Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fier, shpërthejnë dy puse nafte

Dy puse nafte kanë shpërthyer mëngjesin e sotëm në zonën e Marinzës të Fierit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes përveç naftës ka shpërthyer edhe gazi, duke shkaktuar kaos në zonën e banuar dhe pranë një shkolle. Sipas të dhënave janë marrë masat që të evakuohen nxënësit nga godina, ndërkohë forca të shumta policie dhe ambulanca ndodhen në Marinzë.

Shpërthimet në këtë zonë nga puset e naftës janë të shpeshta dhe banorët shpesh herë kanë ngritur shqetësimin e tyre në media, por ende nuk është marrë asnjë masë. Zona e banuar është nën pushtetin e naftës, gazit në ajër dhe ujërave të zeza që vazhdojnë të dalin në rrugë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe prefekti i Fierit, Xhevit Bushi, i cili u ka bërë thirrje banorëve të Marinzës e më gjerë që të largohen sepse nafta mund të kthehet në zjarr, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Ndërkaq si pasojë e shpërthimit të pusit të naftës ka pasur dëmtim të rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza.

“Janë marrë masat nga të gjitha institucionet kompetente. Pusi ka qenë në fazën e shpimit, ka pasur shpërthim spontan dhe nuk dihet se në çfarë thellësie ndodhej pusi. Ka shkaktuar dëmtime të rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza. Ka rrezikshmëri për banorët që jetojnë aty pranë. U bëj thirrje banorëve të fshatit Marinzë e më tutje që njerëzit të largohen nga kjo zonë! Mund të ketë viktima se nafta e gazi mund të kthehen në zjarr. Kjo është një fatkeqësi e madhe natyrore”, tha Bushi.

Gazeta Shqip, 01.04.2015