Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazprom shkurton 8 mld dollarë

Kompania shtetërore ruse Gazprom, ka njoftuar se do të shkurtojë shpenzimet kapitale me 8 miliardë dollarë gjatë këtij viti.

Me çmimet e naftës të përgjysmuara gjatë 6 muajve të fundit, të ardhurat e kompanive të cilat operojnë në sektorin energjetik kanë rënë në mënyrë drastike. Nga ana tjetër Gazprom është goditur edhe nga tensionet mes Rusisë dhe Europës për shkak të krizës në Ukrainë, e cila mbetet dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të gazit Rus drejt tregut europian.

Zyrtarë të Gazprom deklaruan se me uljen e shpenzimeve, në total gjatë vitit aktual ato do të kapin shifrën e 30 miliardë dollarëve. Ndërkohë, mes viteve 2010-2014 këto shpenzime përllogariteshin mesatarisht në 44 miliardë dollarë në vit. “Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare shkaktojnë sfida të mëdha për kompaninë, dhe shkurtimi i shpenzimeve na lejon të mbajmë të njëjtin ritëm likuditeti”- ka deklaruar kreu i departamentit për financat dhe ekonominë.

Pavarsisht këtyre shpenzimeve, gjigandi Rus i gazit deklaron se diçka e tillë nuk do të ndikojë në ndërtimin e gazjellësve drejt Kinës, të cilat parashikohen të përfundojnë në fund të kësaj dekade. Kompania ndërkohë është përballur me një rënie të fitimeve prej 60%, në fitimet neto të tre mujorit të tretë të vitit të shkuar. Gjithsesi përfaqësues të Gazprom janë shprehur se diçka e tillë nuk ka ardhur për shkak të sanksioneve të vendosura nga perëndimi drejt Kremlinit.

Gazprom mbetet eksportuesi më i madh global i gazit natyror, i cili transportohet kryesisht nëpërmjet Europës, por edhe me dërgesa detare drejt Azisë. Kompania është aktive gjithashtu në sektorin e naftës dhe atë të energjisë. Kërkesa nga tregu aziatik pritet të mbajë të qëndrueshëm ndarjen e tregut, të paktën gjatë 15 viteve të ardhshme, duke kompensuar sadopak rënien e konsumit në Europë.

Telegrafi,  03.02.2015