Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbulimi humbjeve, KESH do ti shesë energji OSHEE-së

Situata e rënduar e rreshjeve kthen në normalitet tregun e energjisë eletrike. KESH do t’i shesë OSHEE energji edhe për mbulimin e humbjeve që në mënyrë paradokslae nuk lejohej nga modeli i tregut. KESH duhet të eksportojë me çmim të ulët 30-35 euro e OSHEE të importojë me çmim të lartë 60-70 euro

Shprehja e famshme “ra ky mort e u pamë” për tregun e energjisë mund të përkthehet ra ky mot i keq me shumë rreshje për të kthyer në normalitet një paradoks të modelit shqiptar të tregut që KESH e përjashtonte nga ankandet mujore të blerjes së energjisë elektrike.

Vendimi i djeshëm të KESH për të furnizuar OSHEE jo vetëm për tregun e rregulluar por edhe për tregun e parregulluar(blerja e energjisë për mbulimin e humbjeve) është zhvillimi më poitiv që solli kriza e përmbytjeve dhe rreshjeve të mëdha që kanë mbuluar gjithë vendin.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Ministria e Energjetikës “në funksion të menaxhimit të situatës dhe shfrytëzimit maksimalisht të çdo prurjeje, Kooporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke finalizuar një procedurë shitjeje në tregun e parregulluar për tepricat e energjisë”.

Sekretariati i KESH kërkoi arritjen e prodhimit maksimal në të gjithë kaskadën nëpërmjet shfytëzimit optimal të prurjeve, duke ngarkuar maksimalisht fuqinë disponibël gjeneruese për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë dhe tepricat për shitje të energjisë elektrike në tregun e parregulluar.

Në fakt OSHEE e ka blerë energjinë per janarin për rreth 10 milionë euro nga importi dhe mbetet e paqartë se si do të rishikohen kontratat e lidhura me fituesit.

Paradoksi modelit të tregut, eksportojmë lirë importojmë shtrenjtë

Çdo muaj OSHEE blen 10-15 milionë euro energji nga importi me çmim të derregulluar(si të rezultojë nga ankandi) për mbulimin e humbjeve ndërkohë që KESH është e përjashtuar nga jo procedurë(pra nuk mund t’i shesë OSHEE për humbjet) pasi paradaksolisht OSHEE përdor rregulloren e KESH për blerjen e energjisë dhe normalisht kjo rregullore e përjashton KESH nga ankandi(KESH nuk mund t’i blejë vetes).

Ky është paradoksi me humbjet neto që ka Shqipëria me eksport-importin e energjisë. Në seancën dëgjimore për tarifat e energjisë(5 dhjetor 2014) drejtuesve të KESH-it iu drejtua pyetja se sa kushton importi dhe eksporti në emër të saj i energjisë, dhe përfaqësuesi i saj u përgjigj se, në vitin 2013, ka eksportuar me çmim mesatar 30-35 euro, ndërsa në 2014, me çmim mesatar 41 euro. Ndërkaq, për importin, gjatë vitit 2014, çmimi mesatar ishte45 euro. Ekspertët e KESH, me të drejtë, thanë se bëhet fjalë për periudha të ndryshme kohore mes eksportit dhe importit.

Por, në fakt, në çfarëdo muaji të vitit të eksportojë KESH, përsëri Shqipëria humbet nga tregtimi i energjisë sepse, sipas modelit aktual, Operatori i Shpërndarjes duhet ta importojë energjisë për humbjet(10-20 milionë euro çdo muaj) dhe KESH-i dhe prodhuesit e energjisë në vend janë të përjashtuar nga ankandet?! E, për pasojë, KESH eksporton me 30-35 euro në dimër, ndërsa OSHEE blen me 55-60 euro ose dyfishin e çmimit, duke i shkaktuar vendit dëme në miliona euro.

Sektori në vakuum ligjor dhe rregullativ

Paradoksi tjetër lidhet me vakuumin rregullator për tregun e energjisë, pasi në fund vitit 2014 përfundoi periudha e parë rregullatore, u shfuqizua modeli i tregut dhe deklarata rregullatore, ndërkohë që Kuvendi ende se ka miratuar ligjin e ri “Për energjinë”.

Edhe tarifat e reja të energjisë për 2015 është e pakuptimtë që aplikohen me modelin e vjetër të tregut, duke mos qartësuar e si do të jenë marrëdhëniet mes kompanive, do ndahet apo jo prodhimi nga furnizimi publik me shumicë(nga tabela duket se KESH bën dy aplikime), do të ndahet shpërndarja(shumica) nga furnizimi (pakica) siç parashikon projektligji “Për energjinë”?

OSHEE vazhdon të zbatojë rregulloren e KESH për blerjen e energjisë edhe pse ka më shumë se një vit që i është rekomanduar ERE të ketë një rregullore të posaçme për importin e energjisë. Kjo është Shqipëria, kriza përmbytejeve mund të përdoret si shans për rregullimin e tregut.

Revista Monitor,  03.02.2015