Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria merr presidencën e Komunitetit të Energjisë

Në mjediset e Akademisë Diplomatike të Kievit në Ukrainë zhvilloi punimet sesioni i 12-të i Këshillit Ministerial të vendeve pjesë të Komunitetit të Energjisë. Takimi u bashkëdrejtua nga zv.Presidenti i Komisionit Evropian Z. Gunther Oettinger, Kryeministri i Ukrainës Z.Arseniy Yatsenyuk, Ministri i Energjisë së Ukrainës Z.Yuri Prodan në cilësinë e vendit që mban Presidencën e Komunitetit të Energjisë dhe Ministri i Energjisë e Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri si vendi që merr Presidencën për vitin 2015.

Ministri Gjiknuri paraqiti para të pranishmëve prioritetet e Presidencës shqiptare dhe objektivat kryesore. Z. Gjiknuri tha se prioriteti kryesor do të jetë reforma e Komunitetit të Energjisë dhe vënia në zbatim e rekomandimeve të propozuara me synim krijimin e një bashkimi energjitik. “Sot, më shumë se kurrë, palët kontraktuese duhet të kuptojnë rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të plotë të kuadrit ligjor të Komunitetit të Energjisë me qëllim reformimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një zone të përbashkët rregullatore me Bashkimin Evropian”, u shpreh Z.Gjiknuri.

Ministri tha se e mbështet plotësisht rolin aktiv të Komunitetit të Energjisë në promovimin e tregut të integruar energjitik dhe përpjekjet për zbatimin e paketës së tretë të energjisë.

“Zbatimi i paketës së tretë, ndonëse nuk do të jetë diçka e lehtë, është parakusht për një kuadër rregullator dhe koherent, si bazë për një treg të integruar evropian të energjisë që siguron konkurencë efektive dhe fuqizon rolin e konsumatorit”, u shpreh Ministri.

Z.Gjiknuri insistoi se politikat që garantojnë furnizim të sigurtë, konkurues dhe të qëndrueshëm të energjisë do të jenë në krye të axhendës. Në këtë linjë, ministri përmendi adoptimin e rregullave të reja për të adresuar sfidat e ardhshme, konkretisht rregulloren mbi sigurinë e furnizimit me gaz, atë për infrastrukturën energjetike, transparencën në tregjet e energjisë dhe direktivën e efiçiencës së energjisë.

Në raportin përfundimtar për zbatimin e reformave në vendet anëtare, që u miratua nga të gjithë anëtarët e Komunitetit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian u vlerësua zgjidhja e konfliktit për çështjen e investimeve me CEZ-in si një gur themeli për kryerjen e reformave aq të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri.

Me kërkesë të Ministrit Gjiknuri u shtua si prioritet për Komunitetin e Energjisë për vitin e ardhshëm Korridori i gazit, duke përfshirë projektin e gazsjellësit TAP si lider të këtij korridori.

energjia.al 23.09.2014