Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në shitje shtatë blloqe nafte

Nisin procedurat për shitjen e shtatë blloqeve të lira të kërkimit për naftë dhe gaz. Me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shpalli dje hapjen e aplikimeve për kompanitë e interesuara. Për zonat 4, 5 dhe në Dumre, koha e dorëzimit të dokumenteve është data 15 qershor 2015, ndërsa dhjetë ditë më vonë, përfundon afati i ofertave edhe për 4 zona të tjera, Joni 5 në det, ajo e Rodonit, Panajasë dhe Bllokut C. Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e Albpetrol dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato te privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara. Pas përfundimit të procesit, marrëveshja me kompaninë e përzgjedhur fituese do të negociohet dhe do të nënshkruhet nga AKBN. Sipas, njoftimit të publikuar nga AKBN, për vlerësimin e ofertave do të ngrihet një grup negociator, i cili do të ketë në përbërje edhe një përfaqësues të Ministrisë së Energjisë. Kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me ligjin për hidrokarburet. Periudha është e ndarë në tri faza, me detyrimet e punës dhe angazhimet financiare për secilën prej tyre. Kontraktori nuk mund të ndjekë fazën e mëvonshme, pa përfundimin e punës së planifikuar dhe shlyerjen e detyrimeve financiare. Në rast të zbulimit të vendburimit të naftës dhe gazit, periudha për zhvillimin e zonës dhe prodhimin do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet më tej sipas ligjit për hidrokarburet. Kontraktori do të ketë të drejtë të marrë dhe të mbajë jashtë vendit të ardhurat nga shitjet e naftës, të eksportojë në masën që është e nevojshme për kompensimin e kostos së monedhës lokale në Shqipëri. Kompanitë e interesuara duhet të paguajnë një bonus, shuma e të cilit është pjesë e negociatave paraprake. Sipas AKBN, nuk ka asnjë tarifë për aplikimin. Sipas ligjit për hidrokarburet, marrëveshja e ndarjes së prodhimit të naftës parashikon rimëkëmbjen e kostove të kontratës nga të ardhurat në zonën e koncesionit ose nga një pjesë proporcionale e saj, gjithashtu përfshin ndarjen mes shtetit dhe kontraktorit të bilancit të naftës së mbetur pas llogaritjes së kostos në përputhje me formulën që përcakton Marrëveshja e Hidrokarbureve.

Ankandi

Në ankand janë zonat 4, 5 dhe Dumreja, blloku 5 në det, zona e Rodonit, Panajaja dhe Blloku C.

Gazeta Shqip, 18.05.2015