Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ja pse nuk pati shpërthime në Marinëz

Një ditë pas ankthit që përjetuan rreth 60 familje të fshatit Marinëz, situata ende nuk ka hyrë në kontroll të plotë, me gjithë përpjekjet për normalizimin e saj. Një pjesë e familjeve, shtëpitë e të cilave gjenden në distancë më të largët, janë rikthyer në banesë. Por ajo çka ndodhi në të vërtetë, me dy “shatërvanët” e fshatit ku buron nafta, ende nuk e ka një raport përfundimtar, megjithëse paraprakisht ekspertët flasin për një proces të përsëritur, me gjasë edhe për shkelje të disiplinës teknike nga kompania që punon në zonë. Shefi i Departamentit të Burimeve të Energjisë në Fakultetin e Gjeologjisë, Bashkim Çela, në një bisedë për “Shekulli”-n, tregon se edhe më herët, në po atë zonë, kanë ndodhur dukuri të tilla.

Ai shpjegon faktin, pse nuk duhen trajtuar si “shpërthime”. “Vite të shkuara, po në atë zonë para 30-40 vitesh, kanë ndodhur situata të ngjashme, kur kryente aktivitet ndërmarrja e shfrytëzimit të naftës. Ka ndodhur, por ishin aksidente, që nuk mësoheshin në masë, pasi nuk funksiononin këto mënyra komunikimi. Në thelb janë dukuri, të cilat nuk zgjasin shumë”, thotë ai. Sa i përket teknologjisë, me të cilën kompania kryen punimet, Çela thotë se duhet pasur kujdes me raportimin dhe termat.

“Kush e ka thënë që janë shpërthime? Është një lajm që e japin mediet dhe një konkluzion i dalë nga banorët. Në dijeninë time nuk di që “Bankers” të ketë një teknologji me shpërthime. Kam pasur rastin të shoh një raport zyrtar rreth 7 vite më parë dhe mbi bazën e tij, nuk di që ata të përdorin teknologji me shpërthime. Se çfarë ka ndodhur pas kësaj kohe e deri tani, nuk jam në dijeni. Por, njerëzit në formë të thjeshtuar përdorin termin ‘shpërthim’”, shprehet shefi i departamentit.

Me tej ai shton se ka dy trajtime sa i përket kësaj çështjeje. “Shpërthimi i përket edhe rastit të dëmtimit të shtëpive dhe bëhet fjalë për shpërthime nëntokësore. Ndërsa, rastin në fjalë në gjuhën e teknikës, e quajmë ardhje të pakontrolluar. Më pas kur marrin flakë, i quajmë shpërthime apo fontana, një lloj shatërvani apo një lloj ardhjeje e pakontrolluar nga shtresat”, tregon Çela. Kur e pyesim për parametrat dhe procedurat që duhen të ndiqen nga kompanitë në territore të banuara, konkretisht për rastin në fjalë, profesor Çela shpjegon se po jetojmë në një kohë që është e pashmangshme në veprimtarinë njerëzore që këto sektorë të zhvillohen në aspektin ekonomik.

“Këto sektorë do të zhvillohen kudo ku të shihet mundësia. Nafta është pikërisht atje ku janë ndërtuar shtëpitë dhe kudo mund të punohet me kujdesin e duhur. Aty, mesa duket, nuk është punuar me kujdesin e duhur e nuk është monitoruar siç duhet problemi. Unë nuk e di ende nëse janë shpërthime nga puset e ndalur (mund të jenë puse që janë braktisur rreth 50 vite më parë). Gjendja e tyre duhet të jetë evidentuar dhe monitoruar nga “Bankers”, e unë nuk e di nëse e kanë bërë një gjë të tillë. Gjithashtu, situata mund të jetë krijuar nga puset që ata po shpojnë. Unë duhet të isha njeriu më i informuar në këtë drejtim, por mesa duket kjo është politika që është ndjekur, dhe kompania ruan të dhënat e saj”, e mbyll shefi i Departamentit të Burimeve të Energjisë.

Gazeta Shekulli,  04.04.2015