Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci, eksplorime për naftë dhe gaz në det

Qeveria kroate ka akorduar për tri grupe të drejtat për të eksploruar naftë dhe gaz në detin Adriatik, si pjesë e përpjekjeve për t’u bërë një furnizues kryesor i energjisë në rajon.

Konsorciumi i Marathon Oil me bazë në Houston dhe OMV–së së Austrisë siguroi shtatë nga totali prej dhjetë licencash.

Dy iu dhanë INA-s, – e cila është në pronësi të përbashkët nga shteti kroat dhe MOL i Hungarisë, ndërsa licencën e fundit e ka marrë ENI dhe MEDOILGAS e Italisë, referoi Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve.

Tenderi për një total prej 29 blloqe eksplorimi që variojnë mes 1,000 dhe 1,600 kilometra katrorë (386 në 617 milje katrorë) kishte tërhequr gjashtë ofertues.

Ministri i Ekonomisë, Ivan Vrdoljak, tha se vlera e parashikuar e investimeve në aktivitetet e eksplorimit arriti në rreth 523 milionë euro (629 milionë).

Kontratat pritet të nënshkruhen më 2 prill dhe faza e eksplorimit pritet të zgjasë deri në pesë vjet.

Qeveria shpreson se Kroacia, e cila po lufton me recesionin 6-vjeçar, do të mund të bëhet një shpërndarës qendror i energjisë në rajon, me gazin e saj më të lirë në zonë.

Por opozita konservatore dhe grupet lobiste të mjedisit e kanë kritikuar projektin e eksplorimit të energjisë, duke thënë se ai nuk është transparent dhe potencialisht i dëmshëm për turizmin – një “shtyllë” kyçe e ekonomisë së Kroacisë.

Lobistët e gjelbër paralajmërojnë se shpimet në det të hapur mund të kenë ndikim negativ në brigjet mahnitëse të Kroacisë, e cila, me më shumë se 1,000 ishujt e saj, tërheq 12 milionë vizitorë në vit.

“I tërë projekti është realizuar në një mënyrë aspak transparente… Unë shpresoj të mbizotërojë besimi i përbashkët”, – deklaroi Mirela Holy, kreu i partisë së gjelbër të majtë ORAH.

Holy, e cila kundërshtoi eksplorimin e naftës, por jo gazit, tha se ajo shpresonte se projekti do të realizohet përfundimisht në përputhje me rregulloret mjedisore, edhe pse nuk ishte ky rasti.

Edhe pse deri më sot nuk është kryer asnjë studim në lidhje me ndikimet në mjedis, Ministria e Ekonomisë tha se firmat që kryejnë shpime do të duhet të zbatojnë rregullore të rrepta të sigurisë së mjedisit.

Revista Monitor, 18.01.2015