Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nëse përballemi me krizë nafte

Në korrik, Komisioni Europian publikoi një studim mbi sigurinë energjetike të Europës. Sipas studimit, varësia e Europës ndaj importit të burimeve fosile, si nafta, qymyri e gazi do të rritet për shkak të pakësimit të prodhimit të tyre në Europë. Nga viti 1995 deri në 2012 prodhimi i naftës në Europë u pakësua me 56%, prodhimi i gazit natyror me 30%, kurse prodhimi i qymyrit me 40%. Varësia e Europës nga importi mund të sjellë mungesa të naftës në treg. Raporti parashikon disa mundësi veprimi në rast se kjo ndodh. Këto strategji janë relevante dhe për Shqipërinë. Metodat e reja të nxjerrjes së naftës që po aplikohen në Shqipëri vërtet sjellin një bum në prodhim, por përshpejtojnë rënien e prodhimit pas përfundimit të bumit. Edhe në rast rritjeje të vazhdueshme të prodhimit shqiptar të naftës, një konkurrencë në rritje mes vendeve të rajonit për qasje ndaj naftës shqiptare dhe asaj të huaj, do të sillte pasoja negative në furnizimin vendas. Çfarë masash mund të marrin shtetet europiane në rast skarciteti të naftës në treg? Raporti përmend krijimin e stoqeve të emergjencës si mënyrën më të lehtë dhe më të shpejtë të reagimit. Edhe Shqipëria e ka këtë detyrim si anëtare e Komunitetit të Energjisë.

Masa tjetër, më pak popullore, është kufizimi i përkohshëm i kërkesës për naftë. Masat kufizuese zakonisht synojnë sektorin e transportit, sepse aty konsumohet kryesisht nafta. Kufizimi i kërkesës mund të realizohet me fushata informimi që inkurajojnë njerëzit të përdorin më shumë transportin publik, deri te ndalimi i qarkullimit për makinat me targa teke/çifte. Në rast të ndërprerjes serioze dhe të zgjatur të furnizimit, grupet e preferuara të konsumatorëve të naftës si p.sh. spitalet, zjarrfikësit, duhet të kenë furnizim të mjaftueshëm me naftë, çka mund të çojë në përdorimin e kuotave/ racionimit të naftës. Ndërgjegjësimi i publikut shqiptar për perspektivën e mundshme të mungesave në furnizimin me naftë është shumë i ulët. Strategjia jonë kombëtare e transportit mbështetet plotësisht në transportin me hidrokarbure dhe veçanërisht në transportin me automjete private. Mungesa të mundshme të furnizimit me naftë do të na gjenin me një sektor transporti plotësisht të papërgatitur. Strategjia kombëtare e sigurisë e aprovuar me ligjin nr. 103/2014, datë 31.07.2014, e barazvlerëson krizën energjetike me krizën në sektorin e energjisë elektrike dhe nuk identifikon rrezikun e një transporti plotësisht të varur nga burimet fosile.

Strategjia e ardhshme shqiptare e sigurisë energjitike si dhe ajo aktuale e transportit duhet të përfshijnë këtë rrezik dhe masat për përballimin e tij në analizën e tyre. Si masa afatgjata për pakësimin e ndikimit në ekonomi të një krize nafte mund të konsiderohen zhvillimi i hekurudhave e transportit detar; planifikimi urban i qyteteve të dendura; nxitja e udhëtimit me biçikleta; me këmbë; nxitja e bujqësisë peri-urbane etj.

Nga Rita Strakosha

Gazeta Shekulli, 08.10.2014