Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria shtyn ofertat për kërkim nafte në det

Ofertat për kërkimet në tokë janë shtyrë deri më 15 korrik, kurse për kërkimet në det janë pa afat.

Ministria e Energjisë ka vendosur të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do t’u jepen kompanive private për kërkim dhe zhvillim. Përmes një urdhri të posaçëm, ministri i Energjisë, Damian Gjinkuri, ka anuluar dy urdhra të mëparshëm që kishin vendosur si afat për dorëzimin e ofertave, datat 15 dhe 25 qershor, për shtatë blloqe kërkimi në gjithë territorin e vendit, si tokë ashtu dhe det.

Sipas Ministrisë së Energjisë, afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku për pesë zonat e kërkimit në tokë që janë, blloqet 4 dhe 5, blloku C, ai i Panajasë dhe Blloku i Dumresë. Ndërsa për dy zonat e tjera të kërkimit në det që janë blloku i Rodonit dhe “Joni 5”, afati shtyhet në një periudhë të pacaktuar.

Burime nga ministria thanë se shtyrja me një muaj e afatit për pesë blloqet në tokë vjen, pasi disa kompani ndër më të mëdhatë në arenën ndërkombëtare kanë shprehur interes, por kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave. Ndërsa për blloqet e detit afati është shtyrë për të përmirësuar të dhënat sizmike.

Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e “Albpetrol” dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato te privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit, qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.

Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.

Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave.

Por përtej koniunkturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, është takuar me zëvendësndihmëssekretaren për diplomacinë energjetike të SHBA-së, Robin Dunnigan. Ajo konfirmoi interesin e kompanive amerikane për t’u njohur nga afër me potencialet që ofron Shqipëria në fushën e hidrokarbureve. Ministri Gjiknuri falënderoi SHBA-në për ndihmën që ka dhënë në reformën e sektorit energjetik, nëpërmjet programit të USAID-it.

Gazeta Shqip,  08.06.2015