Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Panelet PV: sa afër dhe sa larg

Panelet fotovoltaike (panelet PV) po përhapen me shpejtësi kohët e fundit në Shqipëri. Në Vaqarr, Tiranë, kryeministri përuroi së fundmi ndriçim rrugor me panele PV. Panelet PV janë instaluar nga Valbona, në Theth, në Rrajcë të Librazhdit, në Finiq të Sarandës, në Shkodër, Tiranë etj.

Në impiantin e ri të pastrimit të ujërave të zeza në Korcë janë instaluar 4180 module diellore me kapacitet total 1 Mw, të cilat do të furnizojnë me energji impiantin.

Por për përhapjen masive komerciale të tyre, përtej projekteve të sponsorizuara nga donatorët, po bëhet pengesë pezullimi i zbatimit të ligjit për energjitë e rinovueshme. Sipas ligjit, OSHEE është e detyruar të fusë në rrjet si burime energjie dhe tu blejë energjinë paneleve PV që e kërkojnë këtë. Por OSHEE nuk lidh në rrjetin elektrik asnjë panel PV derisa të aprovohen VKM-të e rregulloret në zbatim të ligjit e të vendoset përfundimisht çmimi me të cilin do të blihet energjia elektrike nga impiantet diellore. Impianti diellor i Korçës është lidhur me rrjetin e shpërndarjes por me vendim të posaçëm qeverie. Në maj, në Tiranë, u organizua dhe një konferencë nga Qendra “Grupimi Ekolëvizja”, mbi energjitë e rinovueshme, ku përfaqësues të bizneseve të paneleve diellore kërkuan heqjen e pengesave ligjore ndaj lidhjes së paneleve diellore në rrjetin elektrik. Mundësimi ndaj paneleve PV që të shesin energji nëpëmjet rrjetit të shpërndarjes do të pakësonte ndjeshëm koston e tyre dhe do të nxiste përhapjen e tyre në treg.

Sipas Drejtorit të Burimeve Energjitike të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë në Ministrinë e Energjisë e të Industrisë, Z. Gjergji Simaku, amendimet e ligjit për energjitë e rinovueshme tashmë janë gati dhe është çështje muajsh vënia në zbatim e tyre. Draft-ligji i ri parashikon blerjen nga OSHEE të energjisë së prodhuar nga panelet PV me çmimin që kjo e para e shet energjinë (pra me kompensim).

Nxitja e përhapjes së energjive të rinovueshme vjen dhe në kontekstin e një krize në Europë të burimeve fosile si burim energjie. Në korrik Komisioni Europian publikoi një studim mbi sigurinë energjitike europiane i cili tregon se vartësia e saj nga gazi, qymyri e nafta e huaj do të vijnë duke u rritur, dhe përhapja e energjive të rinovueshme do të jetë domosdoshmëri për të pakësuar këtë vartësi. Shqipëria mesatarisht 30% të energjisë elektrike e importon nga vendet e rajonit, gjithashtu varet plotësisht nga burimet fosile për transport, prandaj do të ndjejë këtë skarcitet në rast se nuk shton burimet alternative të energjisë. Panelet PV nuk duhet të mbeten për shqiptarët si një vegim i këndshëm që është afër në ëndrra por larg në realitet.

Ekolëvizja, 02.10.2014