Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marrëveshja me CEZ ndikoi statusin

Zgjidhja e konfliktit me palën çeke për CEZ-in, si edhe aksioni i suksesshëm i policisë shqiptare në Lazarat, kanë qenë dy faktorët e rëndësishëm që ndikuan në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian prej Shqipërisë. Ky është konstatimi i një analize rreth zhvillimeve politike, ekonomike dhe integrimit evropian, që agjencia prestigjoze britanike “The Economist Intelligence Unit” ka kryer ndaj vendit tonë. “Duke parë këto zhvillime, – thekson ajo, – ministrat e Jashtëm të BE-së i thanë PO statusit të vendit kandidat në 24 qershor”. Duke shtuar se Shqipëria do ta ketë të mundur të nisë negociatat për zgjerim në fund të vitit 2015, e kjo është e arritshme, pasi qeveria ka një mandat të qartë dhe ngjashmëria e politikave me aleatin qeverisës duhet të mundësojë zbatimin e reformave politike dhe administrative të kërkuara nga BE-ja. “Reforma në drejtësi e vështirë, ka ende ndikim opozita në emërimet në drejtësi”, është një tjetër konstatim që jep “The Economist Intelligence Unit” për zhvillimet në Shqipëri. Dhe duke analizuar kërkesat e BE-së e në mënyrë të posaçme ato që lidhen me drejtësinë, analiza thotë se “Shqipërisë i është kërkuar të ndërtojë një regjistër me hetimet dhe çështjet e ndjekura nga Prokuroria ndaj të dyshuarve për përfshirje në korrupsion”. Kjo do të jetë një detyrë e vështirë sipas saj, pasi pavarësia e gjykatave është e limituar. “Ndikim kanë edhe sherret politike mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, por jo vetëm këto, pasi presidenti Bujar Nishani, është një ish-figurë e lartë e PD-së. Kjo do të thotë se opozita ka një kontroll të konsiderueshëm në emërimet në drejtësi”, është një fakt tjetër që bëhet me dije nga kjo analizë. Duke u kushtuar vëmendje edhe marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë për të cilat thotë se ato vijojnë të forcohen. Autoritetet shqiptare në përgjithësi e kanë distancuar veten e tyre nga nacionalistët të cilët bëjnë thirrje për “Shqipërinë e Madhe”. Koalicioni socialist qeverisës vlerëson “The Economist Intelligence Unit”, ka të ngjarë të jetë më shumë i vetëkontrolluar në këtë drejtim krahasuar me qeverisjen e shkuar të qendrës së djathtë. Për të përfunduar me analizën në aspektin ekonomik dhe theksuar se teksa u trashëgua një situatë e rënduar, pritet rritje modeste, por e qëndrueshme.

Konkretisht, për këtë vit “The Economist” parashikon që rritja e prodhimit të jetë në nivele modeste rreth 2%, ndërsa vitin tjetër sipas saj, ajo do të përshpejtohet në 3%. Por, siç vëren raporti, ky parashikim ka një rrezik që buron nga ecuria ekonomike e Eurozonës, e cila nëse do të jetë poshtë pritshmërive mund të godasë ringritjen e ekonomisë shqiptare.

Koha Jonë, 11.09.2014