Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tarifat e energjisë ndryshojnë në dhjetor

Dy ditë më parë Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri la të kuptohej në një dalje publike se do të ketë rritje të çmimit të energjisë, por pa prekur konsumatorin në nevojë.

U interesuam dje për të marrë vesh nëse ka një tabelë të tarifave, si do të funksionojë, sa do të jetë rritja, por ende nuk ka një përcaktim të tyre.

Po kështu dje kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Petrit Ahmeti në një prononcim për mediat dje është shprehur se do të jetë muaji dhjetor, koha kur do të përcaktohen tarifat e reja për pagesën e energjisë elektrike, duke pranuar që do të ketë një ndryshim të tarifimit, por ende të papërcaktuar se në cilat nivele.

Kryetari i ERE Petrit Ahmeti, sqaron se aktualisht kompanitë po sjellin raportet dhe në bazë të performancës së tyre do të vendoset edhe nëse do të ketë një ndryshim të çmimit apo jo.

“Brenda dhjetorit duhet të merret vendimi përfundimtar në lidhje me çmimin e nergjisë elektrike, për të gjithë kategoritë e konsumatorëve”, u shpreh dje kreu i ERE.

Sipas tij pranë Entit Rregullator po bëhet procesi i aplikimit nga kompanitë, “të cilat aplikojnë pranë Entit Rregullator për çmimet e energjisë elektrike bazuar në përformancën e tyre, në bilancet e tyre dhe në kërkesën e tyre që kanë për të ardhurat, për shitjen apo blerjen e energjisë elektrike”.

“Hapi i dytë është të realizohet një seancë publike dëgjimore, e cila do të realizohet me të gjitha palët e interesuara, ku ne marrim dhe përthithim proçesin dhe nivelin e çmimeve të energjisë elektrike”, u shpreh Ahmeti duke shtuar dhe një hap të tretë që është vendimi, i cili do të merret brenda muajit dhjetor.

Ndërkohë që po analizohen disa skenarë të ndryshimit të çmimit të energjisë, sipas Ahmetit shumë mundësi ka të vendoset heqja e fashës deri në 300 kwh.

“Ajo është një nga alternativat që ne po mendojmë, por natyrisht ajo kërkon një analizë të thellë, nga pikëpamja organizative që ka kompania, por edhe nga pikëpamja e eficiencës që do të ketë heqja apo mos heqja e çmimit me dy blloqe”, u shpreh Ahmeti.

Gazeta Dita, 05.09.2014