Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dy drejtues të FNSh abuzonin me karburantin

Dy drejtues të FNSH-së janë prangosur dje pasdite, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë falsifikuar faturat e dietave dhe shpenzimeve, duke shkaktuar një dëm prej 6 milionë lekësh. Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila njoftoi edhe arrestimin e tyre, Nevila Mamo dhe Genci Reçi kanë abuzuar me fondet e Policisë së Shtetit dhe duke shpërdoruar detyrën, dyshohet se këto para i kanë përfituar për vete.

Arrestimi i shefave

Nga të njëjtat burime mësohet se arrestimi i dy të dyshuarve është kryer nga SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që sqaroi se Nevila Mamo, ishte me detyrë shefe e Logjistikës në Komisariatin e Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë dhe Genci Reçi ka mbajtur më parë detyrën e shefit të shtabit në këtë Komisariat. Arrestimi i tyre u krye si rezultat i një hetimi disamujor nga SHÇBA-ja, Tiranë, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë, në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit të Tiranës. Mamo dhe Reçi akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga nenet 248, 159 dhe 283 të Kodit Penal.

Abuzimet me fondet

Sipas Ministrisë së Brendshme, shtetasit e mësipërm, nëpërmjet mekanizimit të falsifikimit të dokumenteve kanë abuzuar me detyrën, duke shpërdoruar fondet publike për një periudhë 2-vjeçare. Dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit, është mbi 6 milionë lekë të reja. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, për hetime të mëtejshme. Më konkretisht, për sa u përket këtyre abuzimeve, burimet e policisë thanë se bëhet fjalë kryesisht për dietat e punonjësve të FNSH-së, faturat e karburantit apo shërbimeve të tjera operacionale, të cilat kishin të bënin me aksionet apo shërbimet e specialëve. Nga të njëjtat burime të policisë mësohet më tej se linja e abuzimeve kishte të bënte me shërbimet operacionale të grupeve speciale. Në disa raste, kur forcat e FNSH-së lajmëroheshin për të kryer ndonjë aksion dhe me të vërtetë nevojitej prania e tyre, këto shërbime raportoheshin me kosto më të lartë se fatura reale. Abuzimet shtriheshin edhe në rastet e shërbimeve në terren, pra për sa u përket fazave përgatitore të aksioneve, ku Mamo dhe Reçi mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shtonin në fatura shuma më të larta se shpenzimet. Karburantet e mjeteve me të cilat kryheshin këto shërbime ishin një tjetër linjë e abuzimeve. Hetimet ndaj këtyre dy efektivëve të lartë të Policisë së Shtetit kishin nisur prej disa muajsh, ku SHÇBA e policisë dhe Task-Forca e prokurorisë kishin marrë informacion rreth këtyre abuzimeve me fondet, pasi fillimisht ishin raportuar mangësi nga financat e policisë. Më tej, me metoda speciale të hetimit, përgjime, etj., u mundësua faktimi i këtyre akuzave. Sipas Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorisë së Tiranës këto abuzime janë shtrirë në dy vitet e fundit dhe kapin shifrën e 6 milionë lekëve të vjetra.

Gazeta Shqip, 09.05.2015