Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ethet e energjisë: Mianmar, rriten shpresat

Drejtorët ekzekutivë të energjisë nëpër të gjithë botën fërkuan duart në pritje të etheve të reja të arit në Mianmar kur vendi i izoluar filloi të hapet ndaj botës në vitin 2011. Ata janë ende duke pritur, por demokracia e dobët duket se po bëhet gati për to.

Para se Mianmari, i njohur edhe si Burma, të hapë për shfrytëzim rezervat e veta energjetike, ajo ka nevojë të rikrijojë qeverinë e vet, të ndryshojë në mënyrë themelore mënyrën se si bën biznes, të luftojë burokracinë, ryshfetin e korrupsionin, si dhe të përmirësojë infrastrukturën e vet të rrënuar.

“Njerëzit supozonin se sapo sanksionet të hiqeshin, do të ishte e lehtë të hyje”, thotë Erin Murphy, ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit, e cila ka krijuar një grup konsulence të përqendruar mbi Mianmarin. Investitorët potencialë e menduan Burmën si një vend në zhvillim, por në fakt ajo ishte shumë më pak e zhvilluar, thotë ajo.

Kompanitë ndërkombëtare qenë kaq shumë të interesuara për të hyrë në Mianmar sa më parë të qe e mundur, sa çmimet e zyrave me qira në Jangon apo Randon, qenë përkohësisht më të larta sesa në Nju Jork; çmimet e tepruara vijojnë të shkaktojnë skandal atje.

Investimet e huaja, gjithsesi, po afrohen në këtë vend, pasi shumica e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura kundër juntës ushtarake në vitin 1997 janë hequr, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e para demokratike në më shumë se dy dekada. (Junta ushtarake injoroi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 1990. Më 2012-n, zgjedhjet u ofruan partive të opozitës vetëm pak vende në Parlament.)

Investimet e huaja të drejtpërdrejta janë rritur ndjeshëm sakaq në Burma, nga 2 miliardë dollarë para tranzicionit politik në 2.7 miliardë vitin e kaluar, duke treguar rezultat në përpjekjet e vendit për ta bërë veten më joshës për kompanitë ndërkombëtare.

Për sektorin e energjisë, shumë vite pritshmëri dhanë frytet këtë pranverë, kur Mianmari dha me koncesion 20 blloqe për kërkim nafte dhe gazi në det për kompanitë e huaja, një hap shumë i rëndësishëm ky.

Tërheqja e më shumë kapitaleve nga jashtë ka rëndësi vendimtare; jo vetëm për të rritur prodhimin dhe eksportin e energjisë, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave të qeverisë. Në sektorin e energjisë ka rëndësi të veçantë tërheqja e investimeve të huaja për fuqizimin e ndryshimeve politike, për shkak se këto sipërmarrje kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje më të mirë.

Kur sundimtarët ushtarakë të Mianmarit filluan të liberalizojnë rregullat mbi sindikatat dhe mediat, liruan të burgosurit politikë dhe hynë në bisedime për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur me minoritetet etnike më 2011-n, pritshmëritë qenë të larta, sepse kompanitë ndërkombëtare do të garonin fort për të investuar në këtë vend.

Për kompanitë e energjisë në veçanti, Mianmar është vendosur në një pozicion ideal gjeografik për të furnizuar fqinjët e vet në Azinë Juglindore, të cilat kanë rritje të shpejtë. Dhe Burma ishte një nga vendet e para që ka eksportuar naftë që në vitet 1850.

Për shumë dekada, kompanitë perëndimore si “Total” dhe “Unocal”, e më pas “Chevron”, nxorën gaz natyror nga depozitat e mëdha në det, në zonën Yadana jashtë brigjeve jugore të vendit. Sektori i energjisë – përfshirë naftën, gazin dhe energjinë elektrike – zinin pjesën më të madhe të investimeve të huaja që mbërritën në këtë vend. Ajo që është më e rëndësishme, është se shumë kompani nafte besojnë se Mianmari ka rezerva edhe më të mëdha energjetike nga ato që janë zbuluar deri tani dhe që nuk janë eksploruar, për shkak të dekadave të sanksioneve dhe izolimit.

“Statoil” e Norvegjisë, për shembull, bashkoi forcat me “ConocoPhillips” dhe fitoi një bllok kërkimi në det këtë vit. Pavarësisht të gjitha sfidave të të bërit biznes në Mianmar dhe pasigurisë së vazhdueshme mbi tranzicionin politik, qëllimet e “Statoil” janë të qarta. “Ky është një basen i madh dhe praktikisht i paeksploruar me sistem të provuar nafte dhe me potencial të rëndësishëm për nxjerrje”, thotë zëdhënësi i “Statoil”, Knut Rostad.

Potenciali i pritshëm tërhoqi pothuajse 70 kompani të mëdha ndërkombëtare në garën e fundit; 30 prej tyre hodhën oferta dhe 200 fituan të drejtat për të filluar eksplorimin, përfshirë gjigantët “Statoil”, “Shell”, “Total”, “Chevron”, BG dhe “Eni”.

“Në termat e naftës dhe gazit, ky është me të vërtetë kufiri i ri i eksplorimit. Nuk ka pasur puse të shpuara në ujë të thellë, pra është me të vërtetë një nga kufijtë e fundit që gjendet nëpër botë”, thotë një drejtues i një kompanie perëndimore nafte.

Por, në fakt, shfrytëzimi i potencialit energjetik të Mianmarit ka kërkuar kohë, ka qenë i ngadaltë dhe jo shumë efikas.

Katër vjet pasi zgjedhjet i dhanë fund sundimit absolut të ushtarakëve dhe hapën rrugën drejt demokracisë, nuk ka pasur ende kontrata për prodhim dhe gjithçka është kufizuar tek e drejta e eksplorimit; asnjë nga fushat e reja të gazit nuk ka filluar të prodhojë. Më e rëndësishmja, numri i madh i kompanive të huaja që kërkojnë eksplorimin e naftës dhe gazit, si në tokë ashtu edhe në det, mund të përmbysin me punë numrin e vogël të zyrtarëve të shtetit që mbikëqyrin zhvillimin e dhjetëra projekteve të mëdha dhe të komplikuara, gjë që mund të shkaktojë vonesa të mëtejshme.

Ka shqetësime të tjera në rrugën e zhvillimit të burimeve, veçanërisht mungesa e të dhënave mbi burimet ekzistuese dhe koha e shkurtër në dispozicion për të kryer vëzhgimet gjeologjike. Për më tepër, rritja e urisë së Mianmarit për energji vendase, si gazi natyror për prodhim të energjisë elektrike, ka rritur frikën se qeveria do të detyrojë kompanitë të shesin më shumë nga ajo që prodhojnë për tregun vendas që sjell më pak fitime.

“Faktorët që gjenden mbi tokë kanë ndikim domethënës në shpejtësinë e zhvillimit të burimeve në Mianmar”, thotë Olivia Boyd, e cila është konsulente për Mianmarin tek IHS. Qeveria vonoi dhënien e koncesioneve për blloqet në det, një proces që filloi më 2012-n, deri në fillim të këtij viti, në përgjithësi për shkak të dëshirës për të thithur në garë vetëm kompanitë më të mëdha të botës, të cilat kanë për të zbatuar rregulla strikte për mbrojtjen e mjedisit.

Mianmari ka vendosur një kontratë standarde për të gjithë industrinë për të zëvendësuar modelin e vjetër të kontratave të negociuara sipas rastit. Vendi ka ashpërsuar kushtet për mbrojtjen e mjedisit, si dhe i ka bërë marrëveshjet e fshehta më me pak shanse për t’u arritur. Janë miratuar rregulla të reja për të luftuar ryshfetin dhe korrupsionin. Ndoshta hapi më i rëndësishëm është se ka aplikuar për t’u bashkuar me Iniciativën për Transparencë të Kompanive Nxjerrëse, një standard botëror që kërkon më shumë transparencë në zhvillimin e burimeve natyrore nëpër botë.

“Kompanitë e naftës kanë demonstruar se ata po tregohen shumë të kujdesshme kur vjen puna për të investuar në Mianmar dhe qeveria, gjithashtu, ka qenë shumë aktive për të trajtuar shqetësimet në lidhje me transparencën”, thotë Boyd.

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Penny Pritzker, hapi një zyrë të re tregtare në Jangon këtë muaj, duke dhënë idenë se angazhimi amerikan këtu mund të përshpejtojë reformat e Mianmarit. “Kur bizneset tona kryejnë investime, ato sjellin me vete standardet më të larta, përfshirë angazhimin për përgjegjësi korporative dhe shoqërore”, tha ajo.

E gjitha kjo mund të ndihmojë që Mianmari të shmangë të ashtuquajturën “mallkimi i burimeve”, kur vendet me pasuri të mëdha natyrore ushqejnë korrupsionin dhe pabarazinë duke minuar demokracinë. Në vend të kësaj, Mianmari mund të zbatojë standarde më të rrepta për partnerët e huaj, thonë Cullen Hendrix dhe Marcus në një studim të kohëve të fundit mbi ekonominë e vendit.

“Kjo është një lloj ethesh ari, por me kalimin e kohës djemtë (aventurierë) ikin dhe burrat qëndrojnë”, tha një drejtor nafte perëndimor, duke iu referuar faktit që mjedisi i duhur për investimet tërheq llojin e duhur të investitorëve.

Gazeta Shqip, 04.07.2014