Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kursimi i energjisë përplas KEK dhe KEDS

KEK-u dhe KEDS-i kanë rënë ndesh me njëri-tjetrin. Zyrtarë të KEDS-it, përmes një komunikate i kanë bërë të ditura arsyet e ndërprerjes së përkohshme të prodhimit në njësinë “B1” në KEK, që do të bëhet, raporton KTV.

“KEDS”-i po ashtu njofton se janë njoftuar nga KEK-u që kjo ndërprerje bëhet me qëllim të riparimit emergjent dhe se njësia pritet të kthehet në prodhim në ditën e mërkurë, më 15 korrik 2015.

Mirëpo, këto të dhëna i ka përgënjeshtruar Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i shërbimeve në KEK.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, janë përfunduar procedurat e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike, me qëllim që kjo ndërprerje të mos ndikojë në furnizimin e rregullt me energji elektrike. Kurse, Nulleshi ka treguar se KEK-u po prodhon mjaftueshëm.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, ka deklaruar se kohëve të fundit ka pasur prishje të paplanifikuara në KEK dhe se KEDS-i ka siguruar import të mjaftueshëm.

“Ashtu siç kemi njoftuar, njësitë në termocentrale, kohëve të fundit ishin subjekt i ndërprerjeve te paplanifikuara të prodhimit dhe edhe në momentin që po flasim, sipas bilancit vjetor energjetik, në Kosovë do të duhej të ishin aktive dy njësi në Kosova B dhe dy njësi në Kosova A në KEK, derisa ende kemi një njësi joaktive: jemi paralajmëruar që njëra njësi në termocentralin Kosova B do t’i nënshtrohet riparimit emergjent. Kjo ka shtyrë që ne edhe gjatë këtyre ditëve të kemi import të energjisë elektrike për ta mbuluar kërkesën për konsum të qytetarëve”, ka thënë Shkodra.

KEDS-i ka apeluar te qytetarët që ta shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale dhe me përgjegjësi, pasi jemi në prag të festës së Bajramit, kur konsumi rritet jashtëzakonisht shumë.

Telegrafi, 14.07.2015