Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Adriatiku, “fuçi e madhe” nafte

Në vitin 1970, vetëm një kompani ka luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen dhe zhvillimin e industrisë së naftës dhe gazit në Greqi.

Ishte pikërisht kompania nga Toronto, Denison Mines, që atëherë njihej si kompania e uraniumit, por me ambicie të mëdha për të vendosur Mesdheun Lindor në hartën e energjisë. Denison punoi në zonën e quajtur Prinos dhe në Detin Egje deri në vitin 1990, kur çmimet e naftës ranë ndjeshëm. Konsorciumi i udhëhequr nga Denison dorëzoi të gjitha projektet tek qeveria greke dhe vendosi të largohet. Për dy dekadat e ardhshme, asgje e re nuk ndodhi në sektorin e naftës dhe gazit në këtë rajon, edhe pse faturat e energjisë u rritën ndjeshëm. Kjo situatë ndryshoi në vitin 2009, kur një eksplorues i ri, kompania Energean Oil & Gas, vuri në jetë fushën naftëmbajtëse në det të hapur.

Sot, ajo është prodhuesi i vetëm i naftës në Greqi dhe, me ndihmën e një kompanie të vogël kanadeze, Petra Petroleum, po udhëheqin ndryshimin dhe po tregojnë se Greqia mund të plotësojë një pjesë të konsiderueshme të nevojave të saj energjetike. Për këtë arsye edhe kompanitë e tjera të huaja po shfaqin interes. Por nuk është kjo historia emocionuese. Energean po eksploron zona të reja në perëndim të Greqisë, në Detin Adriatik, duke u transformuar nga një kompani e vogël e naftës dhe e gazit, në një lojtar mjaft të rëndësishëm.

Duke filluar nga jugperëndimi i Greqisë, më pas në Shqipëri, Malin e Zi e deri në Kroaci mendohet se gjendet një bllok shumë i pasur me naftë, që po tërheq emrat më të mëdhenj të kësaj industrie, si Chevron dhe Shell. Shqipëria, që ka pasuritë më të mëdha të naftës, në pjesën kontinentale dhe më pak në atë detare, në Europë, po shndërrohet në një prodhues të madh të naftës dhe gazit. Kompania e listuar në bursën e Torontos, Bankers Petroleum po zhvillon me sukses aktivitetin e saj në Shqipëri. Besohet se fusha e Patos-Marinzës, ku Bankers operon, ka një pasuri prej rreth 5 miliardë fuçi naftë.

Jo shumë larg nga këtu, në anën tjetër të Adriatikut, një “bum” i naftës po zhvillohet në Italinë e Jugut. Në rajonin e Basilicatës, gjigandi italian i naftës, ENI dhe homologu francez, Total, po punojnë së bashku në disa projekte që mund të dyfishojnë prodhimin e naftës në Itali në rreth 200 mijë fuçi në ditë. Ky rajon italian mendohet se mban rreth 1 miliardë fuçi naftë. Por lehtësia dhe potencialet nuk ekzistojnë në një mjedis të qetë. Ekzistojnë edhe disa rreziqe, sidomos ato politike.

Partia e ekstremit të majtë në Greqi, Syriza, që u rendit e para në zgjedhjet e Parlamentit Europian, ka deklaruar se do të shtetëzojë industritë e burimeve natyrore, edhe pse nacionalizimi nuk është politikë zyrtare e partisë. Ndërkohë, për sa i përket shtetëzimit, vendet e tjera të ballkanit, përfshirë dhe Shqipëria, shprehen kundër dhe po ndërtojnë strategji për privatizim të kompanive nxjerrëse dhe përpunuese, me qëllimin primar të operimit eficent në menaxhimin e burimeve natyrore.

Scan TV, 22.07.2014