Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Trepça, përshkallëzohet greva e minatorëve

Numri i minatorëve që i janë bashkuar grevës për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për t’u tërhequr nga ligji që e shndërron atë në një ndërmarrje publike, ka shkuar në 700.

Greva zhvillohen në Horizontin 8, në 650 metra thellësi dhe mësohet se gjendje shëndetësore e minatorëve po përkeqësohet me shpejtësi për shkak të kushteve klimatike.

Minatoret kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi që të nxjerrin brenda 24 orëve ligjin për Trepçën, i cili do të mundësonte që ky gjigant metalurgjik të bëhej kompani publike. Sipas menaxherit të Trepçës, Ahmet Tmava, minatorët nuk do të dalin nga greva pa marrë garanci nga përfaqësuesit e qeverisë, që kjo do të ndodhë.

“Është formuar një këshill grevist dhe tubimi i punëtorëve në horizontin e dhjetë del me një kërkesë, e cila iu drejtohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, e të cilëve iu kërkohet ardhja dhe dhënia e garancisë për implementimin e ligjit për Trepçën. Për këtë shkak, ne kërkojmë nga institucionet ta bëjnë sa më shpejt, pasi dje nuk është kryer e gjithë puna, dhe ajo që ka mbetur të kryhet sa më shpejt”, tha Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës.

“Ne kërkojmë që të sjellin sa më shpejt vendimin për Trepçën, për ta bërë pronë të shtetit”, tha Hashim Bejtullahu, minator në pension.

Minatorët grevistë, të martën i kanë vizituar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe deputetë nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët – për shkak se janë penguar për disa orë të hyjnë në minierë – kanë debatuar me drejtuesit menaxherialë të ndërmarrjes.

Një ditë më parë në Prishtinë, Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë thënë se Trepça do të jetë në fokus të punës së tyre.

Përmes një deklarate për media, Qeveria ka sqaruar se, ndryshimet e bëra një ditë më parë në legjislacion kanë krijuar kushte për funksionimin normal të “Trepçës”, duke evituar fillimin e procedurave për falimentimin e saj. Ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se, për Trepçën nuk do të negociohet askund, përveç se në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel,  21.01.2015