Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pezullimi i mundshëm i Bankers

Inspektoriati qendror i mjedisit është duke mbledhur të dhëna në terren për veprimtarinë e kompanisë “Bankers Petroleum”

Burime konfidenciale nga ky institucion, bëjnë të ditur për TV SCAN se, shqyrtimi i dosjes voluminoze përsa i përket shpërthimeve të ndodhura më datë 1 Prill të këtij viti do të përfundojë brenda datës 6 Korrik. Katër ditë më pas, pra më 10 Korrik, Inspektoriati Qendror i Mjedisit do të marrë vendim për penalizimin apo jo të kompanisë dhe lejimin e këtij subjekti privat për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes së naftës në këtë zonë.

Duhet të përmendim se, po ky institucion ka marrë masa penalizuese ndaj kompanisë “Bankers” nëpërmjet vendosjes së gjobës dhe heqjes së lejes të zhvillimit të aktivitetit më datë 27 Shkurt. Arsyeja ka qenë mungesa e zbatimit të një plani për menaxhimin e mbetjes dhe marrjes së masave për mbrojtjen nga aksidentet. Mendohet se është pikërisht neglizhenca nga ana e kompanisë në ndërmarrjen e këtyre masave edhe shkaku kryesor i shkaktimit të shpërthimeve, duke dëmtuar seriozisht 60 familjet në Marinzë.

Kompania “Bankers Petroleum” është subjekti më i madh privat që shfrytëzon burimet naftëmbajtëse në vend. Kompania ka në pronësi pjesën më të madhe të puseve të naftës në fushën e Patos-Marinzës dhe Kuçovës. Në fillim të këtij viti, kjo kompani bëri me dije shkurtimin e planit të investimeve në vend si pasojë e rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, si edhe largoi një numër të konsiderueshëm punonjësish nga puna.

Scan TV, 25.06.2015