Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers: Të ardhurat rriten 5%, shitjet 14%

Në vitin 2014, Bankers shënoi disa arritje të rëndësishme duke rregjistruar nivele rekord të ardhurash prej 583 Milionë USD, fondet e gjeneruara nga operacionet arritën në 304 Milionë USD, prodhimi i naftës u rrit në 20.690 fuçi naftë në ditë (bopd) dhe investimet kapitale arritën në 291 Milionë USD.

Operacionet:
· Prodhimi mesatar i naftës ishte 20.690 fuçi naftë në ditë (bopd) në 2014, 14% më i lartë se prodhimi mesatar i vitit 2013 prej 18.169 bopd. Prodhimi mesatar i naftës për vitin 2015 (bazuar në të dhënat e deritanishme) është rreth 19.500 bopd.
· Shitjet e naftës arritën mesatarisht 20.679 bopd në 2014, një rritje prej 14% në krahasim me 18.173 bopd në 2013. Inventari i naftës bruto në 31 dhjetor 2014 u rrit në 315.500 fuçi nga 311,000 fuçi më 31 dhjetor 2013.
· Shpenzimet kapitale në vitin 2014 ishin 291 Milionë USD, 24% më të larta krahasuar me 234 Milion USD në vitin 2013. Një total prej 160 puse janë shpuar,ku shënohet shpimi i pusit të parë multi-lateral në fushën e Patos-Marinzës si dhe shpimi i pusit të parë horizontal në Kuçovë. Nga totali i puseve të shpuar, 149 ishin puse horizontalë. Në vitin 2013, numri i puseve të shpuar ishte 146.
· Kompania vijoi të aplikojë Programin Për Zgjerimin e Prodhimit (EOR) gjatë vitit 2014 duke monitoruar dhe shtuar strukturat e injektimit. Në fund të vitit 2014, në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës numëroheshin 19 struktura të injektimit të polimerit dhe 4 struktura të injektimit të ujit.
· Bankers ka nisur edhe zhvillimin e vendburimit të Kuçovës në Arrëz me marrjen për shfrytëzim të 59 puseve nga Albpetrol në Gusht 2014. Kompania ka riaktivizuar tre puse dhe ka shpuar pusin e parë horizontal në këtë fushë në vitin 2014.
Situata Financiare:
· Të ardhurat në vitin 2014 ishin 583 Milionë USD kundrejt 556 Milionë USD në vitin 2013, me një rritje prej gati 5%. Çmimi i naftës së nxjerrë prej 77.26 USD/fuçi është në nivelin e 78% të Brent-it (98.95 USD/fuçi) kundrejt 79% që ishte në vitin 2013.
· Renta e paguar në buxhetin e shtetit shqiptar gjatë vitit 2014 arriti në 86 Milionë USD (15% e të ardhurave të kompanisë) kundrejt 94 Milionë USD (17% e të ardhurave) në vitin 2013.
· Gjatë vitit 2014, të ardhurat e gjeneruara nga operacionet arritën në 304 Milionë USD, një rritje prej 9% kundrejt vitit 2013 kur niveli i këtyre të ardhurave ishte 280 Milionë USD.
· Kompania vijon të ketë një situatë të fortë financiare me një fond cash prej 73 Milionë USD dhe një program kapital prej 201 Milionë USD.
· Në Gusht 2014, Bankers nisi të shesë naftë bruto tek rafineria vendase e përpunimit të naftës, që është tashmë nën pronësi dhe menaxhim të ri. Bankers ka rënë dakord që të shesë me një çmim prej 73% të Brentit tek rafineria vendase.
Termat Fiskalë:
Bankers dhe Qeveria Shqiptare kanë arritur një marrëveshje mbi ndryshimet fiskale të vitit 2014. Termat janë aprovuar nga Albpetrol dhe AKBN dhe janë ratifikuar nga Këshilli i Ministrave më 2 Nëntor 2014. Marrëveshja parashikojnë zbritjen e taksave të akcizës dhe të qarkullimit në të ardhurat e kompanisë.  Ky mekanizëm mundëson ruajtjen e një bilanci të fortë financiar të kompanisë dhe si pasojë vijueshmërinë e investimeve në të ardhmen.
Parashikimi:
· Programi kapital i reduktuar i kompanisë për vitin 2015 do të jetë 153 Milionë USD, i mbështetur plotësisht nga të ardhurat e vetë kompanisë (bazuar në një çmim Brent prej 50 USD/fuçi).
· Do të shpohen 60 puse horizontalë dhe do të vijohet të zhvillohet zona kryesore e fushës  naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës
· Do të vijojë të aplikohet Programi i Zgjerimit të Prodhimit (EOR) ku përfshihet konvertimi i 20-30 puseve në injektim me polimer dhe ujë.
· Fokusi i kompanisë do të vazhdojë të jetë në përmirësimin e eficencës operacionale duke ulur kostot e transportit, elektrifikimin e puseve dhe zgjerimin e sistemit të mbledhjes së gazit për të ulur kostot e energjisë.
Revista Monitor,  13.03.2015