Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Masat që të bindin të paguash energjinë

Masat e ndërmarra nga qeveria për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, por edhe penalizimi me masa të rënda ndëshkuese ndaj abuzuesve ka bërë që qytetarë të shumtë të paguajnë detyrimet e prapambetura.

Edhe në ditët e fundjavës, apo gjatë festave, sportelet e shërbimit të klientit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë qenë të hapura, madje duke punuar me dy turne.

Fluksi i madh dhe dëshira për të shlyer detyrimet e prapambetura të energjisë vjen si pasojë e penalizimeve të shumta që janë ndërmarrë në sektor. Nga aksionet e deritanishme, janë prerë më shumë se 52 mijë lidhje të paligjshme në të gjithë vendin.

Ndërsa që me hyrjen në fuqi gjatë javës së kaluar, të vendimit të Këshillimit të Ministrave për zbritjen e vlerës në 80 % të kamatvonesave për pagesat e menjëhershme, janë 1122 abonentë familjarë që kanë përfituar nga kjo masë. OSHEE ka lidhur 4131 aktmarrëveshje po gjatë javës së kaluar, me abonentë të tjerë familjarë për pagimin me këste të detyrimeve për energjinë e konsumuar.

Megjithatë, ende nuk bëhet e ditur nga qeveria se sa është borxhi total që qytetarët i detyrohen operatorit të shpërndarjes, por fak është se, veprimet e fundit kanë sjellë një ulje të ndjeshme të vjedhjeve në rrjetin elektrik si edhe një rritje të arkëtimeve. Humbjet kanë arritur në nivelin e 37.8% nga 48% që ishin një vit më parë, ndërsa të ardhurat shtesë në arkën e OSHEE përllogariten në rreth 70 milionë dollarë.

Masat shtrënguese nga ana e qeverisë duket se kanë dhënë efekt, por pa harruar këtu se edhe vetë operatori ka një histori të gjatë abuzimesh me konsumatorët e rregullt. Janë të shumta rastet e mbifaturimeve që nuk kanë marrë përgjigje, apo dëmtimi i pajisjeve shtëpiake për shkak të luhatjeve të tensionit. Të shohim nëse marrëdhënia mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes do të funksionojë në bazat e etikës tregtare, ashtu siç edhe përshkruhet në kontratë.

Scan TV, 08.12.2014