Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shtohet punësimi në energjitë e rinovueshme

6.5 milion vende pune numërohen sot në sektorin e energjive të rinovueshme ose në sektorët e lidhur me të. Kjo sipas të dhënave të përditësuara të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjive t ë Rinovueshme (IRENA). Vlerësime të mëparshme flisnin për 2.3 milion vende pune në 2008(sipas Programit Mjedisor të OKB-së) dhe 5 milion vende pune në 2012 (Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës). Të dhenat tregojnë zgjerimin e punësimit në këtë sektor por janë dhe pasojë e zgjerimit të suksesshëm të raportimit nga vendet dhe sektorët e ekonomisë.

Trendi në rritje i vendeve të punës në energjitë e rinovueshme është shoqëruar me probleme në disa industri. Sidomos në sektorin e paneleve fotovoltaike, ku konkurrenca në rritje, mbikapacitetet, rënia e çmimeve janë ndjerë sidomos në 2-3 vitet e fundit. Këto kanë sjellë probleme por kanë sjellë dhe një bum në instalime. Punësimi i lidhur me panelet PV mendohet të jetë zgjeruar nga 1.4 milion vende pune në 2012 në 2.3 milion vende pune në 2013.

Punësimi i lidhur me panelet fotovoltaike tashmë është numri 1. në sektorin e energjive të rinovueshme, duke kaluar punësimin e lidhur me biokarburantet. Në biokarburante punojnë 1.45 milion punonjës, shumica e të cilëve merren me kultivimin dhe vjeljen e lëndës së parë si kallamin e sheqerit, misrin, apo palmat. Puna është fizike, e rëndë, dhe shpesh punohet në kushte poshtëruese. Përpunimi i lëndës së parë në biokarburante ofron shumë më pak vende pune, por ato që janë paguhen mirë dhe kërkojnë specializim.

Pas paneleve PV, në energjitë e rinovueshme janë mullinjtë e erës sektori ku punësohet më shumë, me 834 mijë vende pune. Por në vitin 2013 pati një rënie të punësimit për shkak të pasigurisë së politikave nxitëse në shumë vende. Në SHBA pati rënie të theksuar të instalimeve të reja, kurse në Europë dhe Indi tregjet e shitjes ishin të dobëta. Përkundrazi në Kinë dhe Kanada zhvillimet kanë qenë pozitive.

Vendet ku banon gjysma e popullsisë së botës-Kina, BE, Brazil, SHBA dhe India, kanë shumicën e punësimit në energjitë e rinovueshme: 5.8 milion vende pune të lidhura drejtpërdrejt ose indirekte me energjitë e rinovueshme, nga 6.5 milion në gjithë botën.

Për shumë vende saktësia e informacionit lë për të dëshiruar. Mbetet pyetja nëse punësimi në energjitë e rinovueshme sjell humbje të vendeve të punës në energjitë konvencionale. Me shkarbonizimin e ekonomive pritet rritja e mëtejshme e vendeve të punës në këtë sektor.

Ekolëvizja, 02.07.2014