Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE: Vendimi për çmimin, në datën 26

Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike nga ana e Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator do të merret ditën e Premte, më datë 26 Dhjetor.

Burime nga Enti Rregullator i Energjisë konfirmojnë për TV SCAN se, marrja e një vendimi ka zgjatur në kohë për shkak të analizës që po i kryhet kërkesës së Operatorëve Energjetikë.

Megjithatë, fakti që, qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm një fond prej 16 milionë dollarë për rimbursimin e çmimit të ri të energjisë elektrike është në mënyrë jo të drejtë për drejtë vetë përcaktimi i çmimit, që pritet të jetë rreth 10 lekë për kilovator, pa përfshirë këtu TVSH-në prej 20% të vlerës. Operatorët energjetikë shprehën në kërkesat e tyre një rritje të çmimit, pasi në kushtet aktuale është e pamundur të funksionojnë në tregun energjetik shqiptar.

Për më tepër, ekspertë të shumtë të energjisë, por edhe vetë përfaqësues të qeverisë, janë shprehur se, operimi me dy tarifa të ndryshme për çmimin e energjisë që paguan konsumatori final lë vend për abuzime, por edhe vështirëson situatën energjetike përsa i përllogaritjes së kostove.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, që është edhe ndërmarrja e parë që dorëzoi kërkesën pranë ERE, ka kërkuar një rritje me 10% të tarifave, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kërkuar gati një rritje të çmimit në vlerën e 50%. Operatori i Shpërndarjes nuk ka bërë publike vlerën e rritjes së çmimit të kërkuar, por është kërkuar një mesatare mes dy fashave që paguahen aktualisht.

Gjithsesi, për të parë çmimin e ri të energjisë me të cilin do të përballen qytetarët shqiptarë, na duhet të presim mbledhjen e bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë më datë 26 Dhjetor.

Scan TV, 23.12.2014