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë;
b) institucionet shtetërore ose subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë dhe që financohen plotësisht ose pjesërisht nga buxheti i shtetit;
c) të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që nuk përfshihen në shkronjën “b”, të kësaj pike, që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë.

5. Auditimet energjetike të detyrueshme kryhen:

a) çdo 3 (tre) vjet për personat fizikë dhe juridikë, të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4, të këtij neni;
b) çdo herë, përpara se një ndërtesë, objekt industrial, dhe objektet e tjera që vlerësohen vihen në punë dhe/ose kur ndërtohen nga e para apo i nënshtrohen një rinovimi të konsiderueshëm.

6. Ndërtesat publike dhe objektet industriale që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë, që janë objekt i auditimit të detyruar duhet, që, brenda dy vjetësh nga marrja e rezultateve të auditimit, të përmbushin masat dhe veprimet e rekomanduara për përmirësimin e efiçencës së energjisë.

7. Personat fizikë ose juridikë, subjekt i auditimit energjetik, paguajnë shpenzimet e kryera nga audituesi, si dhe shpenzimet për zbatimin e zgjidhjes teknike të dhënë nga audituesi për ruajtjen dhe kursimin e energjisë.

8. Përmbajtja e detajuar e një auditimi energjetik dhe pagesa minimale për audituesin energjetik përcaktohen në rregulloren e hartuar nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe të miratuar nga ministri dhe ministri përgjegjës për ndërtimin.
Neni 17
Audituesi energjetik

1. Audituesi energjetik është një person fizik ose juridik, i licencuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit e të eksperiencës profesionale për personin, të cilit i lëshohet licenca e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

3. Auditimi energjetik nuk kryhet nga një auditues energjetik i cili:

a) zotëron aksione ose kuota në shoqëri, që ka kërkuar ose së cilës i bëhet auditimi;
b) është anëtar i një organi drejtues të entitetit, që ka kërkuar ose të cilit i bëhet auditimi ose i cili është i punësuar apo ka marrëdhënie të ngjashme me personin që ka kërkuar auditimin;
c) është i afërm i shkallës së dytë i personit, i cili, për shkak të pozitës së tij/saj në personin e audituar, mund të ndikojë mbi audituesin energjetik.

4. Audituesi energjetik mban konfidenciale të gjitha të dhënat lidhur me personin fizik ose juridik, në kuadrin e auditimit të kryer në objektet energjetike të këtij personi. Audituesi energjetik nuk duhet të përfitojë nga këto të dhëna dhe nuk duhet t’i përdorë në interes ose në dëm të subjektit të audituar apo të një pale të tretë. Detyrimi i konfidencialitetit mund të hiqet me miratimin me shkrim nga personi fizik ose juridik, objekt i auditimit energjetik, ose nëse bërja publike e tyre parashikohet nga një ligj tjetër.

5. Përveç rasteve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, një licencë për auditimin energjetik hiqet nga ministri përgjegjës për energjinë, me iniciativën e tij ose me propozimin e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, pas një procedure në përputhje me legjislacionin në fuqi, që i garanton audituesit të licencuar të drejtën për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar e për t’u ankuar lidhur me shkeljen, në rast se:

a) provohet se në procesin e auditimit energjetik janë shkelur dispozitat e këtij ligji dhe kërkesat e përcaktuara në aktet nënligjore;
b) provohet se audituesi bën publike informacionin dhe të dhënat e shoqërisë, si dhe sekretet tregtare të konsumatorëve, me të cilat ai është njohur në saje ose në lidhje me auditimet, me kusht që publikimi të jetë ankimuar nga subjekti i audituar, ka shkaktuar ose mund të shkaktojë dëme.

6. Ministri njofton me shkrim audituesin energjetik për vendimin e tij për heqjen e licencës, sipas pikës 5, të këtij neni.

7. Një person, licenca e të cilit është hequr, mund të aplikojë për një licencë të re nëse përmbush kriteret për të qenë auditues, jo më herët se një vit nga data e marrjes së vendimit për heqjen e licencës.

Neni 18
Shërbimet energjetike

1. Në shërbimet energjetike përfshihen një ose më shumë veprimtari apo masa për përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe kursimin e energjisë sipas dispozitave të këtij ligji.

2. Në shërbimet energjetike përfshihen për t’u kryer gjithashtu procese të auditimit energjitik, të përcaktuara sipas nenit 16, të këtij ligji.

3. Shërbimet energjetike sigurohen nga shoqëri të specializuara për shërbimet energjetike, të cilat regjistrohen në ministrinë përgjegjëse për energjinë dhe të licencuara në përputhje me legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë. Ministria përgjegjëse për energjinë duhet të bëjë publike dhe të përditësojë rregullisht një listë të ofruesve të shërbimeve të energjisë në dispozicion.

4. Shërbimet energjetike sigurohen mbi bazën e kontraktimit të performancës energjetike me terma dhe kushte të negociuara lirisht midis palëve, përveçse kur ato ofrohen në kuadrin e një programi të financuar nga Fondi i Efiçencës së Energjisë. Ministria, me propozimin e Agjencisë për Efiçiencën e Energjisë, publikon informacionin mbi kontratat në dispozicion të shërbimeve të energjisë dhe kushtet që duhet të përfshihen në kontratat e tilla për të garantuar kursimet e energjisë dhe të drejtat e konsumatorëve fundorë.

5. Për shërbimet energjetike të siguruara në kuadrin e një programi të financuar nga Fondi i Efiçencës së Energjisë, ministri, me propozimin e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, miraton kontrata standarde për këto shërbime energjetike.
6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit miraton kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit e të eksperiencës profesionale për shoqëritë, të cilave u lëshohet licenca e përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.

KAPITULLI V
FONDI PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË

Neni 19
Krijimi dhe financimi i Fondit për Efiçencën e Energjisë

1. Fondi për Efiçencën e Energjisë është person juridik, gëzon statusin e organizatës jofitimprurëse dhe ka selinë në Tiranë.

2. Fondi ka për qëllim dhënien e mbështetjes financiare dhe menaxhimin e projekteve për zhvillimin e një tregu për përmirësimin e efiçencës së energjisë si dhe programeve të mbështetjes të konsumatorëve fundorë në rastet e kryerjes së investimeve me kosto dhe risk të lartë.

3. Fondi përdoret për nxitjen e programeve për përmirësimin e efiçencës së energjisë për shoqëritë e shërbimeve energjetike, ekspertë të pavarur të energjisë, auditues energjetikë, shpërndarësit e energjisë, operatorët e sistemit të shpërndarjes, shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë dhe operatorët e pajisjeve efiçente.

4. Fondi për Efiçencën e Energjisë administrohet nga Këshilli Drejtues dhe drejtori Ekzekutiv. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Fondit dhe përbëhet nga 5 anëtarë.

5. Kriteret e emërimit të Këshillit Drejtues dhe rregullat e funksionimit e të përdorimit të Fondit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Anëtarët e Këshillit Drejtues emërohen nga Kryeministri, me propozimin e ministrit.

Neni 20
Detyrat e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues ka këto detyra:

a) Miraton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Fondit;
b) Miraton statutin dhe manualin e procedurave të Fondit me shumicë të anëtarëve;
c) Miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve;
ç) Emëron dhe shkarkon drejtorin ekzekutiv, në përputhje me parashikimet e statutit;
d) Mbikëqyr administrimin dhe veprimtarinë e Fondit;
dh) Miraton strukturën organizative të Fondit;
e) Miraton kushtet dhe kriteret bazë të marrëdhënieve të punësimit në Fond, përfshirë strukturën dhe nivelet e pagave të punonjësve;
ë) Miraton bilancin vjetor, raportet vjetore dhe raportet periodike të veprimtarisë së Fondit;
f) Miraton buxhetin vjetor të Fondit;
g) Analizon dhe miraton raportet e kontrolleve të kryera për veprimtarinë e Fondit;
gj) Merr vendime për çështje që lidhen me veprimtarinë e Fondi dhe miraton dokumentet e nevojshme për ecurinë e kësaj veprimtarie.

Neni 21
Drejtori ekzekutiv

1. Drejtori ekzekutiv është autoriteti më i lartë ekzekutiv i Fondit.

2. Drejtori ekzekutiv emërohet me një shumicë të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Fondit dhe përgjigjet përpara tij.

3. Afati i qëndrimit në detyrë të drejtorit ekzekutiv është 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

4. Drejtori ekzekutiv ka kompetencat e mëposhtme:

a) Është përfaqësuesi ligjor i Fondit;
b) Drejton veprimtarinë administrative dhe organizative të Fondit dhe ndjek zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues;
c) Administron burimet financiare të Fondit;
ç) Nënshkruan marrëveshjet me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe donatorë të ndryshëm;
d) Zgjedh dhe emëron personelin;
dh) Kërkon thirrjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues;
e) Kryen të gjitha detyrat e tjera të ngarkuara në bazë të këtij ligji, të vendimit të Këshillit të Ministrave, statutit dhe manualit të procedurave të Fondit.

Neni 22
Administrata e Fondit

Veprimtaria e Fondi mbështetet nga një administratë, që funksionon në përputhje me statutin dhe manualin e procedurave të Fondit.

Neni 23
Financimi i Fondit

1. Fondi financohet nga:

a) fondet e përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të ndryshëm për financimin e projekteve, të zbatuara nga Fondi i Efiçencës së Energjisë;
b) fondet nga buxheti i shtetit, nga individë dhe institucione, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, sipas marrëveshjeve përkatëse;
c) fondet nga bashkëfinancimi i përfituesve dhe i njësive të qeverisjes vendore;
ç) të ardhurat e përfituara nga aktivet e saj dhe shërbimet e ofruara;
d) kontributet materiale nga programet dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe nga organizata të ndryshme jofitimprurese;
dh) burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi.

2. Fondi i përdor të ardhurat e krijuara për mbulimin e shpenzimeve të krijuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, sipas procedurave të përcaktuara në statut.

3. Për arritjen e qëllimeve të tij, Fondi mbështetet në parimet e:

a) vetëfinancimit;
b) transparencës në administrimin e pasurisë;
c) trajtimit të barabartë të të gjithë përfituesve të Fondit;
ç) partneritetit dhe bashkëpunimit me sektorin privat për bashkëfinancimin e projekteve të investimeve për efiçencën e energjisë.

4. Këshilli Ministrave mund të vendosë për të bashkuar ose kombinuar Fondin e Efiçencës së Energjisë me fondet e tjera specifike të përcaktuara për promovimin e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Neni 24
Programet e financuara nga Fondi për Efiçencën e Energjisë

1. Fondi për Efiçencën e Energjisë përdoret për financimin e programeve të mëposhtme:

a) Investimet që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesa private dhe publike, ndërmarrjet industriale, sektorin e bujqësisë dhe sektorin e transportit;
b) Investimet që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë në nxjerrjen, prodhimin dhe transportin ose transmetimin e energjisë;
c) Përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndriçimin publik;
ç) Përmirësimin e efiçencës së energjisë në furnizimin me ujë dhe sistemet e trajtimit të ujërave të zeza;
d) Zhvillimin e projekteve demonstruese, me qëllim për të studiuar dhe testuar teknologji të reja të energjisë ose zgjidhje të reja organizative për sektorin e energjisë;
dh) Auditimet e energjisë që do të kryhen në sektorin publik;
e) Përmirësimin e matjes dhe informacionit në faturim;
ë) Kërkimin dhe zhvillimin e aktiviteteve për rritjen e efiçencës së energjisë;
f) Fushata ndërgjegjësimi dhe aktivitetet e edukimit në lidhje me efiçencën e energjisë.

2. Fondi mund të parashikojë dhënien e granteve, kredive, garancive financiare dhe/ose lloje të tjera të financimit që garantojnë rezultate. Kontributet e buxhetit të shtetit jepen vetëm për financime të projekteve specifike. Këto kontribute përdoren sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Çdo fond që përdoret për financimin e shërbimeve të energjisë i nënshtrohet procesit të tenderimit në bazë të legjislacionit në fuqi, për të garantuar zbatimin në mënyrë korrekte të shërbimeve të energjisë, auditimeve të energjisë dhe masa për përmirësimin e efiçencës së energjisë.

4. Çdo financim apo investim nga palë të treta, të cilat nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e Fondit të Efiçencës së Energjisë dhe që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë në sektorë të ndryshëm duhet të deklarojnë pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë çdo të dhënë reale të përmirësimit të efiçencës së energjisë që do të përfitohet nga këto financime apo investime, në mënyrë që këto të dhëna t’i bashkëlidhen planit kombëtar të veprimit për efiçencën e energjisë.

5. Fondet, të cilat nuk janë përdorur në një vit financiar, transferohen në fondin që përdoret për efiçencën e energjisë në vitin pasardhës dhe programet e kursimit të energjisë.
KAPITULLI VI
AGJENCIA PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË

Neni 25
Agjencia përgjegjëse për Efiçencën e Energjisë

1. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, krijon Agjencinë për Efiçencën e Energjisë e cila është përgjegjëse për nxitjen dhe zbatimin e masave e të politikave për efiçencën e energjisë dhe kursimin e saj, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni.

2. Agjencia për Efiçencën e Energjisë është person juridik publik, i financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera financimi jashtë buxhetit të shtetit, përfshirë burimet e financimeve të huaja, nëpërmjet programeve apo projekteve të ndryshme për promovimin e efiçencës e të kursimit të energjisë.

3. Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:

a) Të përgatitë, të zbatojë dhe të monitorojë politikat dhe programet për përdorimin efiçent të energjisë në çdo sektor rezidencial, shërbime, industriale, transport dhe bujqësi;
b) Të përgatitë dhe të monitorojë Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë;
c) T’i paraqesë çdo vit ministrit një raport të hollësishëm lidhur me zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë;
ç) Të bashkëpunojë me autoritetet qendrore dhe vendore, shoqëritë që operojnë objektet industriale dhe organizatat e ndryshme jofitimprurëse për krijimin dhe përditësimin e bazës së nevojshme të të dhënave të energjisë, përfshirë llogaritjen e treguesve të efiçencës së energjisë, si dhe për zbatimin e masave për nxitjen e efiçencës së energjisë;
d) Të përgatitë dhe t’i propozojë ministrit aktet e nevojshme nënligjore për nxitjen e efiçencës së energjisë, siç parashikohet në këtë ligj;
dh) Të përgatitë standardet, normat dhe rregulloret teknike me qëllim rritjen e efiçencës së energjisë së pajisjeve, aparaturave dhe makinerive që përdoren për prodhimin, transportin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë, në çdo sektor rezidencial, shërbime industriale, të transportit e të bujqësisë;
e) Të vlerësojë teknikisht dhe të këshillojë projekte investimesh në fushën e efiçencës së energjisë që aplikojnë për financime nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të brendshme ose të jashtme për zhvillimin e sistemit energjetik;
ë) Të përgatitë kontrata standarde që përdoren për shërbime të ndryshme energjetike, si dhe për implementimin e mekanizmave të ndryshëm të financimit për nxitjen e efiçencës së energjisë;
f) Të koordinojë programet e efiçencës së energjisë të financuara nga institucionet ose organizatat ndërkombëtare, mbështetur në marrëveshjet qeveritare;
g) Të bashkëpunojë me institucionet dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare me qëllim përdorimin me efiçencë të energjisë dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis;
gj) Të këshillojë autoritetet e administratës publike vendore, administratorët e ndërtesave publike dhe atyre me destinacion banimi për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të efiçencës së energjisë;
h) Të akreditojë institucionet që kryejnë testet dhe matjet për përmbushjen e standardeve kombëtare të efiçencës së energjisë;
i) Të zhvillojë dhe të koordinojë programet e trajnimit, si dhe verifikimit të stafit me detyrat në fushën e menaxhimit të energjisë;
j) Të këshillojë programet e efiçencës së energjisë të ndërmarra nga vetë konsumatorët;
k) Të mbështetë dhe të këshillojë kryerjen e fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe veprimtarive të tjera edukative lidhur me nxitjen e efiçencës dhe kursimit të energjisë.
l) Të verifikojë dhe të miratojë raportet e hartuara nga një proces i auditimit energjitik.

KAPITULLI VII
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 26
Sanksione

1. Kundërvajtjet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër ose kundërvajtje penale konsiderohen kundëravajtje administrative dhe ndëshkohen nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë, si më poshtë vijon:

a) Çdo shoqëri energjie, e cila nuk raporton sipas përcaktimit të bërë në pikën 3, të nenit 13, të këtij ligji, apo paraqet raporte a të dhëna të falsifikuara, ndëshkohet me një gjobë prej 300 000 deri në 1 000 000 lekësh.
b) Çdo konsumator i madh i energjisë, që nuk raporton siç parashikohet në pikën 5, të nenit 13, të këtij ligji, apo paraqet raporte a të dhëna të falsifikuara, ndëshkohet me një gjobë prej 100 000 lekësh.
c) Çdo konsumator tjetër energjie, që nuk raporton siç parashikohet nga pika 6, e nenit 13, të këtij ligji, apo paraqet raporte a të dhëna të falsifikuara, ndëshkohet me një gjobë prej 50 00 lekësh.
ç) Audituesit energjetik, që nuk përmbushin kërkesat e pikave 3 dhe 5, të nenit 17, ndëshkohen me një gjobë prej 100 000 deri në 500 000 lekësh.

2. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, procesi i ankimit dhe ekzekutimi i vendimeve të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë bëhen në përputhje me ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
3. Të ardhurat nga masat administrative të aplikuara sipas pikës 1, të këtij neni, derdhen në buxhetin e shtetit.

Neni 27
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6, pikat 1 e 4; 7, pika 3; 9, pika 1; 10, pika 4; 13, pika 1; 17, pika 2; 18, pika 6; 19, pika 1; 20 dhe 25, pika 1.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për energjinë, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 8, pikat 1 e 3; 13, pika 8; 14, pika 4; 15, pika 4; 18, pika 5, dhe 21, pika 6.

3. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për ndërtimin, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktet nënligjore në zbatim të nenit 16, pika 8.

Neni 28
Dispozita kalimtare

1. Deri në krijimin e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, ministria është përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga ky ligj.

2. Të drejtat dhe detyrimet ekzistuese të pjesëmarrësve të tregut vazhdojnë të përmbushen nga ana e tyre deri në miratimin e akteve nënligjore, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 29
Shfuqizimi i akteve të tjera

Ligji nr.9379, datë 28.4.2005, “Për efiçencën e energjisë”, dhe çdo dispozitë ligjore, që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohet.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R i

ILIR META

energjia.al 21.08.2015