Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shuhen faturat e energjisë për të prekurit nga përmbytja

Qeveria ka vendosur ti japë zgjidhje çështjes së mos dëmshpërblimit të banorëve të Qarkut të Shkodrës për përmbytjet e shkaktuara në vitet 2010, 2011. Qeveria ka bërë një bilanc të detyrimeve që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura dhe detyrimet që ata i kanë shtetit në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Pra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja dhe detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike. Nga ky rakordim, janë identifikuar 2868 kontrata për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222,416,775 lekë.

Deklaratë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri:

Përshëndetje,

Jam sot para jush për ti bërë të ditur opinionit publik vendimin e marrë nga qeveria për ti dhënë zgjidhje problemit të trashëguar të mos-dëmshpërblimit të banorëve të Qarkut të Shkodrës për përmbytjet e shkaktuara në vitet 2010, 2011.

Siç të gjithë qytetarët e dinë, përmbytjet e këtyre zonave dhe borxhet janë krijuar në periudhën që qeverinë e drejtonte Partia Demokratike, por ne kemi marrë që në fillim zotimin për të gjetur një rrugë zgjidhjeje për këta banorë.

Ecuria pozitive e reformës në sektorin energjitik, rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, na ka krijuar mundësinë që ti japim zgjidhje këtij problemi të lënë zvarrë për shumë vite nga ish-qeveria “Berisha”.

Kemi bërë një bilanc të detyrimeve që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura dhe detyrimet që ata i kanë shtetit në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Pra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja dhe detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike.

Nga ky rakordim, janë identifikuar 2868 kontrata për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222,416,775 lekë.

Thënë më qartë, që të kuptohet nga opinioni publik, nëse shteti ka një borxh ndaj një banori dhe ky i fundit ka gjithashtu një detyrim ndaj OSHEE-së, do të bëhet shuarja me kompensim deri në vlerën më të vogël, sipas shumave tanimë të përcaktuara.

Banorët e prekur nga përmbytja, që sipas këtij vendimi janë në cilësinë e kreditorit, kanë dhënë pëlqimin për këtë shuarje nëpërmjet aplikimit të realizuar në zyrat e OSHEE-së, gjatë procesit të rakordimit të të dhënave.

Në rastin kur detyrimi i energjisë elektrike, që banorët e zonave të përmbytura kanë ndaj OSHEE, është më i madh se detyrimi që shteti u ka atyre, palët janë të detyruara që diferencën e detyrimit të energjisë elektrike ta zgjidhin sipas parashikimeve të kushteve të kontratave të furnizimit me energji elektrike.

Kjo vendimmarrje e qeverisë u vjen në ndihmë këtyre banorëve, të cilët prej vitesh janë lënë mënjanë, pikërisht nga ata të cilët i përmbytën dhe i gënjyen me premtime boshe.

Qeveria e majtë po e mban zotimin e bërë para banorëve të Qarkut të Shkodrës se do të gjente rrugën për dëmshpërblimin e tyre. Zbritja e detyrimit të mbartur të faturave të energjisë deri në vlerën e borxhit që u ka shteti këtyre banorëve është një zgjidhje që lehtëson gjendjen financiare të familjeve të këtyre zonave.

Ju e dini se pavarësisht reshjeve të dendura, për shkak të mirëmenaxhimit të sektorit energjitik dhe në veçanti Kaskadës së Drinit, janë shmangur fenomenet e përmbytjeve në zonat e Shkodrës dhe Lezhës. Ju japim garanci banorëve që ky mirëmenaxhim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo është një garanci shtesë për sezonet që do të vijnë, që këto përmbytje të shmangen.

Faleminderit!

energjia.al  12.09.2015