Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Cani: Reforma në energji, jo rritje çmimi

Ministri i Financave i Shqipërisë, Shkëlqim Cani ka deklaruar të shtunën nga Uashingtoni se reforma në sektorin e energjisë nuk synon rritjen e çmimeve për qytetarët, por eliminimin e mundësisë së vjedhjeve.

Në një intervistë për VOA, Cani ka nënvizuar se çmimi i energjisë nuk ka qenë pjesë e bisedimeve që ai ka zhvilluar me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Qeveria është treguar e kujdesshme gjatë bisedimeve që të mos preken çmimet e energjisë. Pra, kjo është thënë, është stërthënë dhe është artikuluar nga ministra të ndryshëm. Natyrisht nga ministri përkatës, zoti Gjiknuri, por edhe nga kryeministri. Tani më bie radha mua që të rikonfirmoj se nuk ka qenë pjesë e bisedimeve çështja e rritjes së çmimit të energjisë. Pra, ne nuk e negociojmë”, ka thënë Cani.

Ministri i Financave ka bërë me dije se temat e bisedimeve për takimin e vjeshtës, ku bëhen parashikimet për vitin e ardhshëm, përfshinin përveç energjisë edhe paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015.

“Kryesisht është biseduar në këtë drejtim: të ketë një paketë fiskale fleksibël, në ndihmë të biznesit, në ndihmë të popullatës dhe kuptohet në ndihmë të buxhetit. Sa i përket buxhetit, është vendosur si parësore që të ndihmohet rritja ekonomike, ndërkohë që të shihet edhe mundësia e uljes së borxhit për vitin 2015”, ka thënë Cani.

Ai ka theksuar se pas 5-6 viteve të vështira, kur borxhi ka pasur tendencë rritjeje, për herë të parë ka ndërruar kah për vitin 2015 dhe ka filluar ulja.

“Fakti që FMN-ja u largua në shtator pa përfunduar rishikimin e radhës dhe pa lëvruar këstin e parashikuar, i detyrohej pikërisht kompleksitetit të çështjeve financiare për të cilat u diskutua këtë radhë në Uashington”, ka thënë Cani.

Top Channel, 11.10.2014