Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Probleme me energjinë në Jug-Lindje

Bashki dhe komuna të shumta në zonën Jug-Lindore të vendit po vuajnë mungesën e furnizimit me energji si pasojë e motit të keq.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pas analizimit të situatës ka shpallur gjendjen e emergjencës brenda kompanisë. Janë ngritur 22 brigada pune me 150 punonjës nga 6 Drejtoritë Rajonale të Shkodrës, Gjirokastrës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit.

Grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për stabilizimin e situatës, ndërsa në qytetin e Librazhdit është ngritur shtabi i emergjencës. Në datat 4 dhe 5 Janar, si pasojë e ndërhyrjeve të shumta në terren është bërë e mundur që të rikthehet energjia për 4500 abonentë. Operatori i shpërndarjes bën të ditur se, është bërë identifikimi i të gjithë abonentëve që janë në mungesë të energjisë elektrike dhe po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të dritave.

Për shkak të motit të keq, si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rrugëve të bllokuara nga bora dhe ngrica mbeten problematike zona të shumta të thella, ku aksesi në nënstacionet elektrike është bërë thuajse i pamundur. Ndërkohë që ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës së rrjetit kanë vuajtur edhe zona të ndryshme në qendër të Tiranës.

Djegia e transformatorëve ka lënë pa energji elektrike gjatë mbrëmjes së djeshme qendrën e Kryeqytetit, zonën e Liceut Artistik, rrugën e Elbasanit dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kompania e shpërndarjes së energjisë siguron të gjithë abonentët se po punohet intensivisht për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të situatës së krijuar.

Scan Tv,  06.01.2015