Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëri-Gjermani, marrëveshje për efiçencën energjitike

Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane kanë arritur marrëveshjen që mundëson që pala shqiptare të përfitojë nga një fond 40 milion euro për projektin e efiçencës energjetike.

Fondet e projektet do të adresohen për programin për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike. Referuar marrëveshjes së botuar në Fletoren Zyrtare, për të cilën është diskutuar që në vitin 2011, fondi 40 milion euro do t’i akordohet Shqipërisë si hua me kushte të favorshme nga një bankë gjermane.

Kjo kredi akordohet në kuadër të bashkëpunimit publik zhvillimor, nëse pas shqyrtimit përkatës është konstatuar se projekti vlen për t’u mbështetur në kuadër të politikës zhvillimore. Në marrëveshje parashikohen dy opsione, ai i përfitimit direkt nga qeveria nëse projekti do të jetë publik dhe rasti kur projekti është nga privatët dhe qeveria shqiptare merr rolin e garantit për kredinë që akordohet.

Aktualisht në Shqipëri, rrjeti i amortizuar i transmetimit të energjisë elektrike vlerësohet si një ndër shkaktarët kryesorë të humbjeve. Përveç investimeve që po ndërmerren në rrjetin e transmetimit, një projekt që gjithashtu po studiohet me palën gjermane është edhe ai i vendosjes së matësave inteligjentë, që përveç banesave, do të vendosen edhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë për të evidentuar humbjet në rrjet.

Scan TV,  17.06.2015