Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet: Evazioni, mungojnë 5 mld lekë

Kur qeveria vendosi rritjen me 10 lekë / litër të taksës së qarkullimit nga 17 lekë / litër në 27 lekë / litër, llogariti efektin në të ardhurat e buxhetit rreth 5.6 miliardë lekë, njëkohësisht TVSH-ja shtohej me 1.1 miliardë lekë, për vitin 2015. Ecuria e të ardhurave nga tregu i karburanteve po tregon të kundërtën.

Nafta fundosi të ardhurat e katërmujorit

Në fund të katërmujorit janar – prill 2015, sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, shuma e arkëtuar nga taksat nacionale ranë me 8%. Tatimet arritën të mbledhin 9.019 miliardë lekë, rreth 2.264 miliardë lekë më pak sesa plani. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat nga këto taksa kanë rënë me 823 milionë lekë. Ndikimin kryesor në këtë zë e japin tkurrja e rentës minerare dhe çmimet e naftës. Një zë tjetër që lidhet direkt me karburantet janë të ardhurat nga akciza. Për katërmujorin, akciza ka rënë 3.286 miliardë lekë në raport me planin dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, vlera e arkëtuar është 1.516 miliardë lekë më pak. Nga ana tjetër, mbledhja e TVSH-së, ku hyn edhe pjesa e shitjes me pakicë të karburanteve, ka rënë me 1.071 miliardë lekë, në raport me objektivin buxhetor, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rënia është katastrofike, -3712 miliardë lekë. Nuk mund të japim me saktësi se sa është pjesa e ndikimit të naftës në këta zëra, por mund të kuptojmë tendencën nga shifrat e zhdoganimit. Importi i karburanteve në janar 2015 ishte 18,608 tonë, kurse në janar 2014, zhdoganimi ishte 27,723 tonë; në shkurt 2015, u importuan 27,307 tonë, rreth 4 mijë tonë më pak se një vit më parë; në mars 2015, u zhdoganuan rreth 500 tonë më pak. Nga ana tjetër, ranë eksportet shqiptare të naftës. Sipas kompanisë “Bankers”, Në Patos-Marinëz, prodhimi mesatar i naftës gjatë tre muajve të parë të vitit ishte 19,767 fuçi naftë në ditë (bopd) krahasuar me 20,338 bopd në tremujorin e mëparshëm. Shitjet ishin mesatarisht 20,283 bopd gjatë tremujorit të parë 2015 kundrejt 20,619 gjatë tremujorit të kaluar. Gjatë tremujorit të parë 2015, të ardhurat ishin 72 milionë dollarë (39.66 USD / fuçi) kundrejt 109 milionë dollarë (57.29 USD / fuçi) në tremujorin e mëparshëm dhe 145 milionë dollarë (87.39 USD / fuçi) gjatë tremujorit të parë 2014. Çmimi i naftës së prodhuar përfaqëson 74% të Brent-it (53.94 USD / fuçi) në tremujorin e parë 2015 kundrejt 75% të Brent-it (76.58 USD / fuçi) në tremujorin e kaluar dhe 81% të Brent (108.21 USD / fuçi) në tremujorin e parë 2014. Rënia e çmimit si pjesë e përqindjes ndaj Brent kundrejt tremujorit të parë 2014 është kryesisht si pasojë e shitjeve më të larta të naftës në tregun e brendshëm. Renta minerare paguar qeverisë shqiptare gjatë tremujorit të parë 2015, ishte 10 milionë dollarë kundrejt 16 milionë dollarë gjatë tremujorit të kaluar dhe 22 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2014. Pra, siç del nga këto të dhëna, qeveria i ka mbështetur llogaritë e saj në importet, pa marrë parasysh zhvillimet e tregut të brendshëm.

Kontrabanda dhe evazioni

Qeveria nxiti kontrabandën dhe evazionin me rritjen e taksave dhe lënien hapur të shtigjeve në sistemin tatimor. Kështu, çmimi më i ulët i karburanteve në shtetet kufitare me Shqipërinë do të nxiste tërheqjen e konsumatorëve të mëdhenj, si mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, peshkatoret dhe qytetarët e zonave kufitare. Vetëm pas katër muajve e kuptoi qeveria se plasi kontrabanda me serbatorë e cisterna të vogla në kufi. Para dy ditësh, ministri Cani urdhëroi që të kontrollohen serbatorët dhe cisternat e përshtatura të makinave të transportit që të mos mbajnë më tepër se 200 litra karburant. Urdhri është që mbi këtë sasi të paguhet taksa e akcizës në doganë. Një urdhër tjetër i ministrit Cani lidhet me shitjet pa faturë të karburantit në pikat me pakicë. Vendimi i miratuar nga qeveria shfuqizon “72-orëshin” që u lejohej operatorëve të punonin me kasa të prishura, pra pa regjistruar kuponë tatimorë, që kanë edhe vlerën e TVSH-së së produktit të shitur. Të dy këta urdhra, më tepër se për të ndaluar evazionin, janë për të ushqyer opinionin me idenë se të ardhurat kanë rënë nga këto fenomene. Në fakt, është vetë qeveria shkaktare e problemit. Duke ndjekur skemat e qeverisë “Berisha”, qeveria vazhdon të krijojë territore të lira për kontrabandë nafte, ku më kryesori është sektori i peshkimit. Qeveria përjashtoi nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit anijet e peshkimit. “Bazuar në faktin se ky sektor, me ligj, është i përjashtuar nga pagesa e akcizës prej 37 lekë / litër, përjashtimi nga taksa e qarkullimit dhe karbonit prej 30 lekë / litër, do të çonte në një total të masës së përjashtimit prej 67 lekë / litër. Përjashtimi nga këto taksa për anijet e peshkimit synon formalizimin e shitjeve. Për shkak të kostos së lartë, krahasuar me vendet fqinje, furnizimi i karburantit bëhej të paktën 1 herë në muaj, në këto vende”, deklaronte qeveria në relacionin e paketës fiskale. Sa është formalizuar ky sektor? Sa naftë të përjashtuar ka blerë. Sipas të dhënave, skema nuk funksionon, janë rreth 300 subjekte të paregjistruara dhe vazhdon kontrabanda e naftës nga deti. Kur u miratua Paketa Fiskale 2015, qeveria e argumentoi ngritjen e taksës së qarkullimit si një masë që nuk do të ngrejë çmimin, sepse koniunktura botërore e vlerës së naftës bruto është në ulje. Pra, me arrogancë nuk llogaritet humbja nga eksporti i naftës së prodhuar në vend, por nuk merret parasysh as fakti që kjo naftë do të hidhet në tregun e brendshëm. Jo vetëm kaq, por në të njëjtën kohë u bë zero taksa e naftës bruto të importuar, e cila e ka efektin në buxhetin e shtetit 200-300 milionë lekë në vit. Kështu, në fillim qeveria u shërbeu klientëve të saj, tani do të merret me planin e të ardhurave. Në fund të vitit, do të ngrejë prapë taksën e qarkullimit (që e paguajnë qytetarët).

Dështimi

Skema e Berishës, e futi taksën në çmim

Kalimi i taksës së qarkullimit nga drejtoritë e shërbimeve të transportit rrugor te pikat e karburanteve shënoi evazionin më të madh. Qeveria “Berisha” e justifikoi këtë lëvizje për të vendosur një rregull që kush bën më shumë kilometra me makinën e tij, të paguajë më shumë. Por ky kalim vuri privatin në rolin e agjentit tatimor, që jo gjithmonë e dorëzon të plotë sasinë e mbledhur të kësaj takse (nën varësi të evazionit). Kjo shmangu dy kontrolle mbi këtë taksë: kontrolli teknik i mjetit nuk bëhej pa paguar këtë taksë fikse; kontrolli i policisë së qarkullimit që ushtrohej në rrugë. Nga ana tjetër, me këtë formë pagimi qeveria nuk përballet direkt me taksapaguesit dhe e rrit çdo vit këtë taksë. Këtu shtrohet pyetja, pse vazhdohet me këtë skemë të dështuar? Po të kemi parasysh se si dështuan hetimet e Autoritetit të Konkurrencës për tregun e naftës dhe qëndrimin e qeverisë që mohon se janë rritur çmimet, atëherë e kupton se bosët e naftës e kanë gjetur pazarin edhe me këtë mazhorancë.

Gazeta Shqip, 16.05.2015