Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Financat zbardhin abuzimin e grosistëve me naftën

Tregtuesit importuan me taksa më të ulëta në fund të 2013-s dhe e shitën në muajt e pare tw 2014-s në tregun vendas me një çmim të rritur, duke shtrenjtuar me 5.5 për qind rritjen e çmimit final të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës në vend
Paralajmërimi i rritjes së taksës së qarkullimit të karburanteve nga 1 janari 2014, u shoqërua me rritje të importeve të karburanteve gjatë muajve tetor-dhjetor 2013 me 146,130 ton nga 118,471 ton që ishte në tetor -dhjetor 2013, pohoi Ministria e Financave në dokumentin e buxhetit faktik 2014 që është për diskutim në Kuvend.
Ministria e financave sqaroi se, kjo solli rritjen e rezerva të brendshme të operatorëve ekonomikë, të cilët e hodhën në treg për shitje sasinë e importuar tepër, në muajt e parë të vitit duke sjellë një ulje të importeve reale gjatë tre muajve të parë të vitit 2014. Gjithashtu, megjithëse kjo sasi karburanti e importuar gjatë muajve të fundit të vitit 2013 me pagimin e taksave të ulëta, u shit në muajt e parë në tregun vendas me një çmim të rritur duke rritur me 5.5 për qind rritjen e çmimit final të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës në vend. Gjatë muajve të mëpasshëm u mbajt ky çmim i rritur dhe vetëm në tetor u reflektua një ulje prej 4.4 për qind e çmimit të shitjes me pakicë si rezultat i uljes së çmimeve të karburanteve në bursat ndërkombëtare.
Gjithashtu tre muajve të fundit të vitit 2014 u vunë në prodhim edhe rafineritë vendase, duke kontribuar me rreth 60 mijë ton karburante në vend, pohon Ministria e Financave.
Rritja e fundit
Kompanitë tregtuese të naftës kanë qenë në vëmendje të opinionit publik dhe muajin e fundit, teksa çmimet e naftës në vend kanë vijuar rritjen, pavarësisht dobësisë së tyre në bursat ndërkombëtare. Çmimet e naftës janë rritur me 17% që nga janari i këtij viti, duke arritur aktualisht në rreth 185-187 lekë për litër, për t’iu afruar me shpejtësi niveleve rekord prej 190 lekësh, që u kuotuan në janar 2014, kur nafta në tregjet ndërkombëtare arriti në 120 dollarë për fuçi. Sot, në bursat ndërkombëtare nafta tregtohet me më pak se 60 dollarë për fuçi dhe pritet të qëndrojë e dobët, sipas parashikimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Revista Monitor,  14.07.2015