Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ dhe integrimi shqiptar

Tani që integrimi në Bashkimin Evropian ka hyrë në jetën e gjithsecilit me një raport shumë pozitiv të Komisionit Evropian më 4 qershor të këtij viti, për faktin që e meritojmë statusin(gjendjen) vend kandidat për në BE, jo pak nga ne janë disi të habitur se ç’kanë çekët që duket se mund të shprehen kundër. “Ç’kanë me ne? Pse nuk duan të na e japin “Po”-në për integrimin?, pyesin shumë vetë.

Në të vërtetë, kompania më e madhe shtetërore e Çekisë, kompania “CEZ” ka shumë me Shqipërinë. Në shtator 2008, rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike tek ne u privatizua dhe qeveria jonë ia la këtë patate të përvëluar(që digjte çdo vit 80 milionë euro në humbje jo teknike) ndër duar një kompanie serioze çeke, të quajtur CEZ. Nënshkroi me të një kontratë privatizimi për 75 përqind të aksioneve në strukturën që ia çon shqiptarit energjinë elektrike në shtëpi, të quajtur me një emër të ri të bukur « Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)”.

Mori edhe 102 milionë euro pagesë privatizimi. Dhe praktikisht i tha kompanise çeke : »vrit veten tani!». Pse realisht një strukturë me qindra teknikë e faturistë të mësuar vetëm të vjedhin dhe abuzojnë do të shkaktonte thjesht probleme të jashtëzakonshme në menaxhim. Në mes mijëra qytetarësh, të pamësuar me marrje informacioni aktivisht prej kompanisë tashmë të huaj që u sillte energjinë elektrike në shtëpi, marifetet dhe paudhësitë e teknikëve të ish-KESH-it nga vetë këta iu ngjitën me shumë mjeshtëri mashtrimi vetëm stafit të kufizuar të specialistëve dhe drejtuesve çekë.

Kështu lindi fjalnaja « këta çekët të rrjepin paq ! », ndonëse vetë kompania dhe në tërësi strukturat prodhuese e shërbyese të këtij vendi shumë fisnik dhe të zhvilluar, shquhen për korrektesë shëmbullore dhe profesionalizëm kudo në rajonin ballkanik ku kanë investuar bindshëm. Miëpo, nga ana tjetër, kompania çeke « Cez » qëlloi shtetërore. Kryeministri i Çekisë Pavel Necas erdhi vetë në Tiranë në vitin 2012, të provonte t’i jepte zgjidhje ngërçit të krijuar.

Pas tre vjetësh sprovash të kompanisë çeke, që mund të emërtohen me shprehjen:”po i provoj të gjitha t’i bëj shqiptarët të mos e vjedhin energjinë, por ta paguajnë!” dhe qëndrimi indiferent të qeverisë shqiptare të tipit:”ke nënshkruar me ne një kontratë, respektoje deri në fund atë!”, qeveria shqiptare dhe CEZ e panë veten në udhëkryq, ku asnjëra nuk lëshonte mbi detyrimet financiare përkatëse, me vlerë dhjetëra milionë euro. E ndërsa palët qëndronin në pozicionet e tyre të fortifikuara, një tjetër kompani, kësaj rradhe shtetërore shqiptare, KESH, zhytej në borxhe. Në këtë gjendje të turbullt, qeveria shqiptare e asaj kohe zgjodhi rrugën më të shkurtër dhe më me shumë dëm për vendin, heqjen e liçencës kompanisë çeke. Kjo ndodhi në 21 janar 2014.

Kompania çeke e hodhi shtetin tonë në arbitrazh ndërkombëtar, ku shpreson të marrë 200 milion euro dëmshpërblim për humbjet e saj tek ne, nëse fiton gjyqin. Gjyqin ka shumë shanse ta fitojë, pse pakorrektësitë e qeverisë sonë të mëparshme me CEZ nuk kanë fund. Sprovat e fundit për mirëkuptim janë bisedimet mes qeverisë sonë të tanishme dhe palës çeke në Vjenë, Austri, për t’i dhënë një zgjidhje pa gjyq kësaj katrahure. Me këtë investues të huaj serioz e të njohur në gjithë Evropën, ne veç fitojmë si vend, po ta rikthejmë në tregun tonë energjitik.

Qeveria jonë nuk ka pse të luajë të papërgjegjshmen, për t’u thënë çekëve “Ç’keni patur e keni patur me qeverinë e mëparshme”. Ajo duhet të japë tani shenja në dobi jo vetëm të “Po”-së çeke për integrimin, por dhe të moshumbjes së një gjyqi të sigurtë që do ta humbim dhe do të jemi të detyruar të paguajmë një dëmshpërblim të stërmadh, sa 200 gjyqe të Gjykatës së Strasburgut për mohimin e të drejtave të ish-pronarëve në Shqipëri. Nuk është vetëm fjala tek gjyqi dhe imazhi i vendit tonë që dëmtohet edhe njëherë rëndë në raport me investuesit e huaj seriozë. Rikthimi i CEZ Çeki sjell shumë dobi në mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri, në besimin e të huajve që rrezikojnë kapitalet e tyre këtu, se shteti i së drejtës mund edhe të vendoset e të triumfojë në Shqipëri.

Shqiptarja.com 13.06.2014