Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE do blejë energji nga KESH pa ndërhyrjen e privatit

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) mbërrijnë një marrëveshje për shit-blerjen e energjisë elektrike për tepricat e saj, përfshirë këtu dhe tepricat në kushtet e prurjeve të mëdha, me qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për vitin 2015. Lajmi konfirmohet për gazetën “Dita” nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë. Ky vendim që pritet të miratohet më pas nga Enti Rregullator i Energjisë është marrë pas situatës absurde të krijuar me shitblerjen e energjisë mes dy kompanive shtetërore dhe tregtarëve privatë. Në bazë të ligjeve aktuale, KESH i shet energji OSHEE vetëm për të përballuar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, si familjarët dhe pjesa më e madhe e bizneseve. Ndërsa pjesën e humbjeve në rrjet, Operatori i Shpërndarjes është i detyruar ta zëvendësojë duke blerë nga importi. Por këto rregulla, në raste të veçanta si ai i javës së fundit kur vendi ka rezerva të larta hidrike çojnë në një situatë pa precedent, e cila shkakton humbje të mëdha financiare për dy kompanitë shtetërore dhe rrjedhimisht qytetarët. Marrëveshja e arritur dje tenton t’i japë fund paradoksit që imponon modeli shqiptar i tregut të energjisë që bën që KESH-i të shesë tepricat tek tregtarët e energjisë me një çmim më të lirë ndërsa OSHEE e blen energjinë nga tregtarët me një çmim më të shtrenjtë. Për muajin shkurt, nisur nga prodhimi në kushte emergjencë prej prurjeve të mëdha, KESH shiti me çmim 38.5 euro megavat energjinë tek tregtarët ndërsa këta ja shitën mbi 50 euro megavat OSHEE-së. Marrëveshja që synon t’i japë fund këtij paradoksi është firmosur nga drejtuesit e KESH-it dhe OSHEE-së dhe tanimë është në pritje të miratimit nga Enti Rregullator i Energjisë.

Si do të funksionojë marrëveshja?

Marrëveshja parashikon se OSHEE, përpara çeljes së procedurës mujore për blerjen në treg të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, do të njoftojë KESH-in për sasinë e energjisë elektrike që ka planifikuar të blejë për mbulimin e humbjeve në rrjet, duke i kërkuar me këtë rast KESH-it përcaktimin e sasisë së energjisë elektrike që kjo e fundit mund t’i shesë për mbulimin e tyre, sasi e cila mund të mbulojë pjesërisht apo plotësisht kërkesën për mbulimin e humbjeve. Ndërkaq, KESH-i përpara çeljes së procedurave të shitjes së energjisë elektrike në kushtet e prurjeve të mëdha apo dhe tepricave, pasi ka garantuar plotësimin e kërkesës me energji elektrike për furnizimin e konsumatorëve tariforë, do t’i komunikojë shoqërisë OSHEE mundësinë e furnizimit me energji elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa kjo e fundit duhet të konfirmojë brenda afatit të përcaktuar në kërkesën e KESH-it pranimin ose jo të sasisë së energjisë elektrike të ofruar nga KESH për mbulimin e humbjeve. Nëse të dyja palët bien dakord për furnizimin/lëvrimin e plotë apo të pjesshëm të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, atëherë programimet, nominimet, konfirmimet, lëvrimi dhe matja do të bazohen në Rregullat në fuqi të Tregut Shqiptar të Energjisë Elektrike dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim. Çmimi për lëvrimin e energjisë elektrike sipas kësaj kontrate do të jetë çmimi mesatar mujor i bursës hungareze HUPX për periudhën në të cilën kryhet lëvrimi i energjisë elektrike, për produktin/profilin në bandë, siç publikohet nga bursa e Hungarisë HUPX. Kjo marrëveshje e vlefshme për vitin 2015 pritet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike për dy kompanitë tanimë shtetërore, pasi KESH do të shesë më shtrenjtë energjinë e tepërt dhe OSHEE do ta blejë më lirë energjinë që ka nevojë për të mbuluar humbjet. Ata që humbasin në këtë rast janë tregtarët e energjisë elektrike të cilët nuk do të kenë më fitimet e deritanishme. Gjithsesi, pritet që Komuniteti i Energjisë të lëshojë kritika ndaj institucioneve shqiptare me pretendimin se në këtë lloj marrëveshjeje cenohet parimi i tregut të lirë. Ditët e fundit për shkak të rritjes së nivelit të ujit në kaskadën e Drinit, veç sasisë që furnizon për OSHEE, KESH u detyrua të shesë me urgjencë edhe tek privatët. Por përmes një çmimi deri në 30 euro për megavat. Ndërkohë që pak ditë para ankandit të KESH, vetë OSHEE për të mbuluar humbjet e bleu energjinë nga të njëjtat kompani me çmim 20 euro më të lartë. Përballë kësaj situate, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Energjisë dy kompanitë shtetërore tashmë kanë vendosur të tregtojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën për të shmangur privatët, vendim që pritet të miratohet nga Enti i Energjisë.

Gazeta Dita,  07.02.2015