Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia falas në Baldushk

Kur OSHEE është në mes të fushatës për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin elektrik, zbulojmë se në zonën e Baldushkut lidhja e paligjshme e pompave të ujit është në modë.

Baldushku shtrihet pranë lumit Zhullima, uji i të cilit përdoret për vaditjen me pompë të parcelave që shtrihen pranë tij. Disa fermerë të zonës që kanë në afërsi të parcelës së tyre shtylla elektrike kanë gjetur zgjidhjen më të shpejtë e më të lirë, duke realizuar lidhje të paligjshme.

Pompat me karburant pak përdoren sepse vaditja me to kushton më shumë. Lidhjet e paligjshme realizohen kryesisht natën na thotë një banor i zonës. Fushata e qeverisë për të shtuar arkëtimet është shtrirë deri në Baldushk. Personat e kapur në shkelje janë paralajmëruar të ndërpresin lidhjet e paligjshme. Por një fenomen kaq i përhapur do të kërkojë vite që të çrrënjoset nga ndërgjegja kolektive.

Punonjësja e postës së Baldushkut na sqaron që nëse një vit më parë shpesh faturimet bëheshin me vonesë, këtë vit faturimet janë të përmuajshme, kurse fshatarët janë më të rregullt në pagesa. Megjithëse elektriçisti i zonës premtoi të na takojë për të na dhënë informacion mbi situatën e vjedhjeve në zonë, nuk vjen në takim.

Me raste vjedhja e energjisë elektrike bëhet dhe me dijeninë e punonjësit përgjegjës të OSHEE-së. Pakësimi me sukses i vjedhjeve të energjisë do të duhet të shoqërohet dhe me forcimin e disiplinës brenda vetë OSHEE-së.

Në këto kushte, për përdorimin e pompave me energji diellore nga fermerët nuk bëhet fjalë. Këto janë më pak konkurruese ndaj pompave elektrike, kur për energjinë e konsumuar nga këto të fundit nuk paguhet. Por kjo është një situatë që nuk mund të vazhdojë gjatë.

Ekolëvizja, 22.09.2014