Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ISIS, kontrabandë nafte

Gjatë mujave të fundit, militantët e Shtetit Islamik në Irak pushtuan 4 rafineri të vogla të naftës, në kohën kur avanconin në pjesën veriore të Irakut.

Tashmë, nafta bruto dhe benzina e nxjerrë nga këto rafineri po shitet kontrabandë për të financuar rimëkëmbjen e “kalifatit” islamik të deklaruar në kohët e fundit. Në afërsi të qytetit verior të Mosulit, militantët e ISIS kanë marrë në kontroll fushat naftëmbajtëse të Najma-s dhe Qayara-s, ndërkohë që më në jug, pranë Tikrit-it, kanë zaptuar fushat e Himreen-it dhe Ajil-it, gjatë avancimit dyditor në mesin e muajit Qershor. Fushat e naftës, në duart e “Shtetit Islamik” janë modeste, krahasuar me rafineritë gjigante të Irakut pranë Kirkuk-ut apo Basra-s, që janë nën kontrollin e kurdëve dhe të qeverisë qendrore të Bagdadit.

Shumica e puseve naftëmbajtëse të ISIS, që shkojnë deri në 80 të tilla sipas zyrtarëve kurdë, janë të mbyllura dhe nuk prodhojnë naftë. Por, monopoli mbi naftën në territorin e zotëruar prej tyre, i jep më shumë forcë ISIS përkundrejt fraksioneve të tjera të armatosura të sunitëve, gjë që mund të kërcënojë dominimin e këtyre të fundit në Irakun verior. Zyrtarët në Irak shprehen se gjatë javëve të fundit, grupi islamik ka transportuar naftë nga rafineria e Qayara-s, që mendohet se përpunohet nëpër rafineritë e lëvizshme në Siri për t’u kthyer në karburant të kualitetit të ulët dhe benzinë, e më pas merret sërish mbrapsht për t’u shitur në Mosul.

Ngarkesa të mëdha nafte të papërpunuar, shumica prej Najma-s, janë shitur gjithashtu përmes kontrabandistëve tek tregtarët turq me çmime tejet të ulta, rreth 25 dollarë për fuçi.“Shteti Islamik  po siguron përfitime prej miliona dollarësh me këtë tregti të jashtëligjshme”, shprehen zyrtarët. Një tjetër burim të ardhurash për ISIS janë edhe taksat që vendosen për të gjitha automjetet apo kamionët që sjellin mallra në Mosul. Një kamion i madh, mendohet se paguan një taksë deri në 400 dollarë, ndërsa kamionët më të vegjël paguajnë rreth 100 dollarë dhe autoveturat paguajnë 50 dollarë, gjithmonë nëse transportojnë mallra.

Scan TV,  23.07.2014