Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kushtet për marrjen e liçencës së përpunimit të naftës

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE E TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E “LICENCËS SË PËRPUNIMIT” PËR IMPIANTET E PËRPUNIMIT TË NËNPRODUKTEVE TË NAFTËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12/1, 17 e 18/1, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ndërtimi dhe funksionimi i impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës bëhet nga personat juridikë, pasi ato të jenë pajisur me “Licencën e përpunimit”, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet (Ministria), sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Personat juridikë, subjekte aplikuese, paraqesin në ministri kërkesën për t’u pajisur me “Licencën e përpunimit”, shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:

a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, që vërteton se personi juridik është krijuar në formën e shoqërisë aksionare, ku në objekt të ketë të përcaktuar veprimtarinë për përpunimin e nënprodukteve të naftës;
b) Dokumentin që vërteton se subjekti nuk është në proces falimentimi, sipas parashikimeve të ligjit për falimentimin;
c) Projektin teknologjik që do të zbatohet për ndërtimin e impiantit të përpunimit dhe ambienteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes ndaj zjarrit, të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës. Projekti duhet të përmbajë të dhëna për bilancin material dhe treguesit financiarë të impiantit që do të ndërtohet;
ç) Kartën teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë. Karta teknologjike duhet të jetë e miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;
d) Studimin paraprak të fizibilitetit për veprimtarinë që do të realizojë shoqëria;
dh) Lejen e mjedisit të veprimtarisë, të lëshuar nga organi përgjegjës;
e) Dokumentet me të dhënat e nevojshme për vendin e ushtrimit të veprimtarisë, si skemë-ideja e genplani, dhe dokumente që provojnë raportin me truallin ku do të ushtrohet veprimtaria, si certifikatë pronësie, kontratë qiraje etj., për një periudhë jo më të vogël se koha e vlefshmërisë së “Licencës së përpunimit” për impiantin e përpunimit e magazinën që do të përdorë;
ë) Dokumentin që vërteton se vendi i parashikuar për ndërtimin e impiantit të përpunimit është i përcaktuar për ndërtimin e objekteve të kësaj natyre në një nga instrumentet e planifikimit të territorit, në përputhje me ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Në rast se aplikimi për licencim bëhet nga subjektet, të cilat kanë ndërtuar impiantin në një periudhë të mëparshme kohore, referuar kërkesave të nenit 15, të ligjit nr.71/2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, subjekti aplikues është i detyruar të paraqesë lejen përkatëse të ndërtimit të objektit në përputhje me legjislacionin në fuqi;
f) Skemën e funksionimit të impiantit të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;
g) Kontratën e punësimit të drejtuesit teknik që do të ndjekë realizimin e projektit të impiantit dhe vënien në përdorim të tij;
gj) Dokumente në formën e një letre komforti, marrëveshjeje paraprake kreditimi ose çdo dokument tjetër, që vërtetojnë mbështetjen financiare të projektit nga institucione financiare ose bankat vendase a të huaja, ku përcaktohen qartë vlerat monetare për financimin dhe struktura e financimit (financim i vetë aplikuesit, kredi bankare, donacione apo financime të tjera) për ndërtimin e impiantit të përpunimit;
h) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për aktivitetin e shoqërisë, lëshuar nga gjykata;
i) Dokumentin që vërteton se përfaqësuesi i subjektit aplikues nuk ndodhet në ndjekje penale, lëshuar nga prokuroria;
j) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka plotësuar detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore;
k) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore;
l) Të dhëna për kapacitetet depozituese në projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit. Për këtë, subjekti aplikues duhet të provojë se kapaciteti minimal i depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës që do të prodhojë impianti i përpunimit, duhet të jetë në përputhje me kërkesat për kapacitet më të vogël depozitimi që kërkohet për shoqëritë që pajisen me licencë tregtimi (me shumicë), sipas legjislacionit në fuqi.
Dokumentet vërtetuese duhet të jenë të përpiluara në gjuhën shqipe, origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për dokumentet e përkthyera në gjuhën shqipe, vërtetimi i nënshkrimit të përkthyesit bëhet nga noteri.

3. Në bazë të parashikimeve të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, subjektet juridike, që aktualisht kanë ndërtuar impiante dhe operojnë në veprimtarinë e përpunimit të nënprodukteve të naftës, janë të detyruara:

a) të aplikojnë për licencim, duke plotësuar kushtet e përcaktuara në këtë vendim;
b) të paraqesin të gjithë dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përveç dokumentit të përcaktuar në shkronjën “gj”, po të pikës 2.

4. Për verifikimin e dokumentacionit dhe plotësimin e kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet ngrihet komisioni i shqyrtimit të aplikimeve, i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë me përvojë në fushën hidrokarbure, juridike dhe ekonomike.

5. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve shqyrton dokumentacionin brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes dhe, kur e çmon të arsyeshme dhe brenda afatit të shqyrtimit, ka të drejtë të kërkojë sqarime apo të dhëna shtesë nga aplikuesi, të realizojë verifikime të të dhënave pranë institucioneve të tjera, si dhe të verifikojë në terren elemente të caktuara të projektit e të vendndodhjes së impiantit që do të ndërtohet etj.

6. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe verifikimet e kryera në institucionet e tjera dhe/ose në terren rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport dhe njofton subjektin aplikues për dokumentacionin që mungon dhe të drejtën e tij për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet përkatëse jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga dërgimi fillestar i njoftimit. Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve mblidhet dhe merr vendim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e depozitimit të dokumentacionit të plotësuar ose brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e përfundimit të afatit të depozitimit, nëse subjekti aplikues nuk ka bërë plotësimin e dokumentacionit.

7. Në rast se subjekti aplikues nuk plotëson dokumentacionin dhe kushtet përkatëse brenda afatit të përcaktuar në pikën 6 ose kur dokumentacioni i plotësuar brenda afatit ka mangësi e, si pasojë, aplikimi nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport vlerësimi dhe i propozon ministrit refuzimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri i njofton subjektit aplikues refuzimin e aplikimit për dhënien e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve. Në këtë rast, subjekti i interesuar ka të drejtë të paraqesë ankim në gjykatën kompetente, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes dijeni për refuzimin e aplikimit. Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë në çdo kohë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar.

8. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit të aplikimeve brenda afateve të përcaktuara në pikën 5 dhe, sipas rastit, në pikën 6, rezulton se plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport vlerësimi dhe i propozon ministrit miratimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri miraton “Licencën e përpunimit” të impiantit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve.

9. Në dokumentin e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës përcaktohen:

a) numri dhe data e miratimit të licencës dhe e hyrjes në fuqi;
b) emri, selia e subjektit dhe të dhënat për regjistrimin si person juridik;
c) vendi ku ushtrohet veprimtaria e impiantit për përpunimin e nënprodukteve të naftës;
ç) emërtimi teknologjik dhe parametrat teknikë e teknologjikë të impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës, si dhe standardet e përpunimit të nënprodukteve të naftës;
d) afati i përgatitjes së dokumenteve sipas pikës 10, të këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së “Licencës së përpunimit”, si dhe e drejta për rinovim të licencës.
dh) të dhënat që duhet të paraqesë periodikisht subjekti i licencuar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së përpunimit të nënprodukteve të naftës. Në dokumentin e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës mund të përcaktohen edhe elemente të tjera, të cilat vlerësohen të arsyeshme dhe të argumentuara, sipas akteve juridike dhe përcaktimeve për teknologjinë e përpunimit të nënprodukteve të naftës, që janë në fuqi. “Licenca e përpunimit” përgatitet në dy kopje, nga të cilat njërën e merr subjekti, ndërsa tjetra ruhet në arkivin e ministrisë, së bashku me të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga subjekti aplikues.

10. Personi juridik i pajisur me “Licencën e përpunimit”, që do të ndërtojë një impiant përpunimi, duhet të fillojë aplikimin për marrjen e Lejes Zhvillimore Komplekse sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe akteve nënligjore të nxjerra për zbatimin e tij, brenda një periudhe prej 1 viti nga data e miratimit të “Licencës së përpunimit” nga ministria. Me përfundimin e ndërtimit të impiantit sipas Lejes Zhvillimore Komplekse, subjekti duhet të pajiset me leje përdorimi në përputhje me parashikimet e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Për vënien në funksionim të impiantit merret vërtetimi teknik për respektimin e normave dhe kushteve teknike, si dhe të kapaciteteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, që do të prodhojë impianti i përpunimit, lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës, sipas kritereve të përcaktuara nga ministri.

11. Formulari-tip, kërkesa-tip dhe dokumenti e formati tip i “Licencës së përpunimit” për impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet.

12. Në rast mosrespektimi të afateve dhe kërkesave ligjore të përcaktuara në pikën 10, të këtij vendimi, “Licenca e përpunimit” shfuqizohet.

13. Shoqëria e pajisur me “Licencën e përpunimit” ka detyrimin të njoftojë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike, ministrinë për çdo ndryshim, që i referohet dokumentacionit dhe kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në bazë të të cilave është dhënë “Licenca e përpunimit”.

14. Impiantet e përpunimit janë të detyruara të zbatojnë normat dhe kushtet teknike të projektit. Ndryshimet në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të impianteve të përpunimit bëhen vetëm me miratimin e ministrisë.

15.Transferimi i “Licencës së përpunimit” bëhet vetëm pas miratimit të ministrisë, sipas rregullave të veçanta të miratuara nga ministri përgjegjës për hidrokarburet dhe me kusht që personi juridik, tek i cili transferohet “Licenca e përpunimit”, duhet të plotësojë aftësitë e nevojshme teknike dhe financiare, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “f”, “gj”, “h”, “j”, “k”, të pikës 2, të këtij vendimi.

16. Dhënia e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve e naftës bëhet kundrejt pagesës nga subjekti aplikues të tarifës prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, ndërsa rinovimi i “Licencës së përpunimit” bëhet kundrejt pagesës së tarifës 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë. Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e këtyre tarifave, derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit.

17. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI EDI RAMA

energjia.al 13.11.2014