Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në gjyq 13 ish-faturistë të CEZ

Aplikuan në mënyrë abuzive gjoba ndaj abonentëve, prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 13 ish-faturistë të CEZ.

Sipas një njoftimi për shtyp, mësohet se Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim kërkesën ndaj 13 ish-punonjësve të CEZ Shpërndarje, të akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit kompjuterik”. Harku kohor kur ka ndodhur abuzimi është viti 2010-2011 ndërsa dëmi ekonomik është shkaktuar për 1 600 abonentë.

“Në bazë të hetimit të kryer, rezulton se vetëm gjatë periudhën Tetor 2010-Janar 2011, këta ish-punonjës, nëpërmjet veprimeve fiktive, kanë aplikuar në mënyrë abuzive faturime me shënimin “dëm ekonomik” për mbi 1600 abonentë familjarë dhe jofamiljarë (biznese, etj), në shumën në total rreth 215 milion lekë të reja”.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu edhe një fakt tjetër interesant: në faturat abuzive që u janë shpërndarë abonentëve është shënimi “energji e pa matur” dhe “dëm ekonomik”, ndërsa në referimet që kanë bërë pranë kompanisë faturistët kanë shënuar “rilidhje e paligjshme”.

“Pra, abonentët e mbifaturuar në mënyrë abuzive nuk janë vënë në dijeni që shuma e madhe e parave që duhej të paguanin ishte si shkak i “rilidhjes së paligjshme”, ndërkohë që rezulton nga hetimi se asnjë prej abonentëve të mbifaturuar nuk u është ndërprerë energjia elektrike, pasi kanë qenë pagues të rregullt”, citon njoftimi i Prokurorisë.

Po kështu Prokuroria thekson se, 13 të pandehurit që janë dërguar për gjykim janë pjesa e dytë e hetimit të një totali prej rreth 40 ish-punonjësve të “CEZ Shpërndarja sh.a”, të cilët akuzohen për “fallsifikim kompjuterik”. Ndërkohë, për dy ish-punonjës, është në zhvillim procesi gjyqësor dhe prokuroria ka paraqitur konkluzionet përkatëse, në të cilat kërkon nga 3 vjet burg për shtetasit Luan Xhiherri dhe Mërkur Ndreu.

Balkan Web, 23.06.2014