Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Me teknologjinë e Bankers, shpërthimet më të shpeshta

Futja nga Bankers Petroleum e teknologjisë së re të nxjerrjes së naftës me trajtim termal ka sjellë rreziqe të shtuara të shpërthimit të puseve. Sipas një studimi të P. Jordan, Kaliforni, këto lloj pusesh gjatë shpimit kanë një rrezik 1 në 1700 puse që të shpërthejnë, kurse puset pa trajtim termal kanë 1 në 2500 puse probabilitet për të shpërthyer. Presioni dhe vëllimi i avullit janë faktorët që shtojnë rrezikun e shpërthimeve në këto puse. Sipas autorëve të studimit, shpërthimet nga toka, jo nga koka e pusit (siç ndodhi në Marinëz), ndodhin vetëm me puset me trajtim termal.

Bankers Petroleum ka arritur të rrisë prodhimin e naftës me 10% në vit në saj të teknologjisë së trajtimit termal dhe të puseve horizontale. Por këto teknologji njëkohësisht kanë shtuar dhe dëmet në zonat e shpimit, ku kanë shkaktuar tërmete, shpërthime e ndotje nga gazi, nafta e kimikatet e përdorura për nxjerrjen e tyre. Shpërthimi i fundit ndodhi shtator, në Verri, kur u evakuan dhe banorët e zonës.

Shpërthimi i djeshëm do i shtojë më shumë problemet shëndetësore të banorëve të zonës, të cilat janë të shpeshta për shkak të ndotjes së pranishme. Sipas ekspertit të mjedisit Lirim Selfo, nafta shqiptare është e pasur me squfur, i cili kur përzihet me ujin kthehet në acid sulfhidrik (H2S). Sipas tij jo vetëm nafta, por dhe gazi ka përmbajtje squfuri. Ky acid është shumë ndotës dhe do të ngelet në sipërfaqe nqs. nuk pastrohet.

Në raportin për monitorimin e ajrit të Drejtorisë Rajonale Shëndetësore Fier, të vitit 2014, nivelet e ndotjes së ajrit në zonë ishin përtej normave të lejuara edhe përpara shpërthimit. Në zonat e ndotura nga nafta e gazi ka shpeshtësi të shtuar të sëmundjeve nervore, neurologjike, të frymëmarrjes e të kancerit. Sipas Qendrës Shëndetësore të Zharrëzës, vitet e fundit rastet e kancerit janë shtuar me 6% në këtë zonë për shkak të ndotjes. Sipas një specialisteje të një klinike ortopedike në Tiranë, ku vizitohen pacientë nga e gjithë Shqipëria, ka shumë raste me sëmundjen e rrallë neurologjike të siringomielisë, që vijnë nga zona e Patos-Marinzës e Ballshit. Komiteti i Helsinkit disponon informacion nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) mbi gjendjen e shëndetit publik në zonën e Patos-Marinzës, por vetë ISHP-ja këtë informacion nuk e ka publikuar në faqen e internetit. Në përgjithësi ISHP-ja nuk ka asnjë publikim mbi shëndetin publik në zonat e prekura nga ndotja nga aktivitetet industriale, megjithëse opinioni publik është shumë i ndjeshëm ndaj këtij fenomeni. Raportet mbi shëndetin publik të ISHP-së përmbajnë informacione sipas qarqeve, pa dalluar brenda tyre zonat e prekura nga aktivitetet industriale.

Ndërkohë Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, një institucion tjetër ku mund të merret e jepet informacion për situatën mjedisore në zonë, është edhe më konfidencial në komunikimet e veta: nuk ka faqe interneti, nuk ka numra telefoni të publikuar në faqen e Ministrisë së Mjedisit.

Mospublikimi i informacionit mbi pasojat mjedisore e shëndetësore të nxjerrjes së naftës, nuk i ndihmon aspak banorët e prekur, të cilët ndjehen të vetmuar në fatkeqësinë e tyre e të pafuqishëm për tu mbrojtur.

Ekolëvizja,  03.04.2015