Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zonat më problematike për vjedhjen e energjisë

Deri në fund të janarit, OSHEE ka arritur të çojë humbjet në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në nivelin 36.7 për qind, kurse niveli më i lartë i humbjeve shënohet në Kukës. Zona e Kukësit shënon rreth 58 për qind të humbjeve, por mbi nivelin e humbjeve në total janë edhe tri zona të tjera, pikërisht Shkodra, Burreli dhe Durrësi, ndërsa zonat e tjera janë poshtë këtij niveli.

Humbjet dhe vjedhjet në zona

Nga analizimi i shifrave të bëra nga viti në vit, pavarësisht se numri debitorëve ka ndryshuar ndjeshëm, kjo nuk ka ndodhur me humbjet në rrjet. Vetëm vitin e fundit vihet re ndryshim thelbësor, pasi në vitin 2012 dhe 2013, humbjet në total janë cilësuar pothuajse në të njëjtin nivel. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012, humbjet kanë qenë në nivelin 46.4 për qind dhe në vitin 2013 në nivelin 45.04 për qind. Në vitin 2014, siç është deklaruar më parë, ka rënë në nivelin 37.8 për qind, pra 7.4 për qind më pak se viti paraardhës, duke arritur objektivin e vendosur nga Banka Botërore, që ka kërkuar ulje të humbjeve mbi 5 për qind në vit. Gazeta “Shqip” ka siguruar edhe shifrat e muajit të parë të këtij viti, ku shihet se ka pasur një zbritje tjetër në nivelin e humbjeve, në masën 1.1 për qind. Pra, niveli total i humbjeve në muajin janar 2015 rezulton se është 36.7 për qind, ku 2.7 për qind janë cilësuar humbje teknike në TL, kurse 34 për qind humbje për shkak të vjedhjeve.

Sa u përket zonave më problematike rezulton se në vend të parë është Kukësi me 57.9 për qind në muajin janar të këtij viti, duke arritur një shifër edhe më të lartë se mesatarja e totalit të vitit 2013, pasi në krahasim me vitin 2014, rritja ka shkuar në masën 7.4 për qind, duke u rikthyer në një shqetësim për OSHEE-në. Pas Kukësit, si zona më problematike renditet Shkodra, e cila përfshin edhe Lezhën, në masën 50.3 për qind. Pra, gjysma e energjisë elektrike vidhet ose humbet edhe në këtë rajon. Në krahasim me mesataren e vitit 2014, Shkodra shënon një rënie të lehtë. Pas këtyre dy zonave, vjen Burreli, me një nivel humbjesh prej 42 për qind dhe ndiqet shumë pranë nga Durrësi me 40.7 për qind. Tirana mësohet se ka një nivel prej 31.9 për qind të humbjeve, por për shkak të abonentëve të shumtë në kryeqytet, kjo shifër konsiderohet tejet e lartë. Madje, në muajin e parë të këtij viti, krahasuar me mesataren e vitit 2014, Tirana e ka rritur nivelin e humbjeve me 0.3 për qind. Zona të tjera që e kanë rritur nivelin e humbjeve në muajin janar të këtij viti janë Durrësi me 1.8 për qind, Gjirokastra me 0.8 për qind dhe Kukësi që mban rekord negativ.

Aktmarrëveshjet deri më 12 shkurt

sahat nderprerej osheeKreu i OSHEE deklaroi para dy ditësh se kontratat e lidhura për shlyerjen e borxhit për dritat kanë arritur mbi 190 mijë të tilla, ndërsa gazeta “Shqip” ka siguruar tabelën sesa kontrata janë lidhur për secilën zonë deri më 12 shkurt. Numri më i madh i kontratave, pavarësisht se duke marrë parasysh shifrat e larta të debitorëve mbetet në nivel të ulët, është Tirana, me 40 mijë e 696 kontrata, e cila ndiqet nga Fieri me mbi 23 mijë aktmarrëveshje dhe Durrësi me 20 mijë të tilla. Gjirokastra dhe Korça, pavarësisht se nuk kanë numër aq të lartë të kontratave edhe për shkak të numrit të ulët të debitorëve, mbajnë vendet e para për likuidimin e menjëhershëm (upfront) sipas aktmarrëveshjeve. Likuidim nga këto dy zona është bërë për të paktën 85 dhe 86 për qind të rasteve, ndërsa vendin e fundit për to e mban Tirana me 39 për qind.

Projekti: Në mars nis instalimi i matësve inteligjentë

OSHEE ka planifikuar që në muajin mars të nisë instalimin e matësve inteligjentë, proces që mendohet të fillojë në autostradën Tiranë-Durrës, më pas në zonën e Bathores, Alliasit dhe zonën e tregut te Medreseja. Gjithsej janë 10 mijë matës që do të instalohen. Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë thuhet se “Deutsche Telekom ka marrë përsipër zbatimin e projektit pilot për instalimin e 10 mijë matësve inteligjentë në disa zona të Tiranës”. Në planin e investimeve për këtë vit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) planifikon të instalojë 53 mijë matës të rinj, nga të cilat 13 mijë në zonën e Bathores dhe Paskuqanit dhe pjesa tjetër prej 40 mijë matësish në rajonet e tjera të vendit. Burimet në Ministrinë e Energjetikës bëjnë me dije se, zonat informale janë të patrajtuara me investime dhe mungojnë tërësisht matësit. Rrjeti i shpërndarjes në këto zona është shumë i dobët për shkak edhe të lidhjeve të jashtëligjshme. Ndaj, këtë vit, zonat informnale do të jenë në qendër të vëmendjes si për arkëtimet dhe investimet. OSHEE planifikon deri në fund të vitit 2016 të instalojë mbi 300 mijë matës, të cilët do të blihen nga kredia e Bankës Botërore. Kjo do të bëjë të mundur që të gjithë konsumatorët të pajisen me matës të rinj. Por, Ministria e Energjetikës mendon se për të sjellë në parametra normalë rrjetin e shpërndarjes në vend i duhen fonde për afërsisht një miliard dollarë.

Gazeta Shqip, 23.02.2015