Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Naftë dhe helm në Marinzë

REPORTAZH/ Një kontratë e nënshkruar vite më parë nga qeveria shqiptare i ka dhënë mundësinë kompanisë së suaj “Bankers Petroleum” të shfrytëzonte në Marinzë naftën tonë. Kanadezët, përfolur shpesh për parregullsi në shfrytëzimin e nëntokës sonë, shpërthimi i pak ditëve më parë i ka nxjerrë edhe njëherë hapur me problematikën e tyre: pakujdesinë ndaj banorëve, por më shumë se kaq shfrytëzimin pakriter të vendburimit shqiptar të naftës. “I habitshëm” ka qenë reagimi i zbutur i qeverisë shqiptare, që është sensibilizuar vetëm pas katastrofës së shtëpive dhe rëndimit të problemeve shëndetësore me banorët, që duhet thënë se ky vendburim ua ka shkurtuar jetën…

Fshatarë, bjerraditës, fëmijë, gazetarë, makina, përfaqësues agjencish të ndryshme, zyrtarë, pleq, gra, polici private, deputetë etj. Kjo është mizanskena e të ashtuquajturit shesh kryesor të Marinzës, që përfaqësohet vetëm me një rrugë. Flasin. Nuk ka kryefjalë. As kallëzues. Flasin të gjithë. Si t’u vijë. Shajnë. Përflasin. Ankohen. Qeshin. Ikin. Rikthehen…Një javë më parë, një fontanë e pallogaritur ka nxjerrë gaz dhe naftë në natyrë, duke shkaktuar një katastrofë, që ka nxjerrë një mal problemesh. Së pari, kontratën jo të mirë të shtetit shqiptar me kompaninë shfrytëzuese kanadeze “Bankers Petroleum”; së dyti mosmarrjen parasysh të problematikës së këtyre njerëzve të Marinzës, që ndër vite janë ankuar për shëndetin, ndërsa shtëpitë u janë kthyer në të pabanueshme…

“Doja të jepja gjak për një të afërmin tim në Greqi, por kur doli analiza ime e gjakut, jo vetëm që s’më pranuan si dhurues, por më dhanë edhe një shënim të mos qëndroja fare në vend…”. Pse, e pyesim naivisht, pasi është hera e parë në diskursin e gjatë mes një grupi burrash, që ai po flet thjesht dhe qartë. “Sepse kam karbon në gjak, s’e kupton. Sepse babai im vdiq nga kanceri në mushkëri, ashtu si vdesin pjesa më e madhe këtu”. Biseda bëhet në një Mercedes të tipit të vjetër, ku burri i ri na merr të na e rrëfejë historinë, që nga fillimi i katastrofave në këtë vend. Nesti Nushi, 39 vjeçar është ‘i pushtetshëm’ në gjirin e fshatarëve dhe arsyeja, sipas tij, është se i ndjeri, i ati, ka drejtuar një grevë shumë e shumë kohë më parë. Banorët, sidomos gratë nuk e fshehin frikën prej të ardhmes, veç adoleshentëve që kjo u jep pak motiv të tregojnë se janë interesantë. Por, policët e shfryjnë të gjithën teksa s’i lenë të afrohen…

Shpërthimi dhe banorët

Në njërën gropë syresh, që shikojmë, ka bulëzim uji prej poshtë, kurse shtëpitë pranë vazhdojnë të jenë plot njerëz. Evakuimi ka qenë i pjesshëm dhe operacioni i menjëhershëm i kompanisë s’ia ka dalë dot. Një nga shiritat plastikë, që rrethon rrugën, ku gjenden gropat, është shmangur dhe kjo e bën një banor t’u kthehet me britma gazetarëve, të rinjve dhe kujtdo. Pusi këtu është një nga ato 11 syresh, që u shpua në një proces normal, sipas Bankers, por që pati një ngritje anormale më pas. Gjithçka ndodhi për 20 minuta, kur shpërthimi plasi papandehur. Anipse, plani i evaukuimit u bë menjëherë!!! “Zakonisht në pus shpërthen alarmi kur gazi që çlirohet është H2S, helmues dhe mbi një përqindje të caktuar. Asnjë alarm nuk u aktivizua, ne bëmë matje gazi ishte CO2 dioksid karboni. Nuk klasifikohet si gaz toksik.

Ky është një fat i madh, ishte fontanë me gaz karbonik”, u munduan të zbusin zyrtarët e Bankers. Por në terren mbeti tymi dhe era e keqe e gazit. Kurse ujërat e zeza u përzjenë me pjesën tjetër dhe ndotën banesat. Në një studim të viteve më parë nga BE-ja për mjedisin, disa parametra ekologjikë qëndronin tejet kuotave të lejuara. Disa përbërje të H2S dhe elementë të tjerë nga i njëjti raport, shkaktojnë direkt kancerin e gjirit, i cili në këtë vend ka parametra vërtetë më të lartë mbi mesataren. Ndaj, kur mendon se vetëm në komunën Zharrës janë gati 583 puse nafte atëherë çmeritesh. Për të 10.000 banorët e komunës, mësuar me këtë realitet, shpërthimi i fundit thjesht ka qenë prova e protestës së tyre. Për ne si të huaj, kjo zonë edhe sikur të neutralizohet nga problemi i shpërthimeve, ka një problem edhe më të vështirë që lidhet me erën që çlirohet dhe që në Marinzë ka vite që jetesa është e pamundur të bëhet normalisht.

Reagimi

Vetëm se jo-normale në gjithë historinë e fundit ka qenë indiferenca e shtetit dhe reagimi i vakët. I vetëm, deputeti i PS-së, Erion Braçe dhe kolegu i tij Besnik Bare reaguan. I pari akuzoi direkt Ministrinë e Energjisë për heshtje në lidhje me shpërthimet dhe situatën në fshatin Marinzë, por edhe për mungesë transparence për prodhimin e naftës në vend. Kurse vetëm pas pak ditësh, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit ka pezulluar menjëherë aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërsa Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj Bankers, pasi punimet në këto puse ishin pezulluar që më 27 shkurt. Sot, këto pak ngrenë peshë.
Shtëpitë janë gati të pabanueshme, kurse problemi shëndetësor është bërë gati viral. Që nga dita e shpërthimit, më 1 Prill, kanë shkuar vetëm disa ditë, por fshatarëve të Marinzës, u duket se ka ndodhur dje. Mblidhen të gjithë në atë që e konsiderojnë si qendër fshati dhe debatojnë. Me mediat, zyrtarët, përfaqësuesit e Bankers dhe vetveten. Forcat e sigurisë së agjencive private i mbikëqyrin dhe nuk lënë askënd t’u afrohet gropave. Mund të shikosh të parën dhe kaq…”I ke parë të gjitha”, i them një djali të ri. “Jo se nuk të lenë. Të qëllojnë me pëllëmbë këta”, më thotë 20 vjeçari me dialektin e zonës. E ka fjalën për rojet e një firme private që ekzekutojnë rrethimin e fontanave. E folura tipike e zonës e bën disi tejet të butë dhe me atë sens de-de-je, që është trajtuar kjo zonë në humorin tonë…Është tejet atipike gjithçka ndodh në këtë vend. Njerëz që ankohen. Të tjerë, njësoj të dëmtuar, por që thonë se Bankers s’ka faj!! Një grup që u afrohet pagesë nën dorë, një pjesë që bërtet dhe zyrtarë…Sa shumë zyrtarë. Vinë politikanë, që ndiqen nga gazetarë, punonjës socialë, bjerraditës…Tre punonjëse sociale, që ndiqen nga të tjera kolege, kanë përgatitur një fletë që u shkruajnë banorëve. Asistojnë me database!!! Në radhë para ambulancës gra, burra fëmijë, që kërkojnë të vizitohen. “Kemi marrje mëndsh, nuk kemi fuqi”. Martesë e trishtë ka qenë kjo e këtyre banorëve që i janë gëzuar naftës, por edhe që kanë vuajtur pasojat e saj. Kanë jetuar disi më mirë se zona përreth, që s’ka të punësuar në naftë, anipse inferioret e shtëpive brenda janë zhgënjyese. Është e njëjta lloj përshtatje që ti e gjen kudo nëpër Shqipëri, ku diferencën e bëjnë thjesht objektet elektro-shtëpiake. Për kuriozët që janë të lidhur me antropologjinë është e njëjta tipologji, që e has në filmat e pafundëm serialë turkë për mjediset lokale…

Pak histori

Zbulimi i vendburimit të Marinzës është bërë gradualisht duke zbritur me puse nga Patosi, bile që nga shfaqja e ranoreve bituminoze duke shkuar në Marinzë. Pusi i parë që ka vërtetuar naftëmbajtjen ishte një fontanë e hapur dhe e pakontrolluar, me naftë dhe gazi (pusi 542). Avaria e parë (që teknikisht quhet fontanë e hapur e pakontrolluara), ka shkaktuar dëme dhe shpenzime të mëdha, por mu kjo paralajmëroi edhe vendburimin e madh të Marinzës, sipas një specialisti të vjetër të naftës. Ndër vite, u punua shumë për shfrytëzimin sa më racional të shtratimeve e naftës duke ruajtur strukturën e shtresave, të mospërmbytjeve të tyre nga uji dhe ruajtjes së presionit të shtresës, fuqisë së tyre, pra për një shfrytëzim sa më racional. Kjo punë u bjerr në vitet ’80 dhe mori dërrmën krejt duke filluar nga 1990.

Kristaqi me Nestin

Ne e përshkojmë të gjithë zonën në makinë dhe Nestit i është bashkuar edhe një fshatar tjetër, që quhet Kristaq Çuko. Ideja e Nestit është të më tregojë sesi kanë ndërruar deri më tani tre shtëpi dhe të treja u janë prishur. Para diktofonit, i pari flet Kristaqi që disiplinohet si të jetë para ekranit të televizorit. Sapo mbërrimë në një kodër, ku dikur ishte Marinza dhe shtëpitë e tyre, nga sipër të hapet një fushë e madhe plot mbeturina dhe që tutje rezervuarët e mëdhenj, që të duken si maksi-imazhe të krijesave të ISIS. Jemi kaq të ngarkuar, saqë asosacionet afrohen vetë në realitetet që jetojmë. “Jemi ku gjyshi më ka pasur shtëpi, që i janë djegur më 1957 me plasjen e parë. Pusi ekzistues është ai (tregon me gisht). Fshati shtrihej në këtë pjesë. Komshi isha me Tom Nushi (Bualli). Këtu ishte dhe fisi i Çukallarëve, Buajve, Kasave, Qerim Kalemi, Poshnjarët, Shahinët”. Sipas tij, shteti kompesoi disa me lëndë druri, të tjerëve as u dha fare asgjë. Dokumentacionet privatë u dogjën, kurse avaria e dytë ndodhi te kodra e Cukalit, ku sot e kësaj dite është sonda me agregatin zhytur brenda. Një shpërthim i dytë, që ndodhi rreth vitit ’58, i lë vendin shpërthimit të fundit …Nesti më tregon sesi i ati vdiq një vit pas pensionit, 56 vjeç, ashtu si të gjithë këtu nuk munden të mbushin 70 vjeç. Por ishin shpërthimet e viteve ’50, që e bënë fshatin të zhvendosej 500 metra më tutje, mu aty, ku tashmë plasi për herë të tretë gazi…Pak minuta më pas, më tregojnë shtëpitë. Nesti e ka shtëpinë krejt të shkatërruar prej shpërthimeve, kurse e Kristaqit edhe pse është më e duruar ka plasur po bajagi. Nesti me angazhimin e vet do të më përcjellë kudo. Pak metra më tutje, një banore 43 vjeçare që nuk dëgjon mirë, më tregon sesi i ka rënë çatia, se po flenë jashtë dhe të tjera dëmtime. Të gjithë flenë jashtë. Të tromaksur, friksuar dhe të sëmurë. Gruaja e Kristaqit është epilogu ynë i ankthit, që të kap, kur ajo të shpalos t’gjithë depresionin e thellë. Qan. Ankohet. Invalidja, që mezi ngrihet në këmbë këlthet…

Pas shpërthim

Pushon. Fillon të qajë sërish. Mbahet nga orenditë. Është pamje e tmerrshme. Si ajo, të gjithë janë të frikësuar, e ndërkohë ka filluar edhe përçarja, pasi një pjesë e banorëve që i ka dhënë tokën me qira Bankers nuk mund të ngrihet. Nesti më tregon për dikë, që i janë afruar “84.000 lek të vjetra që kishin ndarë .. Ne kemi shumë përçarje, prej cave që punojnë atje!” Nga shtëpia në shtëpi është i njëjti realitet. Një burrë i vjetër, që i kanë rrethuar pusin me shiritat ndalues, më fillon një bisedë për pensionin. E pyes për shpërthimin, ai vazhdon aty. Çfarë mund t’i bëjmë ne? Ai mbaron monologun dhe pastaj falënderon. Po për çfarë? S’kam gjë në dorë, i them. Më tregon shiritin që i kanë vënë. Është 80-vjeç dhe këtu bie përkohazi edhe alibia që s’jetojnë kaq shumë. “Ne presim të vimë, të na vlerësojnë shtëpitë. I drejtohemi firmës dhe shtetit sepse shtëpia mban 13 shpirtra”. Ku janë këto frymë e pyes?-naivisht sepse po më duket si Çiçikovi fshatar. Janë emigrant, më përgjigjet dhe më bën një politikë për pensionin dhe korrupsionin lokal. Ndahemi. Iki. Më duket si makth, e gjitha. Nga përtej duket se më qesëndis një ish-naftëtar. Nuk ma pohon emrin. Shtrëngon një biçiketë. “Për mua është e thjeshtë, thotë. Të vinë le të shikojnë për shtëpitë që janë këtu. Të paktën që vitin e shkuar pati shumë dëmtime nga lëkundjet. Të bëhet një studim me analiza …Duhet antidote për ushqim për të gjithë banorët, që dikur e merrnin vetëm naftëtarët. Të njihet që është degraduar gjithshka, por edhe dëmtimi i bujqësisë, deleve, foragjeret”. Sa marrin vesh që jemi nga Marinza, më thotë, nuk na marrin më asgjë …” Me 300 lek na e marrin qumështin se gjoja s’është e mirë dhe tashti edhe barin që harxhon nuk e nxjerr”.

Bankers, në publik, jo vetëm i përgjigjet deputetit, por guxon t’u japë një përgjigje konkrete të gjithëve. Sipas tyre, në këto 10 vite, ka bërë të mundur që “me investimin kapital prej më shumë se 1.2 miliardë USD, ta kthej Patos-Marinzën në gjigand botëror për nga ana e rezervave të nxjerrshme. Në vitin 2014 ishin rreth 2000 punonjës shqiptare. Dhe, shteti shqiptar ka përfituar rreth 500 milion USD direkt “cash”. Kaq mjafton që politikanët t’i përvishen njëri-tjetrit, por për banorët historia vazhdon njësoj, të kapur mes thashethemeve dhe realitetit. Një histori e re urbane, do t’i zerë shpejt vend historisë së tyre, kurse ata do mbeten aty në ndotjen e radhës dhe në shtëpitë e krisura. Dikush na e ka marrë Nestin. Largohet me ngut, por i premtojmë se do vinë kolegë tanë. Është vërtetë burrë i mirë. Ndarja i bën pak përshtypje, kurse shkon të derdhë tjetërkund mllefin. Ndaj kujtdo, por mbase edhe kundër vetë vetes së vet. Sërish njerëz, fëmijë, pleq, plaka, gazetarë, policë, flasin, kurse diellin e mbulojnë re të mëdha. Era e fortë e gazit e bën të largët kundërmimin e pranverës së vitit 2015.

Revista Java, 14.04.2015