Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Ligji i ri thellon reformën në energji

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në seancën plenare ku u diskutua Projektligji i ri mbi Sektorin e Energjisë Elektrike:

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Është kënaqësi e madhe për mua që të paraqes përpara seancës projektligjin më të rëndësishëm për sektorin e energjisë elektrike, ligjin kuadër, i cili do të shërbejë si themeli i reformave të ardhshme. Ky ligj është përgatitur me asistencë të plotë të institucioneve ndërkombëtare, me një pjesëmarrje tepër intensive të Bashkimit Evropian nëpërmjet Komunitetit të Energjisë i cili e ka mbikëqyrur në mënyrë të imtë të gjithë këtë proces. Një ligj që ka marrë mbështetjen e Bankës Botërore dhe të agjencive të tjera të asistencës që janë të përfshira në sektorin e energjisë elektrike.

Nuk dua të lë pa përmendur punën e mirë që është bërë dhe bashkëpunimin me grupet e interesit për miratimin e këtij projektligji. Më jepet rasti të falënderoj si përfaqësuesit e maxhorancës, por mbi të gjitha edhe përfaqësuesit e opozitës, për bashkëpunimin shumë profesional që kanë bërë në komisionin përgjegjës të Veprimtarive Prodhuese. Sa i takon këtij projektligji, për herë të parë konstatoj se përfshirja e komisionit ka qenë jo vetëm në konsultimin me të gjitha grupet e interesit për mbi 3 muaj, por edhe me institucionet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e institucioneve partnere ndërkombëtare kanë ardhur dhe kanë punuar me ekspertët e komisionit, jashtë vëmendjes së qeverisë, në mënyrë që të sqaroheshin të gjithë përfaqësuesit.

Ky projektligj, duhet thënë se vjen pas një sërë masash dhe hapash që janë bërë që nga momenti kur sektori energjetik u gjet në kolaps të plotë me mbi 1.1 miliard dollar borxhe. Trashëguam një sektor që nuk kontrollohej as nga pikëpamja e pronësisë nga ana e shtetit, referuar sektorit të shpërndarjes për të cilin kishte një konflikt të hapur ligjor. Energjetika kishte bllokuar totalisht Buxhetin e Shtetit, duke e kthyer sektorin energjetik jo në shtysë zhvillimi, por një pengesë e vërtetë për të gjithë zhvillimin ekonomik, një kërcënim real për stabilitetin financiar të shtetit.

Për shkak të kësaj situate, qeveria shqiptare hyri në një marrëdhënie me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që hap pas hapi të çlironte Buxhetin e Shtetit nga ekspozimi që kishte sektori elektroenergjetik. Një ekspozim që e kishte kthyer në një gropë thithëse e vazhdueshme e financave publike për të mbajtur dritat ndezur.

Përpara se të shkojmë tek ky ligj është mirë të themi disa arritje konkrete. Çfarë u bë në këtë periudhë? Së pari, u mor kontrolli mbi shpërndarjen, që shteti të kishte në kontroll asetet e tij duke u hapur rrugën financimeve. Për shkak të zgjidhjes së asaj mosmarrëveshje u bë i mundur çlirimi i financimeve për sektorin elektroenergjetik. Sot që flasim, me marrëveshje të negociuara, përfshirë edhe fondet e vet korporatave, deri në vitin 2020 janë të garantuara 420 milion dollar. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë në sektorin e shpërndarjes. Ka qenë sektori më pak performues, kontribuesi negativ më i madh për likuiditetin e sektorit dhe patjetër që kjo do të ishte pika kyçe, në mënyrë që Shqipëria të ketë garanci, që ky sektor të sigurojë furnizim të qëndrueshëm, por mbi të gjitha të jetë edhe një makinë për thithjen e investimeve në këtë sektor.

Nga ana tjetër, përveç kredisë 150 milion dollar është edhe një linjë tjetër financimesh që e presin këtë sektor. Po ashtu, me ato mundësi të pakta që ishin në dispozicion u  investua për blerjen e 50 mijë matëseve, në mënyrë që të adresohej ai problem themelor i mungesës së matësve në shumë konsumatorë. Duhet të pranojmë se nisur nga gjendja që u trashëgua, akoma ka shumë konsumatorë pa matësa. Obligimi dhe synimi ynë është që deri në fund të këtij viti dhe fillim të vitit tjetër, asnjë konsumator shqiptar të mos jetë pa matës të energjisë elektrike. Jemi drejt këtij procesi edhe nëpërmjet Bankës Botërore, për pajisjen e të gjithë qytetarëve dhe konsumatorëve me matësa.

Janë shumë të qarta rezultatet pozitive që kanë ardhur për shkak të masave dhe mirëmenaxhimit, mbledhjes së borxheve, ashpërsimit të masave penale ndaj vjedhësve të energjisë. Morëm një sektor ku shpërndarja kishte 122 miliard lekë borxh të ekspozuar, tani borxhi ka zbritur në 95 miliard lekë, vetëm pas masave të vitit të fundit.

Detyrimet e Operatorit të Shpërndarjes ndaj të tretëve nga 116 miliard lekë kanë vajtur në 96 miliard. Akoma janë shumë, por po të shikoni progresin ai është shumë i lartë. Janë pastruar 12.4 miliard lekë mes institucioneve, do të thotë janë shlyer borxhe të ndërsjellta që mbanin peng këtej e tutje në vazhdim sektorin e shpërndarjes duke mos mbledhur likuiditetin e nevojshëm. Duhet të kuptohet nga të gjithë, sektori energjetik mbahet në këmbë kur ka pagesa, kur njerëzit e paguajnë energjinë elektrike, kur këto para mblidhen. Vetëm nëpërmjet kësaj paraje do të bëjmë të mundur që të kemi një rrjet që mban energji, që të kemi sahate për qytetarët, të bëhet e mundur që të kemi investime të reja në sektorin e energjisë elektrike. E gjitha kjo, në mënyrë që Shqipëria pak nga pak të ulë varësinë e saj nga importi, siç po e bën aktualisht, por njëkohësisht këto investime të jenë të garantuara. Vetëm një disiplinë e fortë financiare e këtij sektori do të japë shpresë dhe nuk ka asnjë mrekulli tjetër.

Janë mjaft të rëndësishme shifrat e arkëtimeve, ulja e humbjeve, ulja e konsumit të energjisë elektrike, për shkak se shumë qytetarë nuk paguanin dhe konsumin e kishin totalisht jashtë kontrollit. Është ulur me 10% konsumi i energjisë elektrike dhe ky është një nga indikatorët jashtëzakonisht të mirë të suksesit. Është rritur 13% energjia e faturuar dhe kjo do të thotë reduktim i atyre që në mënyrë informale merrnin energji elektrike dhe nuk figuronin as në kontrata, e vidhin atë dhe kjo ishte një energji e shkuar dëm. Sot që flasim, jemi në një nivel humbjesh jo më shumë se 32% që është një nivel shumë i mirë, nisur nga si u morr mbi 45% gati një vit e gjysmë më pare. Padyshim, ne nuk jemi të kënaqur me këtë dhe në një program të plotë me Bankën Botërore, kemi vënë synim reduktimin me një mesatare vjetore prej 5%  të humbjeve. Në këtë formë do të mundet që në vitin 2018, humbjet të jenë në parametra të pranueshëm e të përballueshme.

Që sektori të mos vuajë nga pikëpamja e likuiditetit kërkon patjetër investime. Të gjitha këto para të mbledhura shkojnë drejtpërdrejtë në investime, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, për të siguruar furnizimin me energji elektrike dhe patjetër ky është përfitimi final i konsumatorit.

Një reformë tjetër shumë e rëndësishme që u zhvillua përpara se të kalonim tek ky projektligj ishte unifikimi i tarifave. Reformë e guximshme, e kritikueshme nga disa, por realiteti po tregon se qe vendimi i duhur. Mjafton t’iu citoj disa shifra që tashmë janë bërë zyrtare dhe do të shikojmë se për shkak të hilesë që bënin shumë njerëz me sistemin me dy tarifa që stimulonte informalitetin me energjinë elektrike, kishim ato të dhëna të frikshme. Dukej sikur pjesa më e madhe e shqiptarëve konsumonin më pak se 300 kilovat. Çfarë tregojnë të dhënat e fundit në unifikimin e tarifës?! Tregojnë se 71.5% e konsumit dhe 71.5% e faturave të lëshuara i përkasin kategorisë mbi 300 kilovat. Do të thotë se unifikimi i tarifave filloi të nxjerrë në pah edhe informalitetin shumë të theksuar që trashëgonte ky sektor. Pse? Sepse njerëzit, duke pasur vetëm një tarifë, kanë mundësi që ta normojnë më mirë energjinë elektrike. Shteti ka një detyrë, dhe në fund të fundit edhe ky projektligj këtë sanksionon përfundimisht: mbron shtresat në nevojë.

Konsumatorët të cilët janë me vulnerabilitet ekonomik, patjetër do të mbrohen nga shteti dhe skema për subvencionimin e energjisë elektrike do të vazhdojë të funksionojë, për të të gjitha ato familje. Janë mbi 210 mijë familje të cilat kategorizohen si konsumatorë në nevojë, skema po ecën shumë mirë dhe do të vazhdojë.

Nëse këto që unë po them duken thjesht si qasje politike, dua të ju citoj dy-tre konsiderata shumë objektive të institucioneve ndërkombëtare për ecurinë e reformës në sektorin e energjisë elektrike. Fondi Monetar e ka thënë qartë se reforma në sektorin e energjisë është në rrugën e duhur, vjedhja e energjisë po reduktohet, të ardhurat po rriten, tarifat janë axhustuar dhe kompanitë publike po reformohen. Banka Botërore thotë se për shkak të masave është me rëndësi që të gjithë konsumatorët po paguajnë të njëjtën tarifë të arsyeshme dhe qeveria ka vënë në jetë një skemë funksionale për mbrojtjen e familjeve të varfra.

Komisioni Evropian nëpërmjet Komitetit të Energjisë vlerëson se hapat e marra në muajt e fundit, veçanërisht në reformat e axhustimit të tarifave, mbledhja e faturave të energjisë, ulja e humbjeve kanë qenë shumë pozitive. Ato nuk sjellin vetëm të mirën për shtimin e likuiditetit në sektor, por për kryerjen e investimeve shumë urgjente që do ti japin efektet edhe  në të gjithë sektorët e tjerë.

Këto janë konsideratat e institucioneve më me reputacion të cilat gjykojnë performancën financiare dhe teknike të sektorit elektoenergjetik. Këto janë gjëra që nuk mund të mohohen, pavarësisht se ka qenë një punë e vështirë dhe me pengesa. Duhet ta kuptojmë se përtej dëshirave politike, çështjet e reformës në energji duhet të jenë objekt i një konsensusi të gjerë, jo vetëm të luajmë e spekulojmë për shkak të arsyeve politike apo populizmit të çastit. Energjia është diçka që i duhet shoqërisë shqiptare, i duhet zhvillimit ekonomik, do ti shërbejë kësaj qeverie e cilësdo qeveri që do të vijë në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme që të futet në parametra të pranueshëm, të ketë disiplinë financiare, të ketë reforma me mbështetje të gjerë.

Hartimi i këtij ligji, dua ta theksoj me kontributin e opozitës, i ka shërbyer pasurimit të tij me të gjithë elementët e nevojshëm.  Çfarë synon ky projektligj? Ai lidh ngushtë reformën e ndërmarrë në sektorin elektroenergjetik dhe përgjegjësitë që ka Shqipëria si një vend anëtar i Komunitetit të Energjisë dhe kandidat për Bashkimin Evropian. Dua të ndalem në disa shtylla kryesore të këtij projektligji.

Së pari parashikohet ndarja ligjërisht, funksionalisht dhe financiarisht e kompanive që administrojnë sistemin e transmetimit dhe të shpërndarjes, të cilat janë edhe monopol natyror, nga dy aktivitetet e tjera të sektorit, atë të gjenerimit dhe furnizimit si aktivitete të liberalizuara dhe konkurruese.

KESH sh.a. do të fokusohet vetëm në veprimtaritë që lidhen me prodhimin e energjisë elektrike, duke garantuar përmbushjen e detyrimit të shërbimit publik që do t’i caktohen sipas parashikimeve ligjore, mirëmbajtjen e aseteve të prodhimit nën administrimin e shoqërisë dhe sigurisë së veprave.

Në kapitullin e dytë parashikohen dispozita të përgjithshme mbi sistemin elektroenergjitik. Sanksionohet miratimi dhe publikimi nga Këshilli i Ministrave i rregullave dhe kritereve teknike minimale të nevojshme për projektimin dhe operimin e lidhjeve me sistemin elektrik të njësive të prodhimit, sistemit të transmetimit, shpërndarjes, pajisjeve të klientëve të lidhur direkt, të interkonektorëve dhe të linjave direkte si dhe procedurat e autorizimit dhe tenderimit për kapacitetet e reja prodhuese.

Caktohet detyrimi i përgjithshëm i operatorëve të shpërndarjes dhe transmetimit për sigurimin e lidhjes me sistemin mbi terma dhe kushte jo diskriminuese. Parashikohet ndarja e pronësisë së Operatorit të Sistemit të Transmetimit nga çdo subjekt që ushtron kontroll direkt apo të tërthortë ndaj veprimtarive të prodhimit apo furnizimit duke filluar nga 1 janari i 2016.

Ligji përcakton prokurimin në tregun e parregulluar të humbjeve të energjisë në rrjetin e transmetimit, shërbimet e balancimit dhe shërbimet ndihmëse; organizimin dhe funksionimin e Operatorit të Tregut dhe kryerjen e veprimtarive të shpërndarjes nga disa subjekte, nëse një gjë e tillë do të rezultonte efektive.

Kapitulli i tretë ka rëndësi themelore dhe ka të bëjë me organizimin dhe funksionimin e Entit Rregullator të Energjisë. Projektligji kërkon një rregullator të fortë nga pikëpamja e rritjes së kapaciteteve të institucionit, dhe plotësisht të pavarur, që do të ketë kompetenca dhe autoritet të plotë në rregullimin e sektorit të energjisë, në veçanti në dritën e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Projektligji i hap rrugë liberalizimit, duke filluar nga viti 2016 me konsumatorët e lidhur në tensionin 35 kV, për të vazhduar me konsumatorët e lidhur në 20 kV dhe pastaj më tutje me konsumatorët e lidhur në 10 dhe 6 kV. Të gjitha këto do të bëjnë të mundur që Shqipëria të fillojë të ketë një platformë tregu të sajën, të ketë një treg relativisht të liberalizuar duke synuar në fund të fundit liberalizimin e plotë. Pse ka rëndësi kjo? Vërtet kjo do punë dhe nuk është një objektiv i lehtë për tu arritur. Me të drejtë edhe nga përfaqësues të opozitës është ngritur shqetësimi se a do të jemi ne në gjendje për ta realizuar brenda afateve që i kemi dhënë vetes! Unë them se kjo është një sfidë. Është një sfidë që shkon në drejtimin e duhur sepse vetëm liberalizimi i tregut do të krijojë mundësi më të mira edhe për përfitime nga pikëpamja e konsumatorit.

A do të kemi mundësi që të mbrohemi për çmimet e energjisë elektrike? Një treg i liberalizuar do të krijojë kërkesë nga industritë dhe kjo do të nxisë edhe prodhimin privat. Shumë kontrata që janë deri tani të garantuara nga shteti apo nga KESH-i nëpërmjet atij ligji që është bërë më përpara, do të kenë mundësi të shesin në një treg të liberalizuar.

Nga ana tjetër, shumë potenciale ujore të Shqipërisë do të vihen në dispozicion për prodhimin e energjisë sepse prodhimi i energjisë në vend po rritet. Ka investime, ka akoma kërkesa për investime të reja por të gjitha këto kanë një pyetje, a ka treg? Liberalizimi do të krijojë tregun e nevojshëm për një pjesë dhe do të garantojë likuiditetet.

Me të drejtë, çfarë do të ndodhë me qytetarët shqiptarë në perspektivë? Edhe kjo e ka një përgjigje. Përgjigja është se ato asete të shtrenjta, të trashëguara nga regjimi i kaluar do të mund të shërbejnë vetëm për atë pjesë të klientëve të rregulluar të qytetarëve shqiptarë. Do të mund të shërbejnë si të vetmit amortizues, zbutës, që tarifat për familjarë të jenë në kushte të pranueshme. Njëkohësisht, do të krijohet mundësia për përmirësimin e shërbimit të furnizimit nëpërmjet përmirësimit të Operatorit të Shpërndarjes. Në koston e energjisë, një pjesë të mirë e zënë humbjet e energjisë në sektorin e shpërndarjes dhe humbjet që ka rrjeti.

Këto investime do të ngrenë mundësinë e rrjetit, i cili nga ana teknike do të jetë shumë më i aftë dhe asetet e çmuara që i kemi trashëguar do të shërbejnë për amortizimin e tarifave për konsumatorët.

Për pjesën tjetër që ka të bëjë me industrinë do të jenë të ekspozuar në çmimet e tregut. Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria ka dy-tre avantazhe dhe nuk ka pse të na trembë e ardhmja. Ne po investojmë në interkonjeksion dhe unë them se deri në vitin 2020, Shqipëria do të jetë e lidhur me të gjitha vendet fqinje. Kjo do të thotë se opsionet për tregti, marrjet dhe dhëniet e energjisë elektrike do të jenë të hapura.

Shqipëria po i zhvillon burimet e brendshme dhe do ti zhvillojë më shumë, me kontrata të studiuara dhe me kërkesa të reja koncesionare. Por, kontratat do të jenë të bazuara mbi rregulla tregu, jo vetëm me garanci shtetërore për blerjen e energjisë, të cilat ju e dini shumë mirë që krijuan edhe atë hendekun e madh të borxheve të trashëguara nga hidrocentralet private. Falë reformave të ndërmarra dhe efektit të tyre pozitiv, ne kemi shlyer mbi 70% të borxheve dhe deri në qershor, siç kemi marrë angazhim do të shlyhet 100% detyrimi ndaj HEC-eve private. Ndërkohë, duke filluar nga vitit 2015, të gjitha faturat e HEC-eve private, faturat korente kanë qenë të mbuluara.

Do të ketë mundësi edhe që industritë shqiptare, të ekspozuara në çmime të liberalizuara të marrin një furnizim të qëndrueshëm me tarifa konkurruese. Ndaj, të gjitha këto masa dhe kjo reformë e mbështetur në këtë ligj do të çojë në këtë drejtim.

Shqipërisë, perspektiva i duhet që të miksojë energjinë e saj, jo vetëm me ujin, sepse është vulnerabël nga kushtet e motit, por i duhen edhe burime të tjera. Korporata Elektroenergjitike është i vetmi aset kombëtar me vlerën më të madhe, një nga asetet më të mira në të gjithë Evropën juglindore. Lehtësimi i korporatës do të shërbejë si muskuli që do të mund të miksojë energjinë në Shqipëri.

Këtu kam parasysh edhe proceset e gazit, për të cilat Shqipëria nuk po rri indiferente por po punon me BE-në dhe me aktorë të tjerë për gazifikimin e vendit. Vërtet janë hapat e para, por janë hapa që po shkojnë në drejtimin e duhur. Ky ligj e krijon këtë shtrat.

Përsa i përket konsumatorëve dua të them se ky ligj i mbron, jo vetëm konsumatorët në nevojë, por siguron barazi mbi çdo konsumatorë dhe jo diskriminim. Edhe vjedhja në vetvete ishte një diskriminim. Pse? Një pjesë e caktuar, për arsye politike apo për arsye të tjera, nuk paguante dhe patjetër që këtu kishim të bënim me një diskriminim.

Ka patur diskutime në lidhje me disa dispozita që mund të kenë krijuar sensibilitet, por janë përmirësuar në diskutimet në Komisionin e Ligjeve dhe në komisione të tjera përgjegjëse. Përsa i përket instrumentit të ekzekutimit të kredisë mbi asetet e konsumatorëve borxhli. Dua të theksoj një gjë; bëhet fjalë për një vlerë për familjarët mbi 300 mijë lekë, do të thotë mbi 3 milion lekë të vjetra. Pra, një familje e varfër që mund të konsumojë 3500 lekë apo diçka më shumë energji në muaj, të akumulonte borxhe për mbi dy vite. Edhe këtu jepet mundësia, nuk kemi të bëjmë me ekzekutim direkt mbi banesën. Është keqkuptuar dhe duhet të jetë e qartë, kemi të bëjmë me ata njerëz që kanë asete dhe pjesa më shqetësuese janë konsumatorët tregtarë.

Ata që kanë patur pika karburanti, dyqane, magazina dhe kanë qenë manovrues duke ja kaluar gjoja me kontratë objektin e tyre vëllait apo të afërmeve, thonin nuk kam më punë unë se është konsumator tjetër. Dilte dikush tjetër dhe thoshte e kam transferuar objektin dhe borxhet e mëdha që ishin mbi ato objekte, askush nuk i merrte përsipër.

Ju e dini shumë mire, në të gjithë botën edhe për pagesat e jetesës në komunitet, nëse nuk janë të përfshira dhe familjarët nuk kontribuojnë, objektet e pronësisë vihen me barrë hipotekore. Këtu kemi të bëjmë me barrën hipotekore. Shumë e thjeshtë, në qoftë se ti nesër do të shesësh këtë pronë paguaj njëherë borxhet e energjisë elektrike, pastaj dil në treg dhe shite. Në qoftë se ti ke marrëdhënie me një qiraxhi, merr masa të duhura në kontratë, ashtu siç siguron parapagimin për qiranë dhe siguron para të nevojshme për të mbrojtur interesat e asetit tënd, duhet ta sigurosh edhe për energjinë elektrike.

Energjia i lidhet një objekti fiks të caktuar dhe nuk është një gjë që e merr njeriu me vete kur ndryshon banesën apo kur ndryshon objektin tregtar. Qytetarëve edhe me propozime të Komisionit të Ligjeve i janë siguruar masa mbrojtëse shtesë me dy shkallë ankimi në korporatë edhe në ente të tjera, në mënyrë që ky proces të jetë shumë i kujdesshëm dhe të mos prekë njerëz që normalisht nuk duhet të preken.

Të gjitha këto masa janë të përcaktuara dhe duhet ta dini që këto instrumente ekzistojnë edhe në legjislacionin për procedurat tatimore. Me të drejtë mund të thuhet pse i barazoni tatimet me energjinë elektrike? Sepse ashtu siç janë tatimet oksigjeni për të mbajtur një vend, energjia elektrike për mënyrën se si është zhvilluar sektori elektroenergjetik është i lidhur direkt me Buxhetin. Mos mbarëvajtja e atij sektori, automatikisht shkon në cënimin e Buxhetit të Shtetit dhe mungesën e investimeve në rrugë, shkolla e shumë sektorë të tjerë. Prandaj, disiplina është e lidhur direkt me këto elementë, pasi furnizimi me energji elektrike është element jetik dhe ndaj është i rregulluar. Ndryshe do të ishte si çdo energji tjetër, si karburantet që edhe ato energji janë por janë të parregulluara. Disiplina në atë sektor patjetër është e lidhur edhe me instrumentet e ekzekutimit të detyrimeve ndaj njerëzve që nuk paguajnë.

Ky ligj hedh shtratin e nevojshëm që të gjitha këto reforma të të ndërmarra të ecin përpara. Të dhënat tregojnë se sektori ka performancë më të mirë, financiarisht po e merr veten, po siguron likuiditet për investitorët, po siguron furnizim më të mirë për qytetarët megjithë vështirësitë teknike. Të mos harrojmë se kemi një rrjet në të cilin për shumë e shumë vite nuk është investuar dhe vetëm përmirësimi do të sjellë investime. Mbi të gjitha, po hap rrugën e strategjisë më të gjatë për zhvillimin e sektorit energjetik në tërësi në Shqipëri, duke krijuar mundësinë edhe të miksit energjetik.

Unë besoj se ky projektligj do të gjejë mbështetjen e të gjithëve, pasi rezultatet në reformën energjetike janë duke u parë, janë duke u mbështetur, janë duke e përshëndetur nga të gjithë. Ky është vetëm fillimi. Është një proces i gjatë dhe unë vërtet do të dëshiroja që ai konsensus i mirë që u dha në komisionet përkatëse, sidomos në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, të demonstrohej edhe këtu duke mos spekuluar politikisht si herët e tjera.

Ju faleminderit!

energjia.al  23.04.2015