Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers i shet ARMO-s 30% të prodhimit

Kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, më e madhja e prodhimit të naftës në vend, bën të ditur ka nisur t’i shesë një pjesë të prodhimit rafinerisë vendase të naftës, ARMO, ndryshe nga më parë, kur pothuajse i gjithë prodhimi dërgohej për eksport.

Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania” Leonidha Cobo pohon se “duke nisur nga muaji gusht me lidhjen e kontratës, 30% të prodhimit tonë ia shesim kompanisë së vetme të përpunimit në vend të naftës, “Armo”.

Më parë, Bankers e kishte ndërprerë furnizimin me naftë për rafinerinë shqiptare, për shkak të detyrimeve të pashlyera që i kishte kjo e fundit. Por, burimet nga bankers pohojnë se me lidhjen e kontratës, bashkë me blerjen e naftës është zgjidhur dhe çështja e detyrimeve të prapambetura të krijuara vitet e fundit nga “Armo”.

Prej vitit 2004 kur nisi të operojë me marrëveshje koncensionare për nxjerrjen e naftës në Patos-Marinëz, zona më e madhe naftëmbajtëse në Europë dhe deri sot, “Bankers Petroleum” ka investuar në 10 vjet mbi 1,4 miliardë usd dhe nga 600 fuci naftë/ditë në 2004, ka arritur sot prodhimin ditor mbi 20.000 fuci naftë.

Totali i puseve të shpuara në periudhën 2004-2014 arrin 470 ndërsa ka pastruar mbi 600 sheshe pusesh të ndotura. Kompania parashikon të hapë dhe 995 puse të tjerë deri në fund të kontratës 35-vjeçare.

Me hapjen e puseve horizontalë, një teknologji e fjalës së fundit sot, kompania kanadeze ka dyfishuar rezervat e nxjerrshme nga 101 milionë fuçi naftë në vitin 2006, në 232,2 milionë fuçi naftë, ndërsa llogaritet që rezervat gjeologjike të naftës në këtë zonë të arrijnë në 5,1 miliardë fuçi naftë.

Revista Monitor, 21.11.2014