Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në vijim të një debati mbi energjinë

Shkrimi i Z.Besim Islami i botuar në “Gazetën Shqip”

Në vijim të debatit për sfidat në sektorin elekktroenergjetik: Liberalizim dhe komercializim tregut të energjisë

Dr. Eng. Besim Islami

Duke falenderuar z. Agron Hetoja, administrator i KESH sha, që ka iniciuar këtë debat profesional në faqet e gazetës “Shqip”, në kontekstin edhe të vështirësive financiare që janë akumuluar prej vitesh në sektorin elektrik, dëshiroj të theksoj se tezat e hedhura në këtë shkrim janë shumë të rëndësishme dhe jetike për përmirësimin e sektorit elektroenergjetik në veçanti dhe, atij energjetik në përgjithësi. Më poshtë po rreshtoj shkurt mendimet e mia në lidhje me disa nga tezat e përmendura nga zoti Hetoja.

Nevoja për model të ri tregu dhe kuadër rregullator bashkëkohor

Bie dakord me z. Hetoja që modeli aktual i tregut dhe kuadri përkatës rregullator nuk ka mundur të garantojë funksionalitetin e tij, gjersa kemi një situatë të vështirë financiare dhe funksionale, si rrjedhojë e akumulimit të detyrimeve të ndërsjella midis aktorëve të këtij tregu (CEZ Shpërndarje, KESH, OST, prodhuesit e pavarur të energjisë). Problemi kryesor i modelit aktual të tregut lidhet me gjendjen e vështirë financiare të CEZ-it. Kjo kompani, duke mos mbledhur të ardhurat nga shitja e energjisë, jo vetëm që i ka shkaktuar probleme vetvetes, por edhe ka çuar në mos funksionin e modelit aktual të tregut dhe, ajo që është më problematike, ka sjellë vështirësi financiare për KESH, OST, Prodhuesit e Vegjël të Energjisë Elektrike (privat dhe koncesionar) si dhe në Buxhetin e Shtetit.

Sigurisht që modeli aktual i tregut duhet të rishikohet, por duhet theksuar në mënyrë të qartë që në fillim, që çdo model i ri që do të bëhet nuk do të funksionojë nëse nuk vendoset disiplina financiare në mbledhjen e të ardhurave nga ana e CEZ-it (Sistemit të Shpërndarjes) për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.Kështu që aksioni primar i ndërmarrë, për zvogëlimin në maksimum të mospagesës së energjisë elektrike nga bizneset dhe familjarët, nga Ministria e Energjisë dhe mbështetur nga të gjitha institucionet e tjera të Qeverisë Shqiptare (dhe nga të gjithë donatorët me në krye Bankën Botërore) është i një rëndësie të jashtëzakonshme.Në këtë kuadër jam dakord me idenë e z. Hetoja që është e domosdoshme që tregu i energjisë elektrike të rimodelohet dhe shkëmbimi i energjisë dhe shërbimeve në këtë treg të komercializohet. Liberalizimi dhe komercializimi i tregut të energjisë do të thotë gjithashtu që edhe çmimet e shitjes me pakicë të mbulojnë të gjithë kostot e operimit, mirëmbajtjes, investimeve të reja, importit dhe blerjes së energjisë elektrike nga ana e prodhuesve të pavarur me qëllim që të kemi një sistem të shendoshë financiarisht në çdo segment të tij: duke përfshirë furnizimin (gjenerimin publik dhe privat si dhe importin neto të realizuar gjatë një viti), transmetimin, shpërndarjen dhe shitjen me pakicë.Në këtë kuadër, hartimi i çmimeve me pakicë duhet të bëhet duke pasur parasysh që niveli ihumbjeve jo teknike (duke përfshirë vjedhjet dhe mospagesat) brenda një periudhe 4-5 vjeçare të hiqet gradualisht dhe secili konsumtor shqiptar të paguajë në mënyrë transparente vetëm atë pjesë të tarifës që i takon – dhe jo siç ndodh aktualisht – kur të gjithë konsumatorët e rregullt paguajnë në mënyrë indirekte një pjesë të mospagesës, e shkaktuar kjo nga konsumatorët që nuk paguajnë.

Rishikimi i tarifës për konsumatorët familjarë, hap i rëndësishëm

Një tjetër hap shumë i rëndësishëm për t’u ndërmarrë në këtë drejtim është rishikimi rrënjësor i tarifës për konsumatorët familjarë. Aktualisht është jo efektive për sistemin elektrik që të gjithë konsumatorët familjarë (afërsisht 1 milion familje) të subvencionohen për 300 kËh/muaj, kur konsumi mesatar është vetëm 287 kËh/muaj. Ne duhet të bëjmë një ndryshim rrënjësor në këtë drejtim dhe të arrijmë që brenda 3 viteve të: subvensionohen vetëm familjet në nevojë (rreth 185.000 familje) me 180-200 kËh/muaj dhe pjesa tjetër e familjeve shqiptare (afërsisht 850.000 familje) duhet të paguajnë një tarifë bazuar ne koston e shërbimit dhe sigurisht të zhveshur nga niveli i humbjeve jo teknike.

Modeli i ri i tregut duhet të rifomulohet edhe duke pasur parasysh që nuk mund të kemi dy blerës të energjisë elektrike në importin neto: KESH-i në rolin e furnizuesit publik dhe CEZ shpërndarja në rolin e blerësit me pakicë (për të mbulluar humbjet teknike dhe jo teknike në bazë të modelit aktual të tregut).

Shqipëria ka më shumë se 10 vite që është një importues neto i energjisë elektrike (me përjashtime shumë të rralla të viteve shumë të lagëta – siç ishte viti 2010) dhe do të vazhdojë të jetë të paktën deri në vitin 2020.

Duke pasur parasysh këtë aspekt do të jetë me kosto më të vogël që të importohet vetëm nga një entitet, pasi të jetë bërë një parashikim shumë i mirë i energjisë së prodhuar nga centralet publike (KESH-i) së bashku me ato private dhe ato koncesionare të ndërtuar në 4-5 vitet e fundit.

Një nga projektet e rëndësishme të sistemit elektrik është ndërtimi i linjës 400 kV ndërmjet OST (sistemi i transmetimit i Shqipërisë) dhe KOSTT (sistemi i transmetimit i Kosovës).Tashmë financimi i kësaj linje është garantuar nga ana e Bankës Gjermane KfË dhe OST po punon me shpëjtësi për zbatimin sa më të shpejtë të këtij projekti. Modeli i ri i tregut duhet të përgatitet në mënyrë të tillë që sistemi elektrik shqiptar të përfitojë nga ndërtimi i kësaj linje, duke optimizuar të dy sistemet në mënyrë totalisht komerciale në të dy vendet dhe më gjerë me të gjitha vendet e rajonit. Sigurisht kjo linjë dhe të gjitha linjat aktuale të interkonjeksionit, së bashku me të gjithë sistemin e transmetimit do të bëjnë të mundur optimizimin e burimeve tona në të dyja anët, duke përfituar maksimalisht si nga ana e sigurisë së furnizimit dhe ajo financare, jo vetëm me Kosovën, por edhe me të gjithë vendet e tjera në këtë treg tashmë të hapur të energjisë elektrike.

hec hidrocentrali komanDetyrimi i KESH për mbulimin e kërkesës së klientëve tariforë

Eksperienca e viteve të fundit ka treguar se një pjesë të energjisë që lëvrohet nga KESH për mbulimin e kërkesës së klientëve tariforë, shkon për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të cilat, siç theksuam më sipër kanë çuar të gjithë sistemin elektroenergjetik në vështirësi të mëdha financiare edhe vetë KESH-i vuan mospagesat për energjinë e shitur me çmime tregu, përveçse për energjinë që shitet me çmime të rregulluara.

Për pasojë jam dakord me idenë e z. Hetoja për vazhdimin e liberalizimit të mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri me qëllim bazë daljen nga kriza të sistemit elektroenergjetik në tërësi si dhe për diversifikimin e portofolit të KESH-it dhe forcimin e pozicionit të tij financiar.

Sigurisht ky liberalizim duhet të udhëhiqet nga praktikat më të mira europiane dhe të zbatohet me disa faza, por është njëkohësisht shumë e domosdoshme të studiohet me shumë detaje hapja e tregut, në fund të fundit, për të mos i përballur ata menjëhërë me çmime të larta tregu (në krahasim me çmimet aktuale) për të gjitha ndërmarrjet industriale të vendit tonë.

Për pasojë sugjeroj që hapja e tregut të bëhet për një periudhë 2-3 vjeçare për të gjithë konsumatorët në tension të mesëm duke pasur parasysh natyrën e biznesit dhe të jetë përcaktuar në mënyrë shumë të qartë gjatë periudhës tranzitore pjesëmarrësi i tregut që do të mbajë detyrimin si “furnizues i alternativës së fundit”.

Kjo do t’i japë kohë këtyre ndërmarrjeve industriale që do të jenë pjesë e tregut të hapur të përgatisin stafet e tyre teknike për të njohur tregun dhe për të bërë të mundur shfrytëzimin e tij me qëllim final të kenë kosto sa më të ulët të mundshme për mbulimin e nevojave për energji elektrike.

Transferimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga KESH te CEZ

Kjo është një nga tezat më të diskutueshme ndërmjet ekspertëve energjetikë dhe më gjerë kohët e fundit. Pavarësisht se kush do të jetë blerësi i energjisë elektrike të prodhuar nga HEC-et e privatizuar apo ato të ndërtuar me koncesion – një gjë është shumë e rëndësishme: energjia elektrike e gjeneruar prej tyre duhet të paguhet dhe çmimi më i ulët imundshëm që i duhet garantur atyre duhet të jetë çmimi i importit.

Vështirësitë financiare të sistemit elektroenergjetik nuk janë krijuar nga ndërtimi dhe operimi i HEC-ve të vegjël, por nga mos mbledhja e arkëtimeve nga ana CEZ-it. Pra, e theksoj edhe një herë – nuk janë HEC-et e vegjël shkaktari, por edhe ata si KESH-i, OST-ja, po vuajnë performancën e ulët që ka pasur në vitet e kaluara CEZ-i. Dhe jo vetëm kaq; dhënia e energjisë dhe mospagesa e saj karshi HEC-eve të vegjël i ka vendosur të gjithë ata në vështirësi të mëdha financiare – duke mos paguar kreditë e marra për ndërtimin e tyre – dhe nga ana tjetër kjo është edhe një nga faktorët që ka rritur treguesin e “huave të këqija”, duke e vendosur edhe sistemin bankar në një situatë të vështirë.

Eshtë shumë e rëndësishme të theksohet edhe një fakt tjetër: Shqipëria, si vend kandidat nëBE (duke shpresuar që të gjitha vendet do të japin konfirmimin e tyre në fund të Qershorit 2014) dhe si vend anëtar me të drejta të plota në Komunitetin e Energjisë tashmë ka aprovuar në Maj 2013 – ligjin e promovimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë.Pavarësisht zërave se ky ligj do të rishikohet në disa elemente të tij – pjesa më e rëndësishme e tij do të mbetet pasi Shqipëria duhet të plotësojë targetat e burimeve të rinovueshme (në bazë të Direktivës Europiane të Burimeve të Rinovueshme) të cilat në vitin 2009 (viti bazë) ishin 29% (e totalit të konsumit final energjetik) dhe në vitin 2020 do të jenë rreth 38% (e totalit të konsumit final energjetik). Dhe për të arritur këtë target të rëndësishëm do të kërkohen investime shumë të mëdha në vlera monetare.

Bazuar në llogaritjet paraprake të bëra nga autori i këtij shkrimi – vendi ynë është me fat që ka burime hidrike (për prodhimin e energjise elektrike), biomase (për qëllime termike) dhe energji diellore (vetëm për ujë të ngrohtë), të cilat do të mbulojnë këto nevoja shtesë pa asnje lloj subvencioni. E theksoj, vendi ynë është me fat në krahasim me shumë vende tjera, të cilat tashmë i kanë shfrytëzuar burimet me kosto të arsyshme dhe për të arritur targetat e vendosur, kanë nevojë të subvencionojnë burimet që janë shumë më pak të leverdisshëm nga ana ekonomike.Duke vendosur si limit të poshtëm çmimin e importit të energjisë elektrike si çmim blerje të energjisë për HEC-et e vegjël, bëhet e mundur që t’i jepet një sinjal i tregut edhe zhvilluesve të HEC-eve të vegjël si dhe bankave, që jo çdo propozim për ndërtim HEC-i mund të jetë me leverdi financiare.

Por, nga ana tjetër, ne duhet të ndjekim të gjitha praktikat më të mira europiane për t’i paguar çdo muaj energjinë e prodhuar prej tyre dhe nuk mund t’i vendosim HEC-eve të vegjël detyrime për pagesë të mosbalancimit – sepse kemi të bëjmë me HEC-e me derivacion të cilët nuk mund të parashikojnë me siguri 100% prodhimin e tyre për ditët që pasojnë.

Përcaktimi i mekanizmave nxitës për prodhimin e tepërt të energjisë elektrike nga KESH

Jam dakord me pikën 4,2 të Modelit aktual të Tregut Shqiptar të energjisë elektrike, ku përcaktohet që “të gjitha përfitimet neto nga kapaciteti hidro vendas ruhen për klientët tariforë”. Në të njëjtën kohë bie dakord me propozimin e z. Hetoja që këto përfitime financiare të ruhen në një fond të veçantë të paprekshëm, i cili do të bëjë të mundur të përdoret vetëm për vitet e thata që gjithmonë do të pasojnë në ciklin hidroenergjetik. Kjo do të kishte përfitim të dyfishtë: KESH-i do të ishte me i aftë financiarisht dhe do të parashikonte shumë më mirë në mënyrë afatgjatë (gjë që sjell gjithmonë blerje të importeve të nevojshme me kosto më të ulët) si dhe buxheti i shtetit nuk do të ndodhet i shtrënguar të financojë KESH-in kohë pas kohe.

energjia.al 16.06.2014