Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sarandë, mungon energjia nga Borshi në Ksamil

Prej mbrëmjes së djeshme, zona e bregut nga Borshi në Ksamil nuk ka energji elektrike. CEZ Shpërndarje ka njoftuar për një akt të rëndë që ka ndodhur në zonë, ku gjatë natës janë vjedhur 2 kilometra përcjellës nga rrjeti i energjisë elektrike.

Punonjësit e CEZ-it kanë shkuar të bëjnë zëvendësimin e menjëhershëm, në mënyrë që të rikthehej energjia, por diçka nuk ka shkuar prapë mirë.

Pasi kanë bërë zëvendësimin e kabllove të vjedhur në orën 4 të mëngjesit të sotëm, zona nuk është furnizuar sërish me energji elektrike. 6 kilometra larg punimeve është konstatuar një vjedhje e dytë e përcjellësve të energjisë.

Ky akt i rëndë që dëmton jo vetëm banorët e zonës, por edhe imazhin e vendit gjatë sezonit turistik, vazhdon të lërë pa drita të gjithë zonën e Bregut. CEZ Shpërndarje njofton se ekipi i punonjësve po vazhdon punën për rikuperimin e dëmeve të kësaj grabitje të përsëritur.

Pas denoncimit në polici të vjedhjes së kabllove elektrike, CEZ Shpërndarje shpreh shqetësim dhe indinjatë për këto veprime të kundraligjshme, që shkaktojnë jo vetëm dëme financiare për kompaninë, por krijojnë një situatë të vështirë për funksionimin normal të furnizimit me energji elektrike për konsumatoret. CEZ Shpërndarje i bën apel organeve të rendit të vendosin përpara drejtësisë personat përgjegjës për këtë grabitje.

Top Channel, 04.07.2014