Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers, prodhimi më i ulët këtë vit

Kompania Bankers Petroleum publikoi sot rezultatet financiare dhe operacionale për tremujorin e parë 2015, sipas të cilit prodhimi mesatar i naftës ka qenë më i ulët se tremujori paraardhës.

Sipas të dhënave të bëra publike:

• Prodhimi mesatar i naftës gjatë tremuajve të parë të vitit ishte 19,767 fuçi naftë në ditë (bopd) krahasuar me 20,338 bopd në tremujorin e mëparshëm dhe 19,911 bopd gjatë tremujorit të parë 2014.
• Shitjet ishin mesatarisht 20,283 bopd gjatë tremujorit të parë 2015 kundrejt 20,619 gjatë tremujorit të kaluar dhe 18,435 bopd në tremujorin e parë 2014. Inventari i naftës bruto në 31 Mars, 2015 u ul në 270,000 fuçi krahasuar me 315,500 fuçi në 31 Dhjetor, 2014.
• Gjatë tremujorit të parë 2015, shpenzimet kapitale ishin 50 milionë dollarë. Kompania shpoi 21 puse gjatë tremujorit, duke përfshirë 20 puse horizontale dhe një pus që u ri-shpua në Patos-Marinëz. Shpenzimet kapitale ishin 72 milionë dollarë gjatë tremujorit të kaluar dhe 60 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2014. Gjatë tremujorit të parë 2015, Bankers reduktoi numrin e sondave aktive nga tre në dy, për t’iu përgjigjur rënies së çmimeve të naftës në bursa.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë tremuajve të parë të vitit, kostot operacionale dhe kostot e shitjeve dhe transportit nga kompanitë me qendër në Shqipëri dhepunonjësit e tyre, ishin 37 milionë dollarë kundrejt 42 milionë dollarë të tremujorit të mëparshëm dhe 31 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2014. Në total, kostot operacionale, të shitjeve dhe transportit u përmirësuan 5% për fuçi kundrejt tremujorit të katërt të mëparshëm, duke përfshirë edhe impaktin 2.55 dollarë për fuçi të taksës së akcizës gjatë tremujorit të parë 2015 kundrejt 3.1 dollarë për fuçi në tremujorin e mëparshëm.

Ndërsa Fitimi operacional në tremujorin e parë 2015 ishte 25 milionë dollarë kundrejt 51 milionë dollarë në tremujorin e mëparshëm dhe 92 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2014.

• Gjatë tremujorit të parë 2015, të ardhurat ishin 72 milionë dollarë (39.66 USD/fuçi) kundrejt 109 milionë dollarë (57.29 USD/fuçi) në tremujorin e mëparshëm dhe 145 milionë dollarë (87.39 USD/fuçi) gjatë tremujorit të parë 2014. Çmimi i naftës së prodhuar përfaqëson 74% të Brent-it (53.94 USD/fuçi) në tremujorin e parë 2015 kundrejt 75% të Brent-it (76.58 USD/fuçi) në tremujorin e kaluar dhe 81% të Brent (108.21 USD/fuçi) në tremujorin e parë 2014. Rënia e çmimit si pjesë e përqindjes ndaj Brent kundrejt tremujorit të parë 2014 është kryesisht si pasojë e shitjeve më të larta të naftës në tregun e brendshëm.
• Renta minerare paguar Qeverisë Shqiptare dhe institucioneve të varësisë gjatë tremujorit të parë 2015 ishte 10 milionë dollarë (14% e të ardhurave) kundrejt 16 milionë dollarë (15$ e të ardhurave) gjatë tremujorit të kaluar dhe 22 milionë dollarë (15% e të ardhurave) gjatë tremujorit të parë 2014.
• Të ardhurat e gjeneruara nga operacionet ishin 25 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2015 kundrejt 23 milionë dollarë gjatë tremujorit të kaluar dhe 83 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë 2014.
• Kompania vijon të mbajë një pozicion të fortë financiar me likuiditete prej 58 milionë dollarë dhe kapital aktiv prej 174 milionë dollarë. Deri në 31 Mars 2015, kompania kishte tërhequr 111 milionë dollarë nga fondi i saj i kredisë prej 224 milionë dollarë. Kapitali aktiv deri në 31 Dhjetor 2014 ishte 201 milionë dollarë ndërsa deri në 31 Mars 2014 ishte 160 milionë dollarë.

Parashikimi

Kompania vijon të zbatojë strategjinë e saj të bazuar në tre shtylla për të patur kosto të ulët të shpimit të puseve horizontale përmes programit të shpimit primar, duke përmirësuar marzhin e prodhimit përmes përmirësimit dhe përshpejtimit të Programit të Rritjes së Prodhimit (EOR). Në tremujorin e dytë 2015, prodhimi mesatar i naftës deri më sot nga fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës dhe e Kuçovës është 19.700 bopd, në vijueshmëri me mesataren e tremujorit të parë prej 19.767 bopd. Bankers planifikon të shpojë 11 puse horizontalë gjatë tremujorit të dytë 2015; nëntë (9) puse horizontale në fushën e Patos-Marinzës, një (1) pus horizontal në Kuçovë dhe një (1) pus horizontal për depozitimin e ujit. Projektet e instalimeve dhe infrastrukturës për tremujorin e dytë përfshijnë zhvillimin e konstruksioneve të sistemit të tubacioneve në pjesën Veriore që janë programuar për t’u përfunduar në tremujorin e tretë, instalimin e pajisjes për grumbullimin e avujve dhe sistemit të shpërndarjes të grumbullimit dhe përdorimit të gazit shoqërues. Bankers do të vazhdojë të zgjerojë programin e injektimit të polimerit dhe ujit me konvertimin e katër (4) puseve të planifikuara në tremujorin e dytë. Shumica e konvertimeve të 2015-ës janë planifikuar për gjysmën e dytë të vitit, pas instalimit të pajisjeve.

Çlirimi i Dioksidit të Karbonit- Rehabilitimi dhe Parandalimi

Në lidhje me incidentin e çlirimit të dioksidit të karbonit të ndodhur në 1 Prill 2015 gjatë shpimit të një pusi horizontal, Bankers është fokusuar në dy objektiva kryesorë.
Së pari, të koordinohet me zyrtarët e komunitetit lokal për të rehabilituar zonat e dëmtuara dhe për të kthyer banorët në jetën e tyre normale përmes punëve rehabilituese dhe kompensimit të çdo dëmi.
Së dyti, Bankers ka ndërmarrë një vlerësim teknik të praktikave të shpimit për të garantuar që kjo mos të ndodhë më në të ardhmen. Bankers operon me standarde operacionale dhe të sigurisë të standardeve ndërkombëtare; prioriteti ynë kryesor është shëndeti dhe siguria e punonjësve tanë dhe e banorëve të komunitetit ku ne operojmë.

Revista Monitor,  07.05.2015