Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ahmetaj superministër, merr inspektoriatin e karburanteve

Pasi aneksoi sektorin e turizmit nga Ministria e Territorit, ministri Zhvillimit Ekonomik ka marrë nën varësinë e tij edhe Inspektoriatin e Karburanteve duke ja shkëputur Ministrisë së Industrisë dhe Hidrokarbureve. Në mbledhjen e fundit qeveria ka miratuar një ndryshim dhe shtesë në ligjin 8540 datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”. Sipas vendimit “kontrolli i cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, që ofrohet nga subjektet e përcaktuara në nenet 15 e 16, të këtij ligji, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, realizohet nga struktura e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë”. Gjithësesi bashkërendimi i veprimtarisë, ndërmjet inspektoratit shtetëror përgjegjës dhe strukturës së mbikëqyrjes së tregut, rregullohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe ministrit përgjegjës për tregtinë.
Sipas draft ligjit vetëm për qëllim të cilësisë së produkteve, gjobat vendosen nga struktura e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë. Për çështjet e tjera, gjobat vendosen nga inspektorati shtetëror përgjegjës
Inspektorati shtetëror përgjegjës, në varësi të ministrit përgjegjës për hidrokarburet, kryen funksionet e inspektimit për kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, deri në krijimin e strukturës përgjegjëse së mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë.

Ministria që drejton Ahmetaj kthehet në këtë mënyrë në ministrinë më të rëndësishëm në vend, teksa ka në dorë dhe “fatin” e invetimeve publike për vitin 2015. Në ligjin e buxhetit 2015 specifikohet që detajimi i fondeve për investime të miratuara në ligjin nr. 160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, si dhe kërkesat për rishpërndarje apo për fonde shtesë për investime, nga ana e njësive të qeverisjes qendrore do të paraqiten për konfirmim pranë ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pas shqyrtimit, konfirmimi përkatës, nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të paraqitet për miratim pranë ministrit të Financave dhe për njoftim pranë njësive të qeverisjes qendrore.

Revista Monitor,  12.02.2015