Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Turqia, shpëtimi nga puset e naftës

Një ekonomi e “sëmurë” ka vënë në “skenë” një shërim të pjesshëm falë naftës së lirë

Një mjet për të matur se sa të dobëta janë partitë opozitare të Turqisë është fakti se ato e shohin krizën si shpresën e vetme për të larguar Partinë konservatore qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim (AK). Në verën e vitit 2013, “ëndrrat” e tyre dukeshin të mundura: Rezerva Federale Amerikane sinjalizoi se do të niste së shpejti një politikë monetare shtrënguese.

Duke pritur mbylljen e rubinetit të parave, investitorët tërhoqën paratë e tyre nga tregjet në zhvillim, në pritje të normave më të larta të interesit në Amerikë. Turqia është shumë e varur nga kapitali i huaj (deficiti aktual i llogarisë arriti 7,9% të PBB-së në 2013); fatkeqësia duket e pashmangshme.

Rritja “e mprehtë” e normave të interesit, e nevojshme për të mbajtur lirën turke nga rënia, natyrisht kishte një efekt mbi ekonominë. Monedha e zhvlerësuar ndërkohë, ka kontribuar në rritjen e inflacionit. Një goditje e mëtejshme erdhi me rritjen e shpejtë të dhunës në Irakun dhe Sirinë fqinje. Eksportet turke në Irak, tregu i saj i dytë më i madh pas Gjermanisë, ranë me 40%. Dhe bisedimet e paqes së Turqisë me kurdët gati sollën një kolaps kërcënues, nga ana tjetër, ishte rifillim i një kryengritje rebele 30-vjeçare. Stabiliteti ekonomik, që ka qenë shenjë dalluese e 12 viteve të fundit të regjimit të partisë AK, dukej në rrezik.

Por, çmimi i naftës ra. Kjo gjë liroi menjëherë presionin mbi llogarinë korente dhe inflacionin. Importet e mëdha të energjisë së Turqisë kushtonin 6% të PBB-së në vit. Falë, kryesisht, kostove më të ulëta të karburantit, deficiti aktual duket se është vendosur të tkurret me rreth 5% të PBB-së këtë vit. Kryesisht për të njëjtën arsye, inflacioni pritet të bjerë në 6.8%. Shumica e bankierëve thonë se ekonomia do të rritet me rreth 3,5% këtë vit; nga burimet e qeverisë thuhet për më shumë se 4%.

Në të vërtetë, me tregjet e tjera të mëdha në zhvillim të tilla si Rusia dhe Brazili, rrethuar nga problemet e tyre, investitorët duket se po i japin Turqisë një tjetër “shikim”.

“Një vëllim i madh i fondeve ka filluar të rrjedhë në Turqi”, thotë me krenari Mehmet Simsek, ministri i Financave turke. Bisedimet e paqes me kurdët duket se kanë sjellë shpëtimin. AK ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet parlamentare në qershor. Ali Babaxhan, ministri i respektuar i Ekonomisë, pritet të qëndrojë në të njëjtin funksion.

“A do ta kujtojë Turqia këtë mundësi për të përshpejtuar reformat strukturore, ose të zgjedhë të nxisë rritjen përpara zgjedhjeve?”- pyet Serhat Gurleyen, nga IS Bank, një nga bankat më të mëdha të Turqisë. FMN-ja ka pyetje të ngjashme.

Në një raport të zymtë në dhjetor, ai argumenton se “politikat duhet të fokusohen në ribalancimin e ekonomisë, duke reduktuar deficitin e jashtëm, duke rritur kursimet, në vend që të ulin investimet dhe të ulin inflacionin për të ruajtur konkurrueshmërinë”.

FMN-ja do të donte të shihte se si Turqia liberalizon tregun e saj të ngurtë të punës, për arsye që OECD-ja rendit si ndër më të mbi-rregulluarit nga anëtarët e saj. Pjesëmarrja e femrave në forcat e punës është për të ardhur keq, e ulët në 30%. Më pak gra që punojnë, ekonomia ka nevojë të vazhdojë të rritet me të paktën 3,5% për të mbajtur papunësinë në 10%, llogarit Emre Deliveli, një ekonomist lokal.

Rreth 2 milionë refugjatë sirianë, një “oqean” i forcës punëtore të lirë, i shtojnë kështu presionin.

Arsimi është një tjetër shqetësim. Vetëm 1% e nxënësve turq kanë avancuar me aftësitë kompjuterike, në krahasim me 33% të moshatarëve të tyre polakë. Pajisjet e teknologjisë së lartë përbëjnë rreth 2% të eksporteve të prodhimit.

Shpenzimet për kërkim-zhvillim arrijnë vetëm 0,9% të PBB-së. Megjithatë, Presidenti i Turqisë islamike, Rexhep Tajip Erdogan, duket i interesuar kryesisht në përhapjen e besimit dhe rigjallërimin e ndikimit otoman turk.

Selin Sayek-Boke, një ekonomist dhe politikan i opozitës shkon edhe më tej, duke e treguar Erdoganin si një rrezik ekonomik. Ish-kryeministri ka ruajtur kontrollin e tij të hekurt mbi qeverinë, që prej zgjedhjes si president i vendit në gusht. Ai i mban nën presion bankat qendrore për reduktimin e normave të interesit, me besimin e çuditshëm që normat e larta do të nxisin inflacionin.

Fushata e zotit Erdogan për të shkatërruar Fethullah Gulen-in, një klerik popullor dhe aleatin e dikurshëm, po “mbjell” frikë në qarqet e biznesit. Banka Asya, një shtëpi e vogël e financave islamike që është e lidhur me z. Gylen, është bërë pre e këtij “zjarri”.

Bizneset qeveritare të lidhura me të tërhoqën depozitat e tyre, tregtia publike në bankë u pezullua tri herë dhe zoti Erdogan shkoi aq larg sa sugjeroi se Asya ishte tashmë e falimentuar.

“Kërcënimi më i madh për ekonominë është erozioni i shtetit ligjor”, thotë zonja Boke.

Megjithatë, zoti Erdogan e kupton më shumë se kushdo se rritja e standardeve të jetesës ndihmon për të mbajtur AK-në në pushtet. Ai mund të bindet se ndryshimi është i nevojshëm.

“Disa reforma më pak të kushtueshme kanë të ngjarë të jenë të parat që mund të zbatohen”, – parashikon Ahmet Akarli i Goldman Sachs. “Por ato më të diskutueshme ndoshta do të zbatohen vetëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2015-s”.

Revista Monitor, 02.02.2015